Zhvillimi i Socializmit nga Utopia në Shkencë[1]

Fridrih Engels

Shtëpia Botuese «8 Nëntori»
Tiranë, 1975

Hyrje për botimin anglisht[2]

Broshura që paraqesim ka qenë në fillim pjesë e një vepre më të madhe. Aty nga viti 1875 dr. E. Dyringu, privat-docent i Universitetit të Berlinit, deklaroi papritur dhe me bujë se kishte filluar të besonte në socializmin, dhe i serviri publikut gjerman jo vetëm një teori socialiste të përpunuar me hollësi, por edhe një plan praktik të plotë për transformimin e shoqërisë. Kuptohet vetvetiu se ai u vërsul kundër paraardhësve të vet dhe sidomos kundër Marksit, mbi të cilin shfreu gjithë mllefin e vet.

Kjo ndodhi në atë kohë kur sapo ishte bërë shkrirja e dy pjesëve të partisë socialiste në Gjermani — e ajzenahasve dhe e lasalianëve[3] — dhe në këtë mënyrë partia jo vetëm që u forcua jashtëzakonisht si numër, por, çka është më e rëndësishmja, fitoi edhe mundësinë që t'i drejtonte të gjitha forcat e veta kundër armikut të përbashkët. Partia socialiste në Gjermani po bëhej shumë shpejt një forcë e madhe. Por që ajo të bëhej një forcë e madhe duhej, para së gjithash, të mos rrezikohej uniteti që sapo ishte fituar. Kurse dr. Dyringu filloi të krijonte haptazi rreth vetes një sekt, bërthamën e një partie të ardhshme të veçuar. Prandaj ne u detyruam ta
pranonim sfidën që na u hodh dhe, me dashje ose pa dashje, të hynim në betejë.

Por kjo ishte një punë mjaft e madhe, megjithëse jo fort e vështirë. Dihet mirë se neve gjermanëve na karakterizon një Gründlichkeit tmerrësisht e madhe, quajeni si të doni — një gjykim i thellë apo një thellësi gjykimi. Sa herë që ndonjëri prej nesh fillon të parashtrojë atë që, sipas mendimit të tij, përbën një doktrinë të re, ai e quan të nevojshme që, para së gjithash, ta përpunojë këtë si një sistem universal. Ai duhet të vërtetojë se edhe parimet e para të logjikës dhe ligjet themelore të gjithësisë kanë ekzistuar prej kohërash që s'mbahen mend vetëm e vetëm për të çuar, më në fund, pikërisht në këtë teori të porsazbuluar, që është kurorëzimi i çdo gjëje. Dhe në këtë drejtim dr. Dyringu i përgjigjej plotësisht këtij kallëpi kombëtar. As më pak dhe as më shumë, por një «Sistem filozofie» i plotë — i filozofisë së frymës, të moralit, të natyrës dhe të historisë, — një «Sistem i ekonomisë politike dhe i socializmit» edhe ky i plotë dhe, më në fund, një «Histori kritike e ekonomisë politike» — tri vëllime të trasha, in octavo, të rënda si nga pesha, ashtu edhe nga përmbajtja, tri korparmata provash, të mobilizuara kundër filozofëve të mëparshëm, kundër ekonomistëve në përgjithësi dhe Marksit në veçanti, — me të vërtetë, kjo është një orvatje për të bërë një «përmbysje» të plotë «në shkencë», — ja se me çfarë pata të bëja. U detyrova të trajtoja gjithçka: që nga koncepcionet e kohës dhe të hapësirës deri te bimetalizmi[4]; që nga përjetësia e materies dhe e lëvizjes deri te karakteri i përkohshëm i ideve morale; që nga seleksionimi natyror i Darvinit deri te edukimi i rinisë në shoqërinë e ardhshme. Sidoqoftë, sistemi universal i kundërshtarit tim më jepte shkas për të parashtruar në polemikën me të pikëpamjet e Marksit dhe pikëpamjet e mia në lidhje me të gjitha këto çështje të ndryshme, dhe madje në mënyrë shumë më sistematike nga sa ishte bërë deri atëherë. Ky ka qenë pikërisht shkaku kryesor që më detyroi t'i përvishesha kësaj detyre, e cila në të gjitha drejtimet e tjera ishte një punë pa gratë.

Përgjigjja ime në fillim u botua në formën e një sërë artikujsh në gazetën «Vorwärts» të Lajpcigut, organ qendror i Partisë Socialiste, dhe pastaj — si libër me titullin «Herrn Eugen Dühring's Umwälzung der Wissenschaft» («Përmbysja që ka bërë në shkencë z. Eugen Dyring»), botimi i dytë i të cilit doli në Cyrih më 1886.

Me kërkesën e mikut tim Pol Lafargut, sot deputet i Lilit në parlamentin francez, me tre kapitujt e këtij libri unë përgatita një broshurë, të cilën ai e përktheu dhe e botoi më 1880 me titullin «Socializmi utopik dhe socializmi shkencor». Në bazë të këtij teksti frëngjisht dolën një botim polonisht dhe një spanjisht. Më 1883 miqtë tanë gjermanë e botuan broshurën në gjuhën në të cilën ajo ishte shkruar në fillim. Pastaj nga ky tekst gjermanisht u bënë përkthime italisht, rusisht, danisht, holandisht dhe rumanisht. Kështu, duke përfshirë edhe këtë botim anglisht, kjo broshurë u përhap në dhjetë gjuhë. Mendoj se asnjë vepër socialiste, pa përjashtuar as «Manifestin komunist», të botuar më 1848, dhe «Kapitalin» e Marksit, nuk është përkthyer kaq herë. Në Gjermani kjo broshurë është botuar katër herë me një tirazh të përgjithshëm prej rreth 20 000 copësh.

Shtojca, «Marka»[5], u shkrua me qëllim që në Partinë Socialiste të Gjermanisë të përhapeshin disa njohuri elementare mbi historinë e lindjes dhe të zhvillimit të pronës së tokës në Gjermani. Në atë kohë kjo ishte edhe më e nevojshme, sepse bashkimi nga partia i punëtorëve të qyteteve ishte pothuajse përfunduar me rrugë të drejtë dhe përpara partisë shtrohej detyra që ajo të merrej me punëtorët e bujqësisë dhe me fshatarët. Kjo shtojcë u përfshi në këtë botim për arsye se format primitive të zotërimit të tokës, të përbashkëta për të gjitha tributë teutonike, dhe historia e shthurjes së tyre njihen në Angli edhe më pak se në Gjermani.

Tekstin e lashë siç ka qenë në fillim, pa prekur hipotezën e propozuar para pak kohe nga Maksim Kovalevski, sipas së cilës para ndarjes së tokave të bukës dhe të livadheve midis pjesëtarëve të markës toka punohej bashkarisht nga një bashkësi e madhe familjare patriarkale, që përmblidhte disa breza (si shembull mund të shërbejë zadruga e sllavëve të jugut, që është edhe sot); kurse më vonë, kur komuna u zgjerua dhe u bë tepër e madhe që të mund të mbarështohej ekonomia në mënyrë të përbashkët, u bë ndarja e tokave të komunës. Kovalevski, ndoshta, ka plotësisht të drejtë, por kjo çështje është ende sub judice[6].

Termat ekonomikë që përdoren në këtë vepër, pasi ata janë të rinj, përputhen me terminologjinë e «Kapitalit» të Marksit, ashtu siç është dhënë në botimin anglisht. Me «prodhim të mallrave» ne kuptojmë atë fazë të zhvillimit ekonomik, në të cilën sendet nuk prodhohen vetëm për të plotësuar nevojat e prodhuesve, por edhe me qëllim këmbimi, d.m.th. prodhohen si mall, dhe jo si vlera përdorimi. Kjo fazë ekziston që nga koha kur filloi prodhimi për këmbim dhe deri në ditët tona; zhvillimin e saj të plotë ajo e arrin vetëm në prodhimin kapitalist, d.m.th. në ato kushte kur kapitalisti, pronar i mjeteve të prodhimit, pajton punëtorë me mëditje — njerëz që nuk zotërojnë asnjë mjet prodhimi përveç fuqisë së vet punëtore, — dhe shtie në xhep tepricën që krijohet nga diferenca midis çmimit të shitjes së produkteve dhe shpenzimeve që janë bërë për to. Historinë e prodhimit industrial, duke filluar që nga mesjeta, ne e ndajmë në tri periudha: 1) zeja, mjeshtrit e vegjël zejtarë me pak çirakë dhe nxënës, kur çdo punonjës e prodhon gjithë artikullin; 2) manufaktura, kur një numër më i madh punëtorësh, të mbledhur në një ndërmarrje të madhe, e prodhojnë gjithë artikullin në bazë të ndarjes së punës, d.m.th. çdo punëtor kryen vetëm një operacion pjesor, kështu që produkti është gati vetëm pasi të ketë kaluar me radhë nga duart e të gjithëve; 3) industria moderne, kur produkti prodhohet me makina, që vihen në lëvizje me anë të një force, ndërsa roli i punëtorit kufizohet me mbikëqyrjen e veprimeve të mekanizmave dhe me rregullimin e tyre[7].

Unë e di fare mirë se përmbajtja e kësaj broshure nuk do t'i pëlqejë një pjese të mirë të lexuesve britanikë. Po sikur ne, banorët e kontinentit, t'u jepnim sado pak rëndësi paragjykimeve të «respektabilitetit» britanik[8], atëherë punët do të ishin edhe më keq nga ç'janë sot. Broshura që paraqesim është shkruar për të mbrojtur atë që ne quajmë «materializëm historik», dhe fjala «materializëm» ia vret veshin shumicës dërrmuese të lexuesve britanikë. «Agnosticizmi»[9] mund edhe të durohej, por materializmi është një gjë krejt e papranueshme.

E megjithatë djepi i gjithë materializmit modern, duke filluar që nga shekulli XVII, është pikërisht Anglia.

Materializmi është bir i vërtetë i Britanisë së Madhe. Që në kohën e tij skolastiku i saj, Duns Skoti, e pyeste veten: a nuk është e aftë materia të mendojë?

Për ta bërë të mundshme këtë mrekulli, ai i drejtohej gjithfuqisë së perëndisë, d.m.th. ai e detyronte vetë teologjinë të predikonte materializmin. Veç asaj, ai ishte nominalist[10]. Nominalizmi ka qenë një nga elementet kryesore për materialistët anglezë dhe në përgjithësi është shprehja e parë e materializmit.

Themeluesi i vërtetë i materializmit anglez është Bekoni. Për atë shkencat e natyrës janë e vetmja shkencë e vërtetë, ndërsa fizika, që mbështetet në eksperiencën ndijore, është pjesa më e rëndësishme e shkencave të natyrës. Anaksagora me homeomeritë e tij[11] dhe Demokriti me atomet e tij përmenden shpesh prej tij si autoritete. Sipas teorisë së tij, shqiset janë të pagabueshme dhe përbëjnë burimin e çdo dijeje. Shkenca është shkencë eksperimentale dhe qëndron në zbatimin e një metode racionale për çdo gjë që na jepet nëpërmjet shqiseve. Induksioni, analiza, krahasimi, vrojtimi, eksperimenti janë kushtet kryesore të metodës racionale. Vetia e parë dhe më kryesorja nga të gjitha vetitë që përmban në vetvete materia është lëvizja, — jo vetëm si lëvizje mekanike dhe matematike, por edhe më tepër si impuls, frymë e gjallë, tension, ose, po të përdorim shprehjen e Jakob Bëmes, si një «mundim» [«Qual»][12] i materies[13].

Te Bekoni, që është krijuesi i tij i parë, materializmi fsheh ende në mënyrë naive embrionet e një zhvillimi të gjithanshëm. Materia i buzëqesh gjithë njeriut me shkëlqimin e vet poetik e ndijor. Ndërsa vetë teoria, e paraqitur në formë aforizmash, përkundrazi, është ende plot inkoherenca teologjike.

Gjatë zhvillimit të tij të mëtejshëm materializmi bëhet i njëanshëm. Hobsi është sistematizuesi i materializmit të Bekonit. Realiteti i ndijuar i humbet ngjyrat e veta të forta dhe shndërrohet në realitet të ndijuar abstrakt të gjeometrit[14]. Gjeometria shpallet si shkenca kryesore. Materializmi bëhet armik i njeriut. Për ta mposhtur në truallin e vet frymën e patrup dhe armike ndaj njeriut, materializmi detyrohet ta mortnojë ai vetë trupin e vet dhe të bëhet asket. Ai paraqitet si një qenie me intelekt, por, nga ana tjetër, ai zhvillon me konsekuencë të pamëshirshme të gjitha përfundimet e intelektit.

Në qoftë se shqiset tona janë burimi i të gjitha dijeve tona, — thotë Hobsi duke u nisur nga Bekoni, — atëherë ideja, mendimi, përfytyrimi etj., të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse hije të botës trupore, të çliruara pak a shumë nga forma e vet ndijore. Shkenca mundet vetëm t'u japë një emër këtyre hijeve. I njëjti emër mund t'u jepet shumë hijeve. Bile mund të ketë edhe emra të emrave. Por do të binim në kontradiktë, në qoftë se, nga njëra anë, do të shihnim në botën ndijore burimin e të gjitha ideve dhe, nga ana tjetër, të thoshim se një fjalë është diçka më tepër se një fjalë, se përveç qenieve të përfytyruara, gjithmonë të veçanta, ka edhe qenie të përgjithshme. Substanca e patrup është një kontradiktë, po ashtu si dhe trupi i patrup. Trupi, qenia, substanca — të gjitha këto janë po e njëjta ide reale. Nuk mund të ndahet mendimi nga materia që mendon. Materia është subjekti i të gjitha ndryshimeve. Fjala i pafundshëm është pa kuptim, në qoftë se ajo nuk shpreh aftësinë e mendjes sonë për ta shtuar pa fund një madhësi të caktuar. Meqenëse vetëm çka është materiale mund të kapet nga shqiset tona, mund të njihet, atëherë asgjë nuk dihet për ekzistencën e perëndisë. Vetëm ekzistenca ime është e sigurt. Çdo pasion njerëzor është një lëvizje mekanike, që mbaron ose fillon. Objektet e impulseve — ja se çfarë quajmë ne të mirë. Njeriu u nënshtrohet po të njëjtave ligje, të cilave u nënshtrohet edhe natyra. Pushteti dhe liria janë identikë.

Hobsi e sistematizoi Bekonin, por nuk dha ndonjë argumentim më të hollësishëm të parimit të tij themelor — se dijet dhe idetë vijnë nga bota e ndijimeve. Loku e argumenton parimin e Bekonit dhe të Hobsit në veprën e vet mbi prejardhjen e arsyes njerëzore.

Po ashtu siç i asgjësoi Hobsi paragjykimet teiste[15] të materializmit të Bekonit, po kështu edhe Kolinsi, Doduelli, Kouardi, Hartli, Pristli etj. asgjësuan kufijtë e fundit teologjikë të sensualizmit[16] të Lokut. Deizmi[17] — të paktën për materialistin — nuk është veçse një mënyrë e volitshme dhe e lehtë për t'i larë hesapet me fenë»[18].

Kështu shkruante Karl Marksi për prejardhjen britanike të materializmit të sotëm. Dhe në qoftë se sot anglezët nuk e quajnë veten fort të mikluar nga njohja e këtyre meritave të stërgjyshërve të tyre, kjo është vetëm për t'u vajtuar. Megjithatë, nuk mund të mohohet se Bekoni, Hobsi dhe Loku kanë qenë etërit e shkollës së shkëlqyer të materialistëve francezë, të cilët, me gjithë fitoret e korrura nga gjermanët dhe nga anglezët në tokë dhe në det mbi francezët, shekullin XVIII e bënë kryesisht shekull francez, dhe këtë e bënë shumë kohë para atij revolucionit francez, që kurorëzoi mbarimin e këtij shekulli dhe rezultatet e të cilit ne, si në Angli ashtu edhe në Gjermani, përpiqemi ende t'ia përshtasim klimës së vendeve tona.

Kjo nuk mund të mohohet në asnjë mënyrë. Një të huaji me kulturë, që vinte nga mesi i shekullit tonë për të banuar në Angli, më shumë se çdo gjë tjetër e habiste — dhe ai as që mund ta kuptonte ndryshe këtë — fanatizmi fetar dhe kokëtrashësia e klasës së mesme «të respektueshme» angleze. Atëherë të gjithë ne ishim materialistë ose, të paktën, përkrahës shumë të vendosur të mendimit të lirë, dhe për ne ishte i pakuptueshëm fakti se pothuajse gjithë njerëzit me kulturë në Angli besonin në gjithfarë mrekullish të paqena dhe se bile disa gjeologë, si Baklenti dhe Manteli, i shtrembëronin të dhënat e shkencës së vet, me qëllim që ato të mos i godisnin tepër rëndë mitet e Librit të qenies[20]. Na dukej e pakuptueshme që për të gjetur njerëz që në çështjet fetare të guxonin të mbështeteshin në arsyen e tyre, duhej të shkonim në mes të masës pa kulturë, në mes të «turmës së palarë», siç thuhej atëherë, — në mes të punëtorëve, sidomos të socialistëve, pasues të Ouenit.

Por që nga ajo kohë Anglia «është qytetëruar». Ekspozita e vitit 1851[21] i dha fund veçimit ishullor të Anglisë. Anglia dalngadalë u internacionalizua në të ngrënit dhe në të pirit, në zakonet, në idetë; ajo ka arritur në këtë drejtim suksese aq të mëdha, saqë dëshiroj gjithnjë më shumë të uroj që disa zakone angleze të gjejnë në kontinent një përhapje të tillë të përgjithshme, si ajo që kanë gjetur në Angli disa zakone të kontinentit. Një gjë është e sigurt: përhapja e vajit të ullirit (i cili para vitit 1851 njihej vetëm nga aristokracia) u shoqërua nga përhapja fatale e skepticizmit kontinental në çështjet fetare; puna arriti që agnosticizmi, megjithëse ai nuk quhet ende aq fisnik sa kisha zyrtare angleze[22], prapëseprapë, përsa i përket respektabilitetit, qëndron pothuajse në një rang me sektin e babtistëve dhe sidoqoftë në një rang më lart se «Ushtria e shpëtimit»[23]. Dhe unë nuk mund të mos mendoj se shumë nga ata që janë dëshpëruar me gjithë zemër nga ky përparim i mosbesimit dhe e mallkojnë atë, do të ngushëllohen kur ta marrin vesh se këto ide të reja nuk kanë prejardhje të huaj, nuk mbajnë markën Made in Germany[24] — si shumë sende të tjera të përdorimit të përditshëm; se ato, përkundrazi, kanë prejardhje të lashtë angleze dhe se themeluesit e tyre britanikë dyqind vjet më parë shkonin shumë më larg se stërnipërit e tyre të sotëm.

Agnostiku ynë pranon gjithashtu se e gjithë dija jonë mbështetet në njoftimet që ne marrim nëpërmjet shqisave tona. Por, shton ai, ku e dimë ne se shqisat tona na japin figura të sakta të sendeve që ato perceptojnë? Dhe më tej na thotë se kur ai flet për sendet ose për vetitë e tyre, në të vërtetë ai nuk ka parasysh vetë këto sende ose vetitë e tyre, për të cilat ai nuk mund të dijë asgjë të saktë, por vetëm ato përshtypje që këto sende ose vetitë e tyre kanë shkaktuar në shqiset e tij. Patjetër kjo është një pikëpamje e vështirë për t'u hedhur poshtë vetëm me argumentime. Po njerëzit para se të fillonin të argumentonin kanë pasë vepruar. «In Anfang war die That»[27]. Dhe veprimtaria njerëzore e ka zgjidhur këtë vështirësi shumë më parë se sa ta shpikte urtësia e njeriut. Pudingu provohet duke e ngrënë[28]. Në çastin që ne e përdorim një send për veten tonë në përputhje me vetitë e perceptuara të këtij sendi, — pikërisht në atë çast ne bëjmë një provë të sigurt që na tregon nëse perceptimet e shqisëve tona kanë qenë të sakta apo të gabuara. Në qoftë se këto perceptime kanë qenë të gabuara, atëherë edhe gjykimi ynë mbi mundësinë e përdorimit të këtij sendi do të jetë medoemos i gabuar, dhe çdo orvatje për ta përdorur patjetër do të çojë në dështim. Po në qoftë se ne ia arrijmë qëllimit tonë, në qoftë se ne do të shohim se sendi përputhet me idenë që ne kemi në lidhje me të, se ai na jep rezultatin që ne prisnim nga përdorimi i tij, — atëherë ne kemi një provë pozitive se brenda këtyre kufijve perceptimet tona në lidhje me këtë send dhe me vetitë e tij përputhen me realitetin që ekziston jashtë nesh. Në qoftë se, përkundrazi, ne zbulojmë se kemi gabuar, të shumtën e herëve pas pak kohe ne dimë të gjejmë edhe shkakun e këtij gabimi; ne gjejmë se perceptimi, në të cilin është mbështetur prova jonë, ose ka qenë ai vetë jo i plotë dhe i përciptë, ose ka qenë i lidhur me rezultatet e perceptimeve të tjera në një mënyrë që nuk i përshtatet realitetit, këtë ne e quajmë arsyetim të gabuar[29]. Po derisa ne zhvillojmë dhe i përdorim shqisat tona siç duhet, derisa ne e mbajmë veprimtarinë tonë brenda kufijve të caktuar nga perceptimet e marrura dhe të përdorura drejt, — ne do të gjejmë gjithmonë se suksesi i veprimeve tona është një provë që tregon se perceptimet tona përputhen me natyrën objektive të sendeve të perceptuara. Nuk ka asnjë rast, me sa dimë deri tani, që ne të kemi qenë të detyruar të arrinim në konkluzionin se perceptimet tona shqisore, të kontrolluara në mënyrë shkencore, prodhojnë në trurin tonë përfytyrime të botës së jashtme, që, në natyrën e vet, nuk përputhen me realitetin, ose se midis botës së jashtme dhe perceptimeve tona shqisore të kësaj bote ka një mospërputhje të lindur bashkë me to.

Por këtu na del agnostiku neokantian dhe thotë: po, ndoshta ne jemi në gjendje t'i perceptojmë drejt vetitë e një sendi, por vetë sendin nuk mund ta njohim me anën e asnjë procesi, as shqisor as mendor. Ky «send në vetvete» ndodhet përtej njohjes sonë. Këtyre gjërave u është përgjigjur me kohë Hegeli: në qoftë se ju i njihni të gjitha vetitë e një sendi, ju njihni edhe vetë sendin; atëherë mbetet vetëm fakti i thjeshtë se sendi në fjalë ekziston jashtë nesh, dhe pasi shqisat tuaja ta kenë vërtetuar edhe këtë fakt, ju e keni njohur këtë «send në vetvete» të tërë dhe plotësisht, — keni njohur të famshmin «Ding an sich» të panjohshëm të Kantit. Sot kësaj ne mund t'i shtojmë vetëm se në kohën e Kantit njohja jonë e sendeve të natyrës ishte ende aq fragmentare, saqë prapa atyre pak gjërave që dinim për secilin nga këto sende mund të mendohej ende se ekzistonte edhe një «send në vetvete» i veçantë misterioz. Por qysh atëherë, në saje të përparimit të madh të shkencës, këto sende të pakapshme janë njohur njëri pas tjetrit, janë analizuar dhe për më tepër — janë riprodhuar. Dhe një gjë që ne vetë mund ta bëjmë, natyrisht nuk mund ta quajmë më të panjohshme. Qenie të tilla misterioze për kiminë e gjysmës së parë të shekullit tonë kanë qenë lëndët organike. Tani ne jemi në gjendje t'i krijojmë ato njërën pas tjetrës prej elementeve kimike dhe pa ndihmën e proceseve organike. Kimia moderne thotë: kur përbërja kimike e një trupi njihet, ai mund të prodhohet prej elementeve të tij.

Është e vërtetë se ne jemi ende shumë larg nga njohja e saktë e përbërjes së lëndëve më të larta organike, të trupave albuminoidë; po nuk ka asnjë arsye të mendohet se edhe pas shekujsh ne nuk do të mund ta kemi këtë dije dhe të prodhojmë me ndihmën e saj albuminën artificiale. Në qoftë se ne do ta arrijmë këtë, ne do të riprodhojmë njëkohësisht edhe jetën organike, sepse jeta, që nga format e saj më të ulëta deri te më të lartat, nuk është gjë tjetër veçse mënyra normale e ekzistencës së trupave albuminoidë.

Por agnostiku ynë, pasi bën vërejtjet e veta formale, flet dhe vepron si një materialist i bindur, sepse në të vërtetë ai i tillë është. Ai, ndoshta, do të thotë: me sa dimë ne, materia dhe lëvizja ose, siç thonë tani, energjia, nuk mund as të krijohen as të zhduken, por ne nuk kemi asnjë provë që ato të mos jenë krijuar në një çast që ne nuk e dimë. Po në qoftë se ju do të provoni ta shfrytëzoni në ndonjë rast këtë pohim kundër tij — ai do t'ju detyrojë ta mbyllni gojën menjëherë. Në qoftë se ai in abstracto[30] e pranon mundësinë e spiritualizmit[31], in concreto[32] ai as që don të dëgjojë për këtë mundësi. Ai do t'ju thotë: për aq sa dimë dhe mund të dimë, nuk ekziston asnjë krijues ose rregullues i gjithësisë; me sa dimë ne, edhe materia edhe energjia nuk mund as të krijohen as të zhduken; për ne mendimi është vetëm një formë e energjisë, një funksion i trurit; gjithçka ne dimë është se bota materiale drejtohet nga ligje të pandryshueshme, etj. etj. Kështu, si njeri i shkencës, si njeri që di diçka, ai është materialist; por jashtë shkencës së tij, në ato fusha që janë të huaja për të, padijen e vet ai e përkthen në gjuhën greqishte dhe e quan agnosticizëm.

Sidoqoftë, një gjë është e padiskutueshme: edhe sikur të isha agnostik, pikëpamjen për historinë, që është paraqitur në këtë libër, nuk do të mund ta quaja «agnosticizëm historik». Njerëzit fetarë do të talleshin me mua, ndërsa agnostikët do të pyesnin me zemërim: mos dua të tallem me ta? Dhe unë shpresoj se edhe respektabiliteti[33] britanik nuk do të zemërohet shumë, në qoftë se unë do të përdor edhe anglisht, si në shumë gjuhë të tjera, shprehjen «materializëm historik» për të përcaktuar atë pikëpamje mbi zhvillimin e historisë botërore, sipas se cilës shkaku i fundit dhe forca lëvizëse vendimtare e të gjitha ngjarjeve historike të rëndësishme janë zhvillimi ekonomik i shoqërisë, ndryshimet e mënyrës së prodhimit dhe të këmbimit, ndarja e shoqërisë në klasa të ndryshme që lind së këtejmi dhe lufta e këtyre klasave midis tyre.

Ndoshta do të tregohen pakëz më të butë me mua, në qoftë se do të provoj se materializmi historik mund të jetë i dobishëm edhe për respektabilitetin britanik[34]. Thashë se këtu e dyzet ose pesëdhjetë vjet më parë çdo të huaji me kulturë, që vinte për të banuar në Angli, i bënte përshtypje të keqe ajo që atij duhej t'i dukej fanatizëm fetar ose ngushtësi e klasës së mesme të respektueshme angleze. Unë do të provoj tàni se klasa e mesme e respektueshme angleze e asaj kohe nuk ishte aspak aq e trashë sa i dukej intelektualit të huaj. Prirjet fetare të kësaj klase kanë shpjegimin e vet.

Kur Evropa doli nga mesjeta, klasa e mesme qytetare[35], që po ngjitej përpjetë, ishte elementi i saj revolucionar. Pozita që ajo i kishte siguruar vetes dhe që i ishte njohur në gjirin e rendit feudal mesjetar ishte bërë tepër e ngushtë për aftësinë e saj për t'u zgjeruar. Zhvillimi i klasës së mesme, i borgjezisë, nuk mund të pajtohej më me sistemin feudal, sistemi feudal duhej të binte.

Por qendra e madhe ndërkombëtare e sistemit feudal ishte kisha katolike romake. Me gjithë luftërat e brendshme, ajo bashkonte gjithë Evropën Perëndimore feudale në një të tërë politike të madhe, që ishte njëlloj në kundërshtim si me botën shizmatike[36] ortodokse greke, ashtu edhe me botën myslimane. Ajo e rrethoi rendin feudal me aureolën e bekimit hyjnor. Hierarkinë e vet ajo e vendosi sipas modelit feudal, dhe, më në fund, ajo ishte pronari më i madh feudal, sepse zotëronte jo më pak se një të tretën e të gjitha tokave të vendeve katolike. Para se t'i shpallej luftë feudalizmit shekullar në çdo vend të veçantë, duhej shkatërruar kjo organizatë e tij e shenjtë qendrore.

Por krahas me lulëzimin e borgjezisë përparonte me hapa vigane edhe zhvillimi i shkencës. Lulëzuan përsëri astronomia, mekanika, fizika, anatomia, fiziologjia. Për zhvillimin e industrisë së vet, borgjezia kishte nevojë për një shkencë, e cila të studjonte vetitë e trupave fizikë dhe format e shfaqjes së forcave të natyrës. Deri atëherë shkenca kishte qenë shërbëtorja e bindur e kishës, dhe asaj nuk i lejohej të dilte jashtë caqeve të caktuara nga feja: për këtë arsye ajo ishte çfarë të doni, por jo shkencë. Tani shkenca ngriti krye kundër kishës; borgjezia kishte nevojë për shkencën dhe mori pjesë në këtë kryengritje.

Unë preka kështu vetëm dy nga pikat, në të cilat borgjezia, që po rritej, duhej të vinte në kundërshtim me kishën ekzistuese. Por kjo do të jetë e mjaftueshme për të provuar, së pari, se në luftën kundër autoritetit të kishës katolike mori pjesë më shumë pikërisht kjo klasë — borgjezia; së dyti, se çdo luftë kundër feudalizmit duhej të merrte në atë kohë një pamje fetare, të drejtohej në radhë të parë kundër kishës. Po në qoftë se kushtrimi i luftës u lëshua nga universitetet dhe nga tregtarët e qyteteve, ai gjeti patjetër një jehonë të fortë në masat e popullsisë së fshatit, në fshatarët, të cilët bënin kudo një luftë të pamëshirshme kundër feudalëve të vet shpirtërorë dhe laikë, dhe kjo ishte një luftë për vetë ekzistencën.

Lufta e gjatë[37] e borgjezisë evropiane kundër feudalizmit arriti kulmin në tri beteja të mëdha vendimtare.

E para ka qenë e ashtuquajtura Reformë në Gjermani. Thirrjes së lëshuar nga Luteri për revoltë kundër kishës iu përgjigjën dy kryengritje politike: në fillim — ajo e fisnikërisë së ulët nën udhëheqjen e Franc fon Zikingenit (1523), dhe pastaj — lufta e madhe fshatare e vitit 1525. Të dyja këto kryengritje u shtypën kryesisht për shkak të pavendosmërisë së partisë më të interesuar, të borgjezisë qytetare, — pavendosmëri, në shkaqet e së cilës këtu nuk kemi mundësi të ndalemi. Qysh prej këtij çasti lufta u katandis në një grindje midis princërve të veçantë e pushtetit qendror[38] dhe pati si pasojë që për 200 vjet Gjermania u fshi nga lista e kombeve politikisht aktive të Evropës. Sidoqoftë, reforma luterane vendosi në Gjermani një fe të re — pikërisht atë fe që i nevojitej monarkisë absolute. Fshatarët e Gjermanisë Verilindore ende nuk ishin kthyer mirë në luteranizëm, kur u katandisën nga njerëz të lirë në builkrobër.

Por aty ku dështoi Luteri, fitoi Kalvini. Dogma e tij u përgjigjej kërkesave të pjesës më të guximshme të borgjezisë së asaj kohe. Teoria e tij e predestinimit ishte shprehja fetare e faktit se në botën e tregtisë dhe të konkurrencës suksesi ose dështimi nuk varen nga veprimtaria ose nga zotësia e personave të veçantë, por nga rrethana që nuk varen prej tyre. Nuk vendos vullneti ose veprimi i një njeriu të veçantë, por mëshira e forcave ekonomike të fuqishme, por të padukshme. Dhe kjo ka qenë veçanërisht e vërtetë në një kohë revolucioni ekonomik, kur të gjitha rrugët dhe qendrat e vjetra tregtare u zëvendësuan me rrugë dhe me qendra të reja, kur u zbuluan Amerika dhe India, kur bile edhe simboli më i shenjtë i besimit — vlera e arit dhe e argjendit — u trondit dhe u shemb. Veç asaj, organizimi kishtar i Kalvinit ishte fund e krye demokratik dhe republikan; dhe aty ku edhe mbretëria e qiejve ishte republikanizuar, a mund t'u qëndronin më mbretëritë e tokës besnike mbretërve, peshkopëve dhe feudalëve? Ndërsa luteranizmi u bë në Gjermani vegël e verbër në duart e princërve[39], kalvinizmi krijoi republikën në Holandë dhe parti të forta republikane në Angli dhe sidomos në Skoci.

Kryengritja e dytë e madhe e borgjezisë gjeti te kalvinizmi teorinë e vet luftarake të gatshme. Kjo kryengritje shpërtheu në Angli. Klasa e mesme e qyteteve i dha asaj shtytjen e parë, ndërsa jomenria[40] e krahinave bujqësore e çoi atë në fitore. Një fenomen origjinal: në të tria kryengritjet e mëdha të borgjezisë[41] ushtria që lufton janë fshatarët. Dhe pikërisht fshatarët janë ajo klasë, e cila pas fitores së korrur rrënohet në mënyrë të pashmangshme për shkak të pasojave ekonomike të kësaj fitoreje. Njëqind vjet pas Kromuellit jomenria angleze u zhduk pothuajse fare. Dhe vetëm e vetëm në saje të ndërhyrjes së kësaj jomenrie dhe të elementit plebe të qyteteve lufta u çua deri në fitore dhe Karli I përfundoi në eshafot, gjë që borgjezia nuk mund ta bënte kurrë[42]. Që borgjezia të mund të përfitonte qoftë edhe vetëm ato fryte të fitores që në atë kohë ishin pjekur plotësisht për t'u vjelur, revolucioni duhej çuar shumë përtej këtij qëllimi; krejt e njëjta gjë ndodhi me 1793 në Francë dhe me 1848 në Gjermani. Me sa duket, ky qenka me të vërtetë një nga ligjet e zhvillimit të shoqërisë borgjeze.

Pas gjithë kësaj veprimtarie revolucionare shpërtheu reaksioni i pashmangshëm, i cili nga ana e vet e kaloi atë pikë përtej së cilës ai vetë nuk mund të përmbahej më[43]. Pas shumë lëkundjesh, më në fund, u vendos një qendër e re graviteti, që shërbeu si pikënisje për zhvillimin e mëtejshëm. Periudha e mrekullueshme e historisë angleze, të cilën respektabiliteti[44] e ka pagëzuar «revoltë e madhe», dhe betejat që erdhën fill pas saj mbyllen me ngjarjen relativisht të parëndësishme të vitit 1689, të cilën historianët liberalë e quajnë «revolucion të lavdishëm»[45].

Pikënisja e re ishte një kompromis midis klasës së mesme[46], që po ngrihej, dhe ish-pronarëve të mëdhenj feudalë të tokave. Këta të fundit, që quheshin atëherë, si dhe tani, aristokraci, prej kohësh kishin hyrë në rrugën për t'u bërë, siç u bë Lui-Filipi në Francë, vetëm pas një kohe të gjatë: «borgjezë të parë të mbretërisë». Për fat të Anglisë, baronët e vjetër feudalë hëngrën kokën me njëri-tjetrin në luftërat midis Trëndafilit të Kuq dhe atij të Bardhë[47]. Trashëgimtarët e tyre, megjithëse në pjesën më të madhe ishin pinjoj të po këtyre familjeve të vjetra, rridhnin nga breza paralelë aq të largët, saqë përbënin një shtresë krejt të re. Zakonet dhe aspiratat e tyre ishin më shumë borgjeze se feudale. Ata ia dinin shumë mirë vlerën parasë dhe filluan menjëherë ta rrisnin shumë rentën e tokës, duke dëbuar nga toka qindra qiramarrës të vegjël dhe duke i zëvendësuar ata me dhen. Henriku VIII krijonte me shumicë lendlordë të rinj nga elementë të borgjezisë, duke shpërndarë dhe duke shitur me çmime qesharake çifliqet e kishës; po në këtë rezultat çuan edhe konfiskimet e çifliqeve të mëdha, që vazhduan pa ndërprerje deri në fund të shekullit XVII, të cilat pastaj u shpërndaheshin parvenyve ose gjysmëparvenyve. Prandaj «aristokracia» angleze qysh në kohën e Henrikut VII jo vetëm që nuk e pengoi zhvillimin e industrisë, por, përkundrazi, u përpoq që të nxirrte tërthorazi përfitime prej saj. Po kështu nuk mungoi kurrë edhe një pjesë pronarësh të mëdhenj të tokave, e cila për arsye ekonomike ose politike pranonte të bashkëpunonte me krerët e borgjezisë financiare dhe industriale. Në këtë mënyrë, kompromisi i vitit 1689 mundi të realizohej fare lehtë. Trofetë politike — postet, vendet e rehatshme dhe me rroga të majme[48] — u jepeshin familjeve të mëdha të fisnikërisë çifligare me kusht që ato të respektonin sa duhej interesat ekonomike të klasës financiare, industriale dhe të klasës së mesme tregtare. Dhe këto interesa ekonomike qysh në atë kohë ishin mjaft të fuqishme, dhe përcaktonin politikën e përgjithshme të kombit.

Natyrisht, kishte edhe mosmarrëveshje në lidhje me këtë ose atë çështje të veçantë, por oligarkia aristokrate e kuptonte fare mirë se lulëzimi ekonomik i saj ishte i lidhur ngushtë me lulëzimin e borgjezisë industriale dhe tregtare.

Qysh atëhere borgjezia u bë një pjesë modeste, por zyrtarisht e njohur, e klasave sunduese të Anglisë. Bashkë me të tjerët ajo ishte e interesuar për shtypjen e masave të mëdha punonjëse të popullit. Tregtari ose fabrikanti ishte ndaj çirakëve të vet, punëtorëve të vet, shërbëtorëve të vet në pozitën e pronarit që i ushqen, ose, siç shpreheshin pak kohë më parë në Angli, të «eprorit natyror». Ai kishte nevojë të shtrydhte prej tyre sa më shumë punë të një cilësie sa më të mirë, dhe për t'ia arritur këtij qëllimi ai duhej t'i edukonte ata me frymën e pëunjjësisë. Ai vetë ishte fetar; feja e tij i kishte dhënë flamurin, nën të cilin ai mundi mbretin dhe lordët. Shumë shpejt ai zbuloi në këtë fe edhe mjetin për të ndikuar mbi ndërgjegjen e vartësve të vet natyrorë dhe për t'i bërë të bindur ndaj urdhrave të pronarëve, të cilët vullneti i padiskutueshëm i zotit i kishte vënë përmbi ta. Me fjalë të tjera, borgjezi anglez qysh atëherë mori pjesë edhe ai në shtypjen e «shtresave të ulëta» — të masës së madhe prodhuese të popullit, — dhe një nga mjetet që përdoreshin për këtë qëllim ishte edhe ndikimi i fesë.

Por këtu u shtua edhe një rrethanë tjetër, e cila i forcoi prirjet fetare të borgjezisë: lulëzimi i materializmit në Angli. Kjo doktrinë e re[49] jo vetëm e tmerronte shtresën e mesme fetare, — por për më tepër ajo e shpallte veten si të vetmen filozofi që u përshtatej njerëzve të mësuar dhe të kulturuar, në kundërshtim me fenë, e cila ishte mjaft e mirë për masën e madhe të pakulturuar, duke përfshirë këtu edhe borgjezinë. Bashkë me Hobsin ajo u ngrit për të mbrojtur gjithëfuqinë mbretërore dhe e ftonte monarkinë absolute që ta bënte zap këtë puer robustus sed malitiosus[^p27*], d.m.th. popullin[50]. Po ashtu edhe te pasuesit e Hobsit — Bolingbroku, Sheftsberi etj. — forma e re deiste e materializmit mbeti si një teori ezoterikë[^p27**], aristokrate, dhe prandaj borgjezia e urrente materializmin jo vetëm për herezinë e tij fetare, por edhe për lidhjet e tij politike antiborgjeze. Ja pse, në kundërshtim me materializmin dhe me deizmin e aristokracisë, pikërisht sektet protestante, që kishin dhënë edhe flamurin edhe ushtarët për luftën kundër Stjuartëve, nxorën edhe forcat luftarake kryesore të klasës së mesme përparimtare dhe përbëjnë edhe sot ende bërthamën kryesore të «partisë së madhe liberale».

Ndërkaq materializmi u zhvendos nga Anglia në Francë, ku ai gjeti një shkollë filozofike materialiste të dytë, — një degë të kartezianizmit[51], me të cilën ai u shkri. Në fillim edhe në Francë ai mbeti një teori vetëm e vetëm aristokrate. Por shumë shpejt karakteri i tij revolucionar doli në shesh. Materialistët francezë nuk e kufizonin kritikën e vet vetëm në fushën e fesë: ata kritikonin çdo traditë shkencore, çdo institucion politik të kohës së vet. Për të provuar se teoria e tyre zbatohej në mënyrë universale, ata zgjodhën rrugën më të shkurtër: ata e zbatuan atë me guxim për gjithë objektet e diturisë në veprën e madhe, nga e cila rodhi edhe emri i tyre, në «Enciklopedinë». Kështu, në një formë ose në një tjetër, — si materializëm i hapët ose si deizëm, — materializmi u bë botëkuptimi i gjithë rinisë së kulturuar të Francës. Ndikimi i tij qe aq i fortë, saqë në kohën e revolucionit të madh kjo teori, që lindi nga ruajalistët anglezë, u dha republikanëve dhe terroristëve francezë flamurin teorik dhe tekstin për «Deklaratën e të drejtave të njeriut»[52] Revolucioni i madh francez ka qenë kryengritja e tretë e borgjezisë, por e para kryengritje që u zhvesh krejt nga rrobat fetare dhe në të cilën lufta u zhvillua haptazi në terren politik. Ajo ka qenë gjithashtu kryengritja e parë në të cilën lufta u çua me të vërtetë deri në fund, deri në zhdukjen e plotë të njërës nga palët luftuese, pikërisht të aristokracisë, dhe deri në fitoren e plotë të palës tjetër, pikërisht të borgjezisë. Në Angli vazhdimësia e institucioneve të kohës para revolucionit dhe pas revolucionit dhe kompromisi midis pronarëve të mëdhenj të tokës dhe kapitalistëve gjetën shprehjen e vet në vazhdimësinë e precedentëve gjyqësore, si dhe në ruajtjen dhe në nderimin e formave juridike feudale. Në Francë, përkundrazi, revolucioni u shkëput përfundimisht nga traditat e së kaluarës, zhduku gjurmët e fundit të feudalizmit dhe në Code civil[53] e përkëtë shprehje pothuajse të përsosur të marrëdhënieve juridike, që i përgjigjeshin asaj shkalle të zhvillimit ndaj kushteve kapitaliste të kohës, dhe e përshtati me mjeshtëri të drejtën e vjetër romake — shërben edhe sot në të gjitha vendet e tjera, pa përjashtuar as Anglinë, si model për reformat e së drejtës së pronës. Por këtu nuk duhet harruar një gjë. Në qoftë se e drejta angleze vazhdon t'i shprehë marrëdhëniet ekonomike të shoqërisë kapitaliste në një gjuhë barbare feudale, e cila përputhet me objektin që shpreh po aq sa përputhet ortografia angleze me shqiptimin anglez, — vous écrivez Londrës et vous prononcez Constantinople[54], siç ka thënë një francez, — nga ana tjetër, pikërisht kjo e drejtë angleze është e vetmja që ka ruajtur të paprishur gjatë shekujve, duke çuar në Amerikë dhe në kolonitë, pjesën më të mirë të asaj lirie personale, të asaj vetëqeverisjeje lokale dhe të asaj pavarësie nga çdo ndërhyrje e jashtme, përveç asaj gjyqësore, — me një fjalë, të atyre lirive të lashta gjermane, të cilat nën pushtetin e monarkive absolute në kontinent u zhdukën fare dhe deri më sot nuk janë rifituar plotësisht në asnjë vend.

Po le të kthehemi te borgjezi ynë britanik. Revolucioni francez i dha atij mundësinë e mrekullueshme që të shkatërronte me ndihmën e monarkive kontinentale tregtinë detare franceze, të pushtonte kolonitë franceze dhe të zhdukte pretendimet e fundit të francezëve për rivalitet detar. Kjo ka qenë një nga arsyet që e shtynë atë të luftonte kundër revolucionit. Arsyeja e dytë ka qenë se metodat e këtij revolucioni atij nuk i pëlqenin aspak, — nuk i pëlqente jo vetëm terrori i tij «kriminal», por bile as vetë orvatja për të çuar në ekstrem sundimin e borgjezisë. Dhe çfarë do të bënte borgjezi britanik pa aristokracinë e vet, e cila e mësonte të sillej (i mësonte mënyra sjelljeje të denja për mësuesin), krijonte modën, i jepte oficerë për ushtrinë, për këtë roje të rendit të brendshëm, dhe për flotën, e cila pushtonte koloni të reja dhe tregje të reja? Ç'është e vërteta, në radhët e borgjezisë kishte edhe një pakicë përparimtare — njerëz, interesat e të cilëve nuk kishin ndonjë përfitim të veçantë nga kompromisi. Kjo pakicë, që përbëhej kryesisht nga shtresat më pak kamëse të klasës së mesme, ushqente simpati për revolucionin, por në parlament ajo ishte e pafuqishme.

Kështu, sa më shumë që materializmi bëhej kredoja e revolucionit francez, aq më tepër borgjezi i përshpirtshëm anglez kapej pas fesë së vet. A nuk e tregoi koha e terrorit[55] në Paris se ç'ndodh kur populli e humbet fenë? Sa më shumë që materializmi përhapej nga Franca në vendet fqinje dhe përforcohej nga rrymat e afërta teorike, sidomos nga filozofia gjermane; sa më shumë që materializmi dhe përgjithësisht mendimi i lirë bëheshin në kontinent me të vërtetë tipari i domosdoshëm i njeriut me kulturë, aq më fort klasa e mesme angleze kapej pas besimeve të veta të ndryshme fetare. Sado i madh të ishte ndryshimi midis tyre, prapëseprapë të gjitha ato ishin besime të theksuara fetare, kristiane.

Ndërsa në Francë revolucioni siguroi triumfin politik të borgjezisë, në Angli Uati, Arkrajti, Kartrajti dhe të tjerë i dhanë shtytjen e parë revolucionit industrial, i cili e zhvendosi krejt qendrën e gravitetit të forcave ekonomike. Tani pasuria e borgjezisë filloi të rritej shumë më shpejt se pasuria e aristokracisë së tokës. Në radhët e vetë borgjezisë aristokracia financiare, bankierët etj. filluan të kalonin gjithnjë e më tepër në plan të fundit në krahasim me fabrikantët. Kompromisi i vitit 1689, edhe pas ndryshimeve që u bënë dalëngadalë në dobi të borgjezisë, nuk i përgjigjej më raportit të forcave të pjesëmarrësve të kësaj marrëveshjeje. Ndryshoi edhe karakteri i pjesëmarrësve: borgjezia e vitit 1830 ndryshonte shumë nga borgjezia e shekullit të mëparshëm. Pushteti politik, që kishte mbetur ende në duart e aristokracisë dhe të cilin ajo e kishte drejtuar kundër pretendimeve të borgjezisë së re industriale, nuk pajtohej më me interesat e reja ekonomike. Duhej rifilluar patjetër lufta kundër aristokracisë, dhe kjo luftë mund të përfundonte vetëm me fitoren e forcës së re ekonomike. Nën ndikimin e revolucionit francez të vitit 1830 u zbatua për herë të parë, me gjithë kundërshtimin që hasi, reforma parlamentare[56]. Kjo i siguroi borgjezisë një pozitë të fortë dhe të njohur nga të gjithë në parlament. Pastaj u bë heqja e ligjeve të drithit[57], e cila vendosi një herë e përgjithmonë epërsinë e borgjezisë, sidomos të pjesës më aktive të saj, të fabrikantëve, mbi aristokracinë e tokës. Kjo ka qenë fitorja më e madhe e borgjezisë, por njëkohësisht edhe fitorja e fundit që korri ajo krejtësisht për interesat e veta. Të gjitha fitoret e saj të mëvonshme ajo u detyrua t'i ndante me forcën e re shoqërore, e cila në fillim kishte vepruar në aleancë me të, por që më vonë u bë rivali i saj.

Revolucioni industrial krijoi klasën e fabrikantëve të mëdhenj kapitalistë, por njëkohësisht krijoi edhe klasën shumë më të madhe në numër të punëtorëve të fabrikave. Kjo klasë rritej vazhdimisht në numër krahas me revolucionin industrial që përfshinte njërën degë të prodhimit pas tjetrës, dhe në të njëjtin përpjesëtim rritej edhe fuqia e saj. Këtë fuqi ajo e tregoi që më 1824, kur e detyroi parlamentin, me gjithë kundërshtimin e tij, të shfuqizonte ligjet që ndalonin bashkimet e punëtorëve. Gjatë agjitacionit për reformën parlamentare punëtorët përbënin krahun radikal të partisë së reformës; kur ligji i vitit 1832 i përjashtoi nga e drejta e votës, ata i formuluan kërkesat e veta në Kartën e Popullit dhe, në kundërshtim me partinë e madhe borgjeze kundër ligjeve të drithit, u organizuan në një parti të pavarur, në partinë e çartistëve, e cila ishte partia e parë punëtore e kohëve moderne.

Pastaj erdhën revolucionet e shkurtit dhe të marsit 1848 në kontinent, në të cilat punëtorët luajtën një rol kaq të rëndësishëm dhe, të paktën në Paris, shtruan kërkesa që nga pikëpamja e shoqërisë kapitaliste ishin me siguri të papranueshme. Dhe pastaj erdhi reagimi i përgjithshëm. Në fillim disfata e çartistëve më 10 prill 1848, pastaj shtypja e kryengritjes së punëtorëve të Parisit në qershor të po atij viti, pastaj fatkeqësitë e vitit 1849 në Itali, në Hungari, në Gjermaninë Jugore dhe, më në fund, fitorja e Luigj Bonapartit mbi Parisin më 2 dhjetor 1851. Të paktën për njëfarë kohe gogoli i pretendimeve të klasës punëtore u zhduk, por me çfarë çmimi! Nëse borgjezi britanik besonte që më parë se duhej ta mbante popullin e thjeshtë fetar, këto përvoja duhet ta kenë bindur edhe më tej. Pa u shqetësuar nga talljet e shokëve të tij të kontinentit, ai vazhdoi të shpenzonte vit për vit mijëra e dhjetëra mijëra për ungjillëzimin e shtresave të ulëta; duke mos u kënaqur me makinerinë e vet fetare vendase, ai iu drejtua Vëllait Xhonatan[58], organizatorit më të madh që ka ekzistuar ndonjëherë i fesë si zanat, dhe importoi nga Amerika revivalizmin, Mudin dhe Senkin e të tjerë si këta; dhe, më në fund, ai pranoi ndihmën e rrezikshme të Ushtrisë së Shpëtimit, e cila ringjall propagandën e krishterimit të hershëm, u drejtohet të varfërve si të zgjedhurve të zotit, lufton kapitalizmin me mënyra fetare dhe kështu ushqen një element të antagonizmit klasor të krishterimit të hershëm, i cili një ditë mund t'u shkaktojë telashe njerëzve të kamur që tani e financojnë.

Duket se është një ligj i zhvillimit historik që në asnjë vend të Evropës borgjezia nuk mund ta shtjerë në dorë pushtetin politik — të paktën për një kohë të gjatë — në atë mënyrë ekskluzive si e mbajti atë aristokracia feudale gjatë mesjetës. Edhe në Francë, ku feudalizmi u shua krejtësisht, borgjezia si e tërë e ka pasur në zotërim të plotë qeverinë vetëm për periudha shumë të shkurtra. Gjatë mbretërimit të Luigj Filipit, 1830-1848, mbretërinë e sundonte një pjesë shumë e vogël e borgjezisë; pjesa shumë më e madhe ishte përjashtuar nga e drejta e votës për shkak të cenzit të lartë pasuror. Në kohën e Republikës së Dytë, 1848-1851, sundoi e gjithë borgjezia, por vetëm tre vjet; paaftësia e saj solli Perandorinë e Dytë. Vetëm tani, në Republikën e Tretë, borgjezia si e tërë e ka mbajtur timonin në dorë për më shumë se 20 vjet, dhe ajo po tregon qysh tani shenja të gjalla dekadence. Një sundim i qëndrueshëm i borgjezisë ka qenë i mundshëm vetëm në të tilla vende si Amerika, ku nuk ka pasur kurrë feudalizëm dhe ku shoqëria është krijuar që në fillim mbi baza borgjeze. Edhe në Francë e në Amerikë po trokasin qysh tani me forcë në derë trashëgimtarët e borgjezisë — punëtorët.

Në Angli borgjezia nuk e ka pasur kurrë pushtetin vetëm. Edhe fitorja e saj më 1832[56:1] la në duart e aristokracisë pothuajse zotërimin e plotë të të gjitha posteve të larta qeveritare. Serviliteti, me të cilën klasa e mesme e pasur e pranoi këtë gjë, për mua kishte mbetur i pakuptueshëm deri ditën që një fabrikant i madh liberal, U.E. Forsteri, mbajti një fjalim përpara rinisë së Bradfordit, duke iu lutur që për të mirën e saj ajo të mësonte frëngjishten. Ai tregoi se sa keq e ndjeu veten kur, pasi u bë ministër, u ndodh menjëherë në një shoqëri ku frëngjishtja ishte të paktën po aq e domosdoshme sa anglishtja. Dhe me të vërtetë, borgjezët anglezë të asaj kohe ishin, zakonisht, parveny pa kurrfarë kulture, të cilëve, me dashje ose pa dashje, u duhej t'ia linin aristokracisë të gjitha postet më të larta qeveritare, ku nevojiteshin cilësi të tjera e jo ngushtësia ishullore dhe mendjemadhësia ishullore të zbukuruara nga shkathtësia tregtare[59]. Edhe sot e kësaj dite diskutimet e pafund, që bëhen në gazetat mbi temën e edukimit borgjez [«middle class education»], tregojnë se klasa e mesme angleze vazhdon ende ta quajë veten të papërgatitur për një edukim më të mirë dhe kërkon diçka më modeste. Prandaj dukej si gjë krejt e natyrshme që edhe pas heqjes së ligjeve të drithit njerëzit që kishin ditur të arrinin këtë fitore, këta Kobdenë, Brajtë, Forsterë etj., u gjendën të mënjanuar nga çdo pjesëmarrje në qeverinë e vendit, derisa njëzet vjet më vonë reforma e re parlamentare[60] u hapi, më në fund, dyert e kabinetit të ministrave. Edhe sot e kësaj dite borgjezia angleze e ka aq të theksuar vetëdijen e inferioritetit të vet shoqëror, saqë ajo me paratë e veta dhe të popullit mban një kastë dekorative parazitësh, e cila në të gjitha rastet solemne duhet të përfaqësojë në mënyrë të denjë kombin, dhe bile borgjezët e kanë për nder shumë të madh kur ndonjëri prej tyre quhet i denjë për t'u pranuar në këtë korporatë të privilegjuar, të cilën, në fund të fundit, e ka fabrikuar vetë borgjezia.

Kështu, klasa e mesme industriale dhe tregtare ende nuk kishte arritur të largonte përfundimisht aristokracinë e tokës nga pushteti politik kur në arenën e historisë doli një konkurrues i ri, klasa punëtore.

Reaksioni që shpërtheu pas lëvizjes çartiste dhe revolucioneve në kontinent, si dhe lulëzimi i pashembullt i industrisë angleze që nga viti 1848 deri në vitin 1866 (zakonisht këtë lulëzim e shpjegojnë vetëm me ndikimin e tregtisë së lirë, por në të vërtetë ai i detyrohet shumë më tepër zhvillimit shumë të madh të hekurudhave, të anijeve oqeanike dhe në përgjithësi të mjeteve të komunikacionit) i vunë përsëri punëtorët nën varësinë e partisë liberale, në të cilën ata, si dhe para lëvizjes çartiste, përbënin krahun radikal. Po dalëngadalë kërkesat e punëtorëve për të gëzuar të drejtën e votës u bënë të pakundërshtueshme. Ndërsa vigët[61], që ishin në krye të liberalëve, vazhdonin ende të kishin frikë, Dizraeli tregoi epërsinë e vet; duke shfrytëzuar çastin e favorshëm për toritë[62], ai vuri në zbatim në rrethet elektorale të qyteteve ligjin mbi të drejtën e votës për çdo qiramarrës shtëpie [household suffrage][63] dhe njëkohësisht bëri ndryshimin e rretheve elektorale. Pas kësaj u vendos votimi i fshehtë, pastaj, më 1884, e drejta e votës për qiramarrësit e shtëpive u përhap në distriktet dhe u bë një ndarje e re e rretheve elektorale, e cila deri diku solli një barazim të tyre[57:1]. Të gjitha këto masa e forcuan aq shumë klasën punëtore në zgjedhjet, saqë tani punëtorët përbëjnë shumicën e zgjedhësve në 150-200 rrethe elektorale.

Por nuk ka shkollë më të mirë për të mësuar si nderohen traditat se sa sistemi parlamentar! Në qoftë se klasa e mesme i kishte drejtuar sytë me admirim dhe me veneracion nga grupi që lordi Xhon Maners e quante me shaka «fisnikëria jonë e vjetër», edhe masa punëtore shikonte në atë kohë me respekt dhe me nderim atë që në atë kohë quhej «klasë më e mirë», borgjezinë. Dhe me të vërtetë, pesëmbëdhjetë vjet më parë punëtori britanik ka qenë punëtor shembullor dhe respekti i madh që ai kishte për pozitën e punëdhënësit të tij, vetëpërmbajtja dhe pëunjesia që ai tregonte në ato raste kur kërkonte të drejtat e veta, ishin melhem për plagët që u shkaktonin ekonomistëve tanë gjermanë të shkollës së socialistëve të katedrës[64] tendencat e pandreqshme komuniste dhe revolucionare të bashkatdhetarëve të tyre — punëtorëve gjermanë.

Por klasa e mesme angleze ishte më largpamëse se profesorët gjermanë, ajo përbëhej prej afaristësh më të mirë se ata. Vetëm nën presionin e rrethanave ata e ndanin pushtetin e vet me punëtorët. Në kohën e lëvizjes çartiste ata mësuan të kuptonin se çfarë është në gjendje të bëjë populli, ky puer robustus sed malitiosus. Qysh në atë kohë me dashje ose pa dashje borgjezia u detyrua të pranonte një pjesë të madhe të kërkesave të Kartës së Popullit, dhe ato u bënë ligj i mbretërisë së bashkuar. Tani, më shumë se kurrë, kishte rëndësi që populli të mbahej nën fre me mjete morale. Mjeti i parë më i rëndësishëm për të ndikuar mbi masat mbetej përsëri feja. Së këtejmi lind ndërhyrja klerikale në administratat shkollore, së këtejmi lind vetëzatimi gjithnjë e më i madh i borgjezisë për të përkrahur lloj-lloj revivalizmi[65], duke filluar që nga ritualizmi[66] deri te «Ushtria e shpëtimit».

Dhe tani erdhi triumfi i respektabilitetit britanik[67] mbi mendimin e lirë dhe mbi indiferentizmin fetar të borgjezit kontinental. Punëtorët francezë dhe gjermanë u pushtuan nga fryma e revoltës. Ata ishin infektuar që të gjithë nga socializmi si nga një epidemi dhe, veç asaj, për arsye mjaft të shëndosha, nuk e vrisnin shumë mendjen që të respektonin ligjshmërinë në zgjedhjen e mjeteve për të marrë pushtetin. Ky puer robustus po bëhej me të vërtetë çdo ditë më malitiosus. Borgjezisë franceze dhe gjermane i mbetej vetëm një mjet i fundit: ta flakte në heshtje mendimin e vet të lirë, ashtu si ai çunaku që e ndien se po e zë sa vjen e më shumë deti dhe, pa e parë të tjerët, flak cigaren e ndezur, me të cilën kapardisej nëpër anije. Njëri pas tjetrit ata që e kishin sharë perëndinë filluan të merrnin një pamje të përshpirtshme, të flisnin me nderim për kishën, për doktrinën dhe për ritet e saj dhe filluan t'i ushtronin edhe vetë sa herë që nuk mund t'u shmangeshin. Borgjezët francezë mbanin maigre[68] të premteve, ndërsa borgjezët gjermanë rrinin si budallenj me orë të tëra nëpër vendet e tyre në kishë, duke dëgjuar predikimet e pafund protestante. Borgjezët gjetën belanë me materializmin e tyre. «Die Religion muss dem Volk erhalten Werden» — «Feja duhet të ruhet për popullin» — ky është mjeti i fundit dhe i vetmi për ta shpëtuar shoqërinë nga zhdukja e plotë. Për fatin e tyre të keq, ata e zbuluan këtë vetëm pasi nga ana e tyre kishin bërë ç'ishte e mundur për ta zhdukur një herë e përgjithmonë fenë. Dhe atëherë i erdhi radha borgjezit britanik të qeshte me ta dhe t'u thërriste: «Budallenj, këtë unë mund t'jua kisha thënë edhe dyqind vjet më parë!»

Po kam frikë se as budallallëku fetar i borgjezit britanik as të kthyerit e borgjezit kontinental, që u bë post festum[69], nuk do të mund ta përmbajnë vërshimin proletar, që po ngrihet dita-ditës më lart. Tradita është një pengesë e madhe, është vis inertiae[70] në histori. Por ajo është vetëm pasive dhe prandaj duhet të zhduket. Prandaj as feja nuk mund të shërbejë për një kohë të gjatë si mburojë e shoqërisë kapitaliste. Në qoftë se idetë tona juridike, filozofike dhe fetare janë produkte pak a shumë të afërta ose të largëta të marrëdhënieve ekonomike që sundojnë në një shoqëri të caktuar, këto ide nuk mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë, pasi të jenë ndryshuar rrënjësisht marrëdhëniet ekonomike. Ose ne duhet të besojmë në zbulesën hyjnore, ose të pranojmë se asnjë dogmë fetare nuk është në gjendje ta shpëtojë një shoqëri që po shembet.

Dhe me të vërtetë, edhe në Angli punëtorët janë vënë përsëri në lëvizje. Pa dyshim, ata janë të ndrydhur nga tradita të ndryshme. Në radhë të parë, nga traditat borgjeze: kështu, për shembull, nga paragjykimi shumë i përhapur se gjoja mund të ketë vetëm dy parti, partia konservatore dhe partia liberale, dhe se gjoja klasa punëtore duhet të luftojë për çlirimin e vet me ndihmën e partisë së fuqishme liberale. Pastaj — nga traditat e punëtorëve, të trashëguara që nga koha e orvatjeve të para të pasigurta të veprimeve të pavarura të klasës punëtore: një traditë e tillë në shumë tredunione të vjetra është përjashtimi i të gjithë punëtorëve që nuk kanë bërë një stazh të rregullt si nxënës, kjo do të thotë vetëm se çdo bashkim profesional i tillë i pregatit vetë grevëthyesit e vet. Por, megjithatë, klasa punëtore angleze po ecën përpara, siç u detyrua t'ua njoftonte këtë me pikëllim vëllezërve të vet socialistë të katedrës vetë z. profesor Brentano[71]. Klasa punëtore po lëviz — si çdo gjë në Angli — me hap të ngadalshëm, të matur, herë duke u lëkundur, herë duke bërë symbyllas orvatje të pasigurta, disa herë edhe të pafrytshme. Vende-vende ajo lëviz me një mosbesim të tepruar për fjalën «socializëm», duke përvetësuar dalëngadalë thelbin e tij. Ajo lëviz, dhe lëvizja e saj po përfshin njërën pas tjetrës shtresat e punëtorëve. Tani ajo ka zgjuar nga gjumi i rëndë punëtorët e pamësuar të Ist-Endit londinez, dhe ne e pamë se çfarë shtytjeje të mrekullueshme i dhanë nga ana e vet klasës punëtore këto forca të reja. Dhe në qoftë se kjo lëvizje nuk është aq e shpejtë sa ç'mund të duan këta ose ata kritikë që s'kanë durim, këta kritikë le të mos harrojnë se pikërisht klasa punëtore është ruajtësja e tipareve më të mira të karakterit kombëtar anglez dhe se në Angli çdo hap përpara, pasi të jetë bërë, nuk do të shkojë kurrë kot. Në qoftë se bijtë e çartistëve të vjetër, për arsyet që përmendëm më lart, nuk kanë qenë pikërisht të tillë, siç mund të pritej, ka shumë të ngjarë që nipërit të jenë pasardhës të denjë të gjyshërve të vet.

Por fitorja e klasës punëtore evropiane nuk varet vetëm nga Anglia. Ajo mund të sigurohet vetëm me përpjekjet e përbashkëta, të paktën, të Anglisë, të Francës dhe të Gjermanisë. Në të dyja këto vendet e fundit lëvizja punëtore ka shkuar shumë më përpara se në Angli. Në Gjermani mund të caktohet edhe koha se kur do të triumfojë. Sukseset që ka korrur aty lëvizja punëtore gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit janë të pashoqe. Ajo po shkon përpara me shpejtësi gjithnjë më të madhe. Ndërsa borgjezia gjermane ka treguar varfërinë e vet të vajtueshme dhe mungesën e aftësisë politike, të disiplinës, të vendosmërisë, të energjisë, përkundrazi, klasa punëtore gjermane ka treguar se ajo i ka në masën e duhur të gjitha këto cilësi. Rreth katërqind vjet më parë Gjermania ka qenë pikënisja e kryengritjes së parë të madhe të borgjezisë evropiane; në qoftë se gjykojmë sipas gjendjes së sotme, vallë a nuk ka mundësi që Gjermania të bëhet gjithashtu fushë e fitores së parë të madhe të proletariatit evropian?

20 prill 1892

Fridrih Engels
Doli për herë të parë në botimin anglisht të veprës së Engelsit «Zhvillimi i socializmit nga utopia në shkencë», që doli në Londër më 1892. Njëkohësisht u botua gjermanisht në revistën «Neue Zeit» të vjetëve 1892-1893

Zhvillimi i Socializmit nga Utopia në Shkencë

I

Socializmi i sotëm nga përmbajtja e vet është, para së gjithash, rezultat i studimit, nga njëra anë, të kontrasteve klasore që sundojnë në shoqërinë e sotme midis të pasurve dhe të varfërve, midis kapitalistëve dhe punëtorëve me mëditje, dhe, nga ana tjetër — të anarkisë që mbretëron në prodhim. Por nga forma teorike e vet ai paraqitet në fillim vetëm si një zhvillim i mëtejshëm dhe më konsekuent i parimeve të formuluara nga iluministët e mëdhenj francezë të shekullit XVIII. Si çdo teori e re, socializmit iu desh të nisej, para së gjithash, nga materiali ideologjik që ishte grumbulluar para tij, megjithëse ai kishte rrënjë të thella në faktet ekonomike materiale.

Njerëzit e mëdhenj, që ndriçuan në Francë mendjen e të tjerëve për revolucionin që po afrohej, edhe vetë vepronin në mënyrë shumë revolucionare. Ata nuk pranonin asnjë autoritet të jashtëm të çfarëdo lloji. Feja, kuptimi i natyrës, shoqëria, rendi shtetëror — të gjitha këto u kritikuan pa asnjë mëshirë, çdo gjë duhej të paraqitej përpara gjyqit të arsyes dhe ose të përligjte ekzistencën e vet, ose të hiqej dorë prej saj. Arsyeja, që mendon, u bë i vetmi kriter për të çmuar çdo gjë që ekzistonte. Kjo ndodhte në atë kohë kur, sipas shprehjes së Hegelit, bota ishte vënë me kokë poshtë[72], në fillim në kuptimin se koka e njeriut dhe parimet që kishte zbuluar ajo me anën e të menduarit kërkonin që ato të njiheshin si bazë e të gjitha veprimeve njerëzore dhe e marrëdhënieve shoqërore, dhe pastaj edhe në kuptimin më të gjerë se realiteti, që ishte në kundërshtim me këto parime, në fakt qe përmbysur fund e krye. Të gjitha format e mëparshme të shoqërisë dhe të shtetit, të gjitha idetë tradicionale u quajtën të paarsyeshme dhe u flakën si lecka të vjetra; deri atëherë bota ishte udhëhequr vetëm nga paragjykimet dhe gjithë e kaluara e saj meritonte vetëm të vajtohej dhe të përbuzej. Tani për të parën herë lindi dielli, erdhi mbretëria e arsyes, dhe tani e tutje besëtytnia, padrejtësia, privilegjet dhe shtypja duhet t'ia lëshojnë vendin së vërtetës së amshuar, drejtësisë së amshuar, barazisë, që buron nga vetë natyra, dhe të drejtave të pamohueshme të njeriut.

Ne tani e dimë se kjo mbretëria e arsyes nuk ka qenë gjë tjetër veçse mbretëria e idealizuar e borgjezisë, se drejtësia e amshuar gjeti realizimin e vet në drejtësinë borgjeze, se barazia u shpreh në barazinë civile përpara ligjit dhe një nga të drejtat më kryesore të njeriut u shpall... prona borgjeze. Shteti i arsyes, — kontrata shoqërore e Rusoit[73], — ishte dhe mund të ishte në praktikë vetëm republika demokratike borgjeze. Mendimtarët e mëdhenj të shekullit XVIII, ashtu si edhe gjithë paraardhësit e tyre, nuk ishin në gjendje të dilnin nga caqet që u vinte vetë epoka e tyre.

Po krahas kontrastit midis fisnikërisë feudale dhe borgjezisë, që paraqitej si përfaqësuese e gjithë pjesës tjetër të shoqërisë, ekzistonte kontrasti i përgjithshëm midis shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve, midis parazitëve të pasur dhe të varfërve që punonin. Pikërisht kjo rrethanë u dha mundësi përfaqësuesve të borgjezisë që të paraqiteshin jo si përfaqësues të ndonjë klase të veçantë, por si përfaqësues të gjithë njerëzimit që vuante. Borgjezia, që në çastin kur lindi, ishte mbarsur me të kundërtën e vet: kapitalistët nuk mund të ekzistojnë pa punëtorë me mëditje, dhe po ashtu, sikundër mjeshtri i esnafeve mesjetare u zhvillua dhe u bë borgjezi i sotëm, çiraku i esnafeve dhe mëditësi, që punonte jashtë esnafeve, u shndërruan në proletarë. Dhe megjithëse në përgjithësi borgjezia në luftën kundër fisnikërisë kishte deri diku të drejtë ta quante veten edhe përfaqësuese të interesave të klasave të ndryshme punonjëse të asaj kohe, prapëseprapë me rastin e çdo lëvizjeje të madhe borgjeze shpërthenin lëvizje të pavarura të klasës, që ishte paraardhësja pak a shumë e zhvilluar e proletariatit të sotëm. Kështu kemi lëvizjen e anababtistëve[74] dhe të Tomas Myncerit në kohën e Reformës dhe të Luftës fshatare në Gjermani, levelerët[75] — në kohën e revolucionit të madh anglez, Babëfin — në kohën e revolucionit të madh francez. Këtyre veprimeve revolucionare të armatosura të një klase që nuk ishte pjekur ende u përgjigjeshin edhe mendimet teorike përkatëse; të tilla janë në shekujt XVI dhe XVII përfytyrimet utopike të një rendi shoqëror ideal[76] dhe në shekullin XVIII — teoritë drejtpërdrejt komuniste (Moreli dhe Mabli). Kërkesa për barazi nuk kufizohej më vetëm me fushën e të drejtave politike, por shtrihej edhe mbi gjendjen shoqërore të çdo individi të veçantë; provohej se ishte e domosdoshme të zhdukeshin jo vetëm privilegjet e klasës, por edhe vetë dallimet klasore. Komunizmi i ashpër asketik, i tipit spartan, që e ndalonte njeriun të nxirrte çdo kënaqësi nga jeta, ishte forma e parë në të cilën u shfaq teoria e re. Pastaj erdhën tre utopistët e mëdhenj: Sen-Simoni, te i cili krahas tendencës proletare ndjehej ende deri diku ndikimi i tendencës borgjeze, Furjeja dhe Oueni, i cili në vendin ku prodhimi kapitalist kishte arritur zhvillimin më të madh dhe nën ndikimin e kontrasteve të lindura prej tij hartoi një varg projektesh për të zhdukur dallimet klasore në formën e një sistemi, që lidhej drejtpërsëdrejti me materializmin francez.

Karakteristikë e përbashkët për të tre këta është se ata nuk paraqiten si përfaqësues të interesave të proletariatit, i cili historikisht kishte lindur në atë kohë. Si edhe iluministët ata duan të çlirojnë menjëherë gjithë njerëzimin, dhe jo ndonjë klasë shoqërore të caktuar në radhë të parë. Edhe ata si iluministët duan të vendosin mbretërinë e arsyes dhe të drejtësisë së amshuar, por mbretëria e tyre ndryshon nga mbretëria e arsyes e iluministëve si qielli me tokën. Bota borgjeze, e ndërtuar sipas parimeve të këtyre iluministëve, është po aq e paarsyeshme dhe e padrejtë si feudalizmi dhe si të gjitha sistemet shoqërore të mëparshme dhe prandaj duhet po ashtu të flaket në plehra. Arsyeja e vërtetë dhe drejtësia e vërtetë nuk kanë sunduar deri më sot në botë vetëm sepse ato nuk ishin njohur ende si duhet. Është puna se mungonte njeriu gjenial, që lindi tani dhe e njohu të vërtetën. Që ai të ketë lindur tani, që e vërteta të jetë njohur pikërisht tani, — ky nuk është aspak një rezultat i domosdoshëm i procesit të përgjithshëm të zhvillimit historik, nuk është një ngjarje e pashmangshme, por vetëm një rast i lumtur. Ky njeri gjenial mund të kishte lindur fare mirë pesëqind vjet më parë dhe atëherë ai do ta kishte shpëtuar njerëzimin nga pesë shekuj gabimesh, luftërash dhe vuajtjesh.

Pamë se si filozofët francezë të shekullit XVIII, që përgatisnin revolucionin, i bënin thirrje arsyes, si i vetmi gjykatës i çdo gjëje ekzistuese. Ata kërkonin vendosjen e një shteti të arsyeshëm, të një shoqërie të arsyeshme, kërkonin të zhdukej pa mëshirë çdo gjë që është në kundërshtim me arsyen e amshuar. Pamë gjithashtu se kjo arsye e amshuar në të vërtetë ishte vetëm gjykimi i idealizuar i byrgerit të mesëm, i cili pikërisht në atë kohë po bëhej borgjez. Dhe atëherë kur revolucioni francez e bëri realitet këtë shoqëri të arsyes dhe këtë shtet të arsyes u duk se institucionet e reja, me gjithë karakterin e vet racional në krahasim me rendin e mëparshëm, nuk ishin aspak të arsyeshme. Shteti i arsyes dështoi plotësisht. Kontrata shoqërore e Rusoit e gjeti realizimin e vet në kohën e terrorit[77], nga i cili borgjezia, që e kishte humbur besimin në aftësinë e vet politike, kërkoi të gjente shpëtim në fillim në korrupsionin e Direktoratit[78], dhe më në fund nën hijen e despotizmit të Napoleonit. Paqja e amshuar, që ishte premtuar, u shndërrua në një varg të pafund luftërash pushtuese. Nuk i eci më mirë fati as shoqërisë së arsyes. Kundërtia midis të pasurve dhe të varfërve, në vend që të zgjidhej në të mirën e përgjithshme, u acarua edhe më tepër, ngaqë u hoqën privilegjet e esnafeve dhe privilegjet e tjera, që kishin shërbyer si një lloj ure mbi këtë kundërti, si dhe ngaqë u prishën institucionet bamirëse kishtare, të cilat e zbusnin atë deri diku. «Çlirimi i pronës» nga vargonjtë feudalë, që tani ishte bërë realitet, për borgjezin e vogël dhe për fshatarin donte të thoshte liri për t'ua shitur këtë pronë të vogël, të shtypur nga konkurrenca e fuqishme e kapitalit të madh dhe e pronës së madhe të tokës, pikërisht këtyre magnatëve; ky «çlirim» u shndërrua, kështu, për borgjezët e vegjël dhe për fshatarët në çlirim nga prona. Zhvillimi i shpejtë i industrisë në baza kapitaliste i bëri varfërinë dhe vuajtjet e masave punonjëse kusht të domosdoshëm për ekzistencën e shoqërisë. Të paguarit me para në dorë bëhej gjithnjë më shumë, sipas shprehjes së Karlejlit, i vetmi element ndërlidhës i kësaj shoqërie. Numri i krimeve shtohej çdo vit. Në qoftë se veset feudale, të cilat më parë ekspozoheshin paturpësisht përpara gjithë botës, megjithëse nuk ishin zhdukur fare, por sidoqoftë kishin kaluar hëpërhë në plan të fundit, lulëzonin në vend të tyre edhe më të harlisura veset borgjeze, të cilat më parë shfaqeshin vetëm fshehurazi. Tregtia po shndërrohej gjithnjë më shumë në mashtrim. «Vëllazërimi» i shpallur në devizën revolucionare[79] gjeti realizimin e vet në mashtrimet dhe në smirin që pjell konkurrenca. Vendin e shtypjes me dhunë e zuri korruptimi, dhe në vend të shpatës leva kryesore e pushtetit shoqëror u bë paraja. E drejta e natës së parë kaloi nga feudalët te fabrikantët borgjezë. Prostitucioni mori përpjesëtime të padëgjuara, madje edhe vetë martesa mbeti, sikurse edhe më parë, një formë prostitucioni e njohur me ligj, një maskë zyrtare e tij, duke u plotësuar, veç kësaj, me shkelje të shumta të kurorës. Me një fjalë, u pa se institucionet shoqërore dhe politike, të vendosura nga «fitorja e arsyes», qenë një karikaturë e keqe e premtimeve të shkëlqyera të iluministëve, që shkaktonte një zhgënjim të hidhur. Mungonin vetëm njerëzit e aftë për ta konstatuar këtë zhgënjim, dhe këta njerëz erdhën me fillimin e shekullit të ri. Më 1802 dualën «Letrat nga Gjeneva» të Sen-Simonit; më 1808 doli vepra e parë e Furjesë, ndonëse themelet e teorisë së tij ishin hedhur qysh më 1799; më 1 janar 1800 Robert Oueni mori përsipër drejtimin e Nju-Lanarkut[80].

Por në këtë kohë mënyra kapitaliste e prodhimit, dhe bashkë me të edhe antagonizmi midis borgjezisë dhe proletariatit ishin ende shumë të pazhvilluara. Industria e madhe, që sapo kishte lindur në Angli, në Francë ishte ende e panjohur. Mirëpo vetëm industria e madhe zhvillon, nga njëra anë, konfliktet, që e bëjnë të domosdoshme dhe të pashmangshme një përmbysje në mënyrën e prodhimit, zhdukjen e karakterit kapitalist të saj, — konfliktet jo vetëm midis klasave që ka krijuar kjo industri e madhe, por edhe midis forcave prodhuese dhe formave të këmbimit që ajo ka lindur; nga ana tjetër, kjo industri e madhe, pikërisht me zhvillimin shumë të madh të forcave prodhuese, krijon edhe mjetet për zgjidhjen e këtyre konflikteve. Në qoftë, pra, se aty nga viti 1800 konfliktet që sjell rendi i ri shoqëror ishin ende në lindje e sipër, shumë më të pazhvilluara ishin në këtë kohë mjetet për zgjidhjen e tyre. Ndonëse në kohën e terrorit masat e varfra të Parisit e muarën për një çast pushtetin dhe mundën kështu ta çonin në fitore revolucionin borgjez kundër vetë borgjezisë, me këtë ato provuan vetëm se sa e pamundshme ishte që këto masa të sundonin për një kohë të gjatë në kushtet e marrëdhënieve të atëhershme. Proletariati, që sapo ishte shkëputur nga masa e përgjithshme e të varfërve si embrion i një klase të re, ende krejt të paaftë për veprim politik të pavarur, dukej vetëm si një shtresë e shtypur e vuajtur, e cila, duke mos qenë e zonja të ndihmonte vetveten, mund të ndihmohej në rastin më të mirë nga jashtë, nga lart.

Kjo gjendje historike përcaktoi edhe pikëpamjet e themeluesve të socializmit. Papjekurisë së prodhimit kapitalist, papjekurisë së marrëdhënieve klasore u përgjigjej edhe papjekuria e teorive. Zgjidhja e problemeve shoqërore, që qëndronte ende e fshehur në marrëdhëniet ekonomike të pazhvilluara, u desh të shpikej nga mendja. Rendi shoqëror paraqiste vetëm të meta; zhdukja e tyre ishte detyrë e arsyes, që mendon. U desh të shpikej një sistem i ri, më i përsosur organizimi shoqëror dhe ky sistem t'i imponohej shoqërisë ekzistuese nga jashtë me anë të propagandës dhe mundësisht edhe me shembuj demonstrativë. Këto sisteme të reja sociale ishin të dënuara qysh më parë të mbeteshin utopi, dhe sa më shumë që ato përpunoheshin në të gjitha hollësitë, aq më tepër duhej të përfundonin në fushën e fantazisë së kulluar.

Pasi e sqaruam këtë, nuk do të ndalemi më për asnjë çast në këtë anë të çështjes, e cila tani i përket kryekëput së kaluarës. Le t'ua lëmë librashitësve që të merren sipas qejfit me këto fantazi, që sot na duken vetëm si gjëra zbavitëse, dhe të admirojnë mprehtësinë e mendjes së vet në krahasim me «marrëzitë» e këtij lloji. Neve na gëzojnë shumë më tepër embrionet e ideve gjeniale dhe mendimet gjeniale, që po çajnë kudo mbulesën fantastike dhe që këta filistej nuk i shohin.

Sen-Simoni ishte bir i revolucionit të madh francez, në fillim të të cilit ai nuk ishte as tridhjetë vjeç. Revolucioni ishte fitorja e rendit të tretë, d.m.th. e shumicës së kombit, që merrej me prodhim dhe me tregti, mbi rendet parazite të privilegjuara deri në atë kohë — mbi fisnikët dhe mbi klerin. Por shpejt u pa se fitorja e rendit të tretë nuk ishte veçse fitorja e një pjese të vogël të këtij rendi: kjo fitore u kufizua me marrjen e pushtetit politik nga ana e shtresës sociale të privilegjuar të rendit të tretë — e borgjezisë së pasur. Përveç kësaj, kjo borgjezi u zhvillua shpejt gjatë vetë procesit të revolucionit, nga njëra anë, duke bërë spekulime me tokat e fisnikëve dhe të kishës, të cilat në fillim u konfiskuan dhe pastaj u shitën dhe, nga ana tjetër, — duke e mashtruar kombin me furnizimet ushtarake. Qe pikërisht sundimi i këtyre spekuluesve në kohën e Direktoratit që e çoi Francën dhe revolucionin në buzë të greminës dhe i dha kështu Napoleonit pretekstin për të bërë grushtin e shtetit. Kështu, në kokën e Sen-Simonit antagonizmi midis rendit të tretë dhe rendeve të privilegjuara mori formën e antagonizmit midis «punëtorëve» dhe «parazitëve». Parazitë nuk ishin vetëm përfaqësuesit e rendeve të privilegjuara të mëparshme, por edhe të gjithë ata që nuk merrnin pjesë në prodhim dhe në tregti dhe që rronin me rentë. Dhe «punëtorë» nuk ishin vetëm punëtorët me mëditje, por edhe fabrikantët, tregtarët dhe bankierët. Që parazitët kishin humbur aftësinë për të udhëhequr intelektualisht dhe për të sunduar politikisht, — për këtë nuk kishte asnjë dyshim dhe këtë e vërtetoi përfundimisht revolucioni.

Që të varfrit nuk e kishin këtë aftësi, këtë gjë, sipas mendimit të Sen-Simonit, e kishte provuar përvoja e kohës së terrorit. Kush duhej, pra, të udhëhiqte dhe të sundonte në këtë rast? Sipas mendimit të Sen-Simonit, këtë duhej ta bënin shkenca dhe industria, të bashkuara nga një lidhje fetare e re, nga një «krishterim i ri» patjetër mistik, rreptësisht hierarkik, që do të kishte për mision të rivendoste unitetin e pikëpamjeve fetare të shkatërruar që nga koha e Reformës. Dhe me shkencë nënkuptoheshin dijetarët, kurse me industri — në radhë të parë, borgjezët aktivë, fabrikantët, tregtarët, bankierët. Ç'është e vërteta, këta borgjezë duhej të bëheshin një lloj ofiqarësh publikë, persona të besuar të të gjithë shoqërisë, por që prapëseprapë duhej të ruanin ndaj punëtorëve një pozitë komanduese dhe ekonomikisht të privilegjuar. Sa për bankierët, pikërisht këta do të kishin për mision të rregullonin gjithë prodhimin shoqëror me anën e rregullimit të kreditit. — Një pikëpamje e tillë i përgjigjej plotësisht kohës kur në Francë industria e madhe, dhe bashkë me të edhe antagonizmi midis borgjezisë dhe proletariatit, ishin ende vetëm në lindje e sipër. Por ajo që thekson në mënyrë të veçantë Sen-Simoni është kjo: kudo dhe kurdoherë atij i intereson, në radhë të parë, fati i «klasës më të madhe në numër dhe më të varfër» («la classe la plus nombreuse et la plus pauvre»).

Qysh në «Letrat nga Gjeneva» Sen-Simoni shtron tezën se «të gjithë njerëzit duhet të punojnë».

Po në këtë vepër ai vë në dukje se sundimi i terrorit në Francë ka qenë sundim i masave të varfra.

«Shikoni», — thotë ai, duke iu drejtuar këtyre të fundit, — «ç'ndodhi në Francë kur atje sundonin shokët tuaj: ata suallën urinë!»[81].

Por të kuptoje se revolucioni francez ishte një luftë klasash, dhe jo vetëm midis fisnikëve dhe borgjezisë, por edhe midis fisnikëve, borgjezisë dhe të varfërve, — ky më 1802 ishte një zbulim nga më gjenialët. Më 1816 Sen-Simoni e shpall politikën shkencë të prodhimit dhe parashikon shkrirjen e saj të plotë në ekonomi[82]. Ndonëse këtu mendimi se gjendja ekonomike është baza e institucioneve politike është shprehur vetëm në formë embrionale, nga ana tjetër ështe shprehur fare qartë mendimi se qeverisja politike e njerëzve duhet të shndërrohet në administrim të sendeve dhe në drejtim të proceseve të prodhimit, d.m.th. mendimi se «shteti do të hiqet», gjë për të cilën është bërë aq zhurmë këto kohët e fundit. Duke treguar të njëjtën epërsi mbi bashkëkohësit e vet, Sen-Simoni më 1814, — fill pas hyrjes së aleatëve në Paris, — dhe pastaj më 1815, në kohën e luftës së Njëqind ditëve, deklaron se aleanca midis Francës dhe Anglisë dhe në radhë të dytë midis këtyre të dy vendeve dhe Gjermanisë është e vetmja garanci për zhvillimin paqësor dhe për lulëzimin e Evropës[83]. Duhej me të vërtetë guxim i madh dhe largpamësi historike për t'u predikuar francezëve më 1815 aleancën me fitimtarët e Vaterlosë[84].

Në qoftë se te Sen-Simoni gjejmë një gjerësi gjeniale të pami, në bazë të së cilës pikëpamjet e tij përmbajnë në embrion pothuajse të gjitha idetë jo rigorozisht ekonomike të socialistëve të mëvonshëm, te Furjeja ne gjejmë një kritikë të rendit shoqëror ekzistues, në të cilën mprehtësia thjesht franceze kombinohet me një analizë shumë të thellë. Ai kap në fjalë borgjezinë, profetët e saj entuziastë të kohës para revolucionit dhe lajkatarët e saj të shitur, që dolën pas revolucionit. Ai zbulon pa mëshirë gjithë varfërinë materiale dhe morale të botës borgjeze dhe e krahason atë si me premtimet joshëse të iluministëve të mëparshëm për krijimin e një shoqërie të tillë, ku të sundonte vetëm arsyeja, e një qytetërimi të tillë që do t'u sillte lumtërinë të gjithëve, — ashtu edhe me deklaratat e tyre mbi aftësinë e njeriut për t'u përsosur pa mbarim; ai demaskon zbrazësinë e frazave bombastike të ideologëve borgjezë të kohës së vet, duke treguar se ç'realitet i vajtueshëm u përgjigjej fjalëve të tyre të mëdha, dhe godet me një sarkazëm therës dështimin e plotë të kësaj frazeologjie. Furjeja nuk është vetëm kritik; gjithmonë optimist nga natyra, ai bëhet satirik, dhe madje një nga satirikët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Me fjalë të mprehta, tallëse ai përshkruan dallaveret e shumta spekuluese dhe frymën e matrapazllëkut, që me perëndimin e revolucionit ishte përhapur në gjithë veprimtarinë e tregtisë franceze të asaj kohe. Ai kritikon me mjeshtëri edhe më të madhe formën borgjeze të marrëdhënieve midis sekseve dhe gjendjen e gruas në shoqërinë borgjeze. Ai është i pari që ka shprehur mendimin se në çdo shoqëri të dhënë shkalla e emancipimit të gruas është kriteri i natyrshëm për të matur emancipimin e përgjithshëm.

Por më qartë se kudo madhështia e Furjesë është shfaqur në kuptimin që ai kishte për historinë e shoqërisë. Gjithë zhvillimin e saj të mëparshëm ai e ndan në katër faza: egërsia, patriarkati, barbaria dhe qytetërimi; ky i fundit, sipas tij, përkon me atë që sot quhet shoqëri borgjeze, pra, me rendin shoqëror që ka filluar të zhvillohet prej shekullit XVI, dhe ai tregon se si «rendi i qytetëruar i jep një formë ekzistence të ndërlikuar, me dy kuptime, me dy faqe dhe hipokrite çdo vesi që barbaria e praktikonte në një formë të thjeshtë»,

se qytetërimi lëviz në një «rreth vicioz», në kontradikta që ai lind vazhdimisht dhe që nuk mund t'i kapërcejë, kështu që ai arrin kurdoherë të kundërtën e asaj që synon sinqerisht, ose që hiqet se synon. Kështu, për shembull,
«në qytetërim varfëria lind nga vetë bollëku».

Siç e shohim, Furjeja e zotëron dialektikën po me atë mjeshtëri, me të cilën e zotëronte bashkëkohësi i tij Hegel. Në një mënyrë po aq dialektike ai pohon, në kundërshtim me frazat mbi aftësinë e pakufizuar të njeriut për t'u përsosur, se çdo fazë historike ka jo vetëm të përpjetën e vet, por edhe të tatëpjetën, dhe këtë pikëpamje të vet ai e zbaton në lidhje me të ardhmen e të gjithë njerëzimit. Ashtu sikundër Kanti futi në shkencat e natyrës idenë e zhdukjes së ardhshme të Tokës, Furjeja futi në kuptimin e vet të historisë idenë e zhdukjes së ardhshme të njerëzimit.

Në kohën kur në Francë stuhia e revolucionit po spastronte vendin, në Angli po kryhej një përmbysje më pak e bujshme, por jo më pak madhështore. Avulli dhe makinat e reja të punës e shndërruan manifakturën në industri të madhe moderne dhe revolucionarizuan kështu gjithë bazën e shoqërisë borgjeze. Ritmi i ngathët i zhvillimit të kohës së manifakturës u shndërrua në një periudhë të vërtetë stuhie dhe vrulli në prodhim. Shoqëria po ndahej me shpejtësi gjithnjë më të madhe në kapitalistë të mëdhenj dhe në proletarë të varfër, dhe midis tyre, në vend të rendit të mesëm të qëndrueshëm të kohërave të vjetra, tani shohim një masë të paqëndrueshme zejtarësh dhe tregtarësh të vegjël, që bëjnë një jetë të pasigurt dhe që përfaqësojnë pjesën më fluide të popullsisë. Mënyra e re e prodhimit gjendej ende në fillim të së përpjetës së zhvillimit të vet; në ato kushte ajo ishte ende e vetmja mënyra prodhimi e mundshme, normale, e drejtë. E megjithatë ajo kishte mundur të shkaktonte qysh atëherë mjerime sociale të tmerrshme: grumbullimin e popullsisë pa strehë në harvallinat e qyteteve të mëdha; shkatërrimin e të gjitha lidhjeve të trashëguara nga e kaluara: lidhjet e prejardhjes, të sistemit patriarkal të familjes; zgjatjen e tmerrshme të ditës së punës, sidomos për gratë dhe për fëmijët; demoralizimin në masë të klasës punonjëse, që befas ishte hedhur në kushte krejt të reja — nga fshati në qytet, nga bujqësia në industri, nga kushtet e një jetese të qëndrueshme në kushtet e një jetese të pasigurt, që ndryshonin çdo ditë. Në këtë kohë doli si reformator një fabrikant njëzetenëntëvjeçar, një njeri me karakter fisnik e të dëlirë si të fëmijës dhe njëkohësisht udhëheqës i lindur, që i kishte shokët të rrallë. Robert Oueni kishte përvetësuar mësimet e materialistëve iluministë — se karakteri i njeriut është produkti, nga njëra anë, i organizimit të tij natyror, nga ana tjetër, — i kushteve që e rrethojnë njeriun gjatë gjithë jetës, dhe sidomos në periudhën e zhvillimit të tij. Shumica e njerëzve, që kishin të njëjtën gjendje shoqërore me Ouenin, shihnin në revolucionin industrial vetëm rrëmujë dhe kaos, të përshtatshëm për të peshkuar në ujë të turbullt dhe për t'u pasuruar shpejt. Kurse Oueni shihte në revolucionin industrial një rast të volitshëm për të realizuar idenë e vet të preferuar dhe për të vënë kështu rregull në këtë kaos. Në Mançester ai, si drejtues i një fabrike ku punonin më shumë se 500 punëtorë, bëri një orvatje, madje me sukses, për ta vënë në jetë këtë ide. Prej vitit 1800 deri në vitin 1829 ai drejtonte një fabrikë të madhe për tjerrjen e pambukut në Nju-Lanark, në Skoci, dhe, duke qenë ortak dhe drejtor i ndërmarrjes, vepronte këtu në të njëjtin drejtim, por me një liri shumë më të madhe dhe me aq sukses, saqë shpejt emri i tij u bë i njohur në gjithë Evropën. Popullsinë e Nju-Lanarkut, që dalëngadalë kishte arritur në 2 500 veta dhe që në fillim përbëhej nga elementë shumë të përzier dhe në pjesën më të madhe tepër të demoralizuar, ai e shndërroi në një koloni të përsosur shembullore, ku dehjet, policia, gjyqet penale, paditë, kujdesi për të varfrit dhe nevoja e institucioneve bamirëse u bënë gjëra krejt të panjohura. Ai i arriti të gjitha këto vetëm e vetëm duke i vënë njerëzit në kushte që i përshtateshin më tepër dinjitetit njerëzor, dhe u kujdes sidomos për edukimin e mirë të brezit të ri. Në Nju-Lanark me iniciativën e Ouenit u ngritën për herë të parë shkolla për fëmijët e moshës së njomë. Në to pranoheshin fëmijët në moshë dy vjeç e lart, dhe fëmijët e kalonin aq mirë kohën këtu, saqë prindërve u duhej t'i merrnin për t'i çuar në shtëpi. Ndërsa konkurrentët e Ouenit i detyronin punëtorët e vet të punonin nga 13-14 orë në ditë, në Nju-Lanark dita e punës zgjaste vetëm 10½ orë. Dhe kur kriza e pambukut bëri që të pezullohej prodhimi për katër muaj, punëtorët, që mbetën pa punë, vazhduan të merrnin pagën e plotë. Dhe megjithëkëtë vlera e ndërmarrjes u rrit më shumë se dy herë, dhe deri në fund ajo u jepte pronarëve të vet fitime të bollshme.

Por të gjitha këto nuk e kënaqnin Ouenin. Kushtet e ekzistencës, që ai u kishte krijuar punëtorëve të vet, nuk i përgjigjeshin ende sipas mendimit të tij, dinjitetit njerëzor.

«Këta njerëz ishin skllevërit e mi», — thoshte ai; kushtet relativisht të mira, në të cilat ishin vënë punëtorët e Nju-Lanarkut, nuk ishin aspak të mjaftueshme për një zhvillim racional e të gjithanshëm të karakterit dhe të mendjes së tyre, pa folur pastaj për një veprimtari të lirë në jetë.

«Dhe ndërkaq pjesa punonjëse e këtyre 2 500 njerëzve krijonte për shoqërinë një sasi të tillë pasurie reale, për prodhimin e së cilës vetëm gjysmë shekulli më parë do të ishte dashur një popullsi prej 600 000 frymësh. Unë pyesja veten: ku shkon diferenca midis pasurisë së konsumuar nga 2 500 veta dhe asaj që do të konsumonin 600 000 veta?»

Përgjigjja ishte e qartë. Kjo diferencë shkonte në xhepat e pronarëve të fabrikës, të cilët merrnin 5% nga kapitali i investuar në ndërmarrjen dhe, përveç kësaj, më shumë se 300 000 lira sterlina (6 000 000 marka) fitim. Kjo që ishte e vërtetë për Nju-Lanarkun, ishte e tillë në një shkallë edhe më të madhe për të gjitha fabrikat e tjera të Anglisë.

«Pa këtë pasuri të re të krijuar nga makinat, nuk do të kishte mundësi të bëheshin luftërat për përmbysjen e Napoleonit dhe për ruajtjen e parimeve aristokratike të organizimit të shoqërisë. Dhe kjo forcë e re ishte vepër e klasës punonjëse»[85].

Prandaj asaj duhej t'i takonin edhe frytet e saj. Forcat e reja prodhuese të fuqishme, që deri atëherë kishin shërbyer vetëm për pasurimin e disave dhe për skllavërimin e masave, sipas Ouenit ishin baza për transformimin e shoqërisë dhe duhej të punonin vetëm për mirëqenien e përbashkët të të gjithëve si pronë e tyre e përbashkët.

Mbi këto baza thjesht praktike, si rezultat, të thuash, i llogaritjes tregtare, lindi komunizmi i Ouenit. Këtë karakter praktik të vetin ai e ruajti gjithnjë dhe kudo. Kështu, më 1823 Oueni hartoi projektin për zhdukjen e mjerimit në Irlandë me anën e krijimit të kolonive komuniste dhe i bashkëngjiti atij llogaritë e hollësishme të kapitalit që duhej investuar, të shpenzimeve të përvitshme dhe të të ardhurave që parashikoheshin. Kurse në planin e vet përfundimtar të rendit të ardhshëm Oueni përpunoi të gjitha hollësitë teknike, deri te planet, te fasada dhe te pamja nga lart, dhe të gjitha këto janë bërë me një kompetencë aq të madhe, saqë, po të pranohet metoda e tij për transformimin e shoqërisë, shumë pak vërejtje mund të bëhen në lidhje me hollësitë edhe nga pikëpamja e një specialisti.

Kalimi në komunizëm qe një kthesë vendimtare në jetën e Ouenit. Sa kohë që kishte vepruar vetëm si filantrop, ai kishte fituar vetëm pasuri, miratim, ndere e lavdi. Ai ishte bërë njeriu më popullor në Evropë. Fjalimet e tij i dëgjonin me dashamirësi jo vetëm njerëzit që kishin të njëjtën gjendje shoqërore me të, por edhe burra shteti e monarkë. Por me të dalë me teoritë e veta komuniste, punët morën tjetër rrugë. Sipas mendimit të tij transformimin e shoqërisë e ndalonin tri pengesa të mëdha: prona private, feja dhe forma ekzistuese e martesës. Duke filluar luftën kundër këtyre pengesave, ai e dinte se do të përbuzej në rrethin e shoqërisë zyrtare dhe do ta humbiste pozitën e vet shoqërore. Por këto arsye nuk e ndalën Ouenin, nuk e pakësuan energjinë e sulmit të tij të patrembur. Dhe ndodhi pikërisht ajo që ai kishte parashikuar. I dëbuar nga shoqëria zyrtare, i lënë në heshtje nga shtypi, i varfëruar për shkak të provave komuniste pa sukses në Amerikë, për të cilat ai shkriu gjithë pasurinë e vet, Oueni iu drejtua drejtpërdrejt klasës punëtore, në radhët e së cilës ai e vazhdoi veprimtarinë e vet edhe tridhjetë vjet të tjerë. Të gjitha lëvizjet shoqërore që janë bërë në Angli në interes të klasës punëtore dhe të gjitha sukseset e vërteta të tyre janë të lidhura me emrin e Ouenit. Kështu, më 1819, në saje të përpjekjeve të tij, që vazhduan pesë vjet, doli ligji i parë që kufizonte punën e grave dhe të fëmijëve në fabrikat. Ai drejtoi kongresin e parë, në të cilin tredunionet e gjithë Anglisë u bashkuan në një sindikatë të madhe, të përgjithshme[86]. Ai organizoi gjithashtu, — si masë për të kaluar në rendin shoqëror plotësisht komunist, — nga njëra anë, shoqëritë kooperativiste (shoqatat e konsumit dhe të prodhimit), të cilat, të paktën, provuan më vonë në praktikë se mund të bëhej fare mirë si pa tregtarë, ashtu edhe pa fabrikantë; nga ana tjetër — pazaret punëtore, ku produktet e punës këmbejeshin me anë të kartëmonedhash pune, njësia e të cilave ishte ora e punës. Këto pazare duhej të dështonin patjetër, por ato qenë me të vërtetë paraardhëset e bankës shumë më të vonshme prudoniane të këmbimit, nga e cila dalloheshin pikërisht sepse nuk paraqiteshin si një ilaç universal që shëron të gjitha plagët shoqërore, por propozoheshin vetëm si një nga hapat e parë për një riorganizim shumë më rrënjësor të të gjithë shoqërisë.

Botëkuptimi i utopistëve sundoi për një kohë të gjatë mbi pikëpamjet socialiste të shekullit XIX dhe pjesërisht vazhdon të sundojë edhe sot. Ai u ndoq deri kohët e fundit nga gjithë socialistët francezë dhe anglezë, si dhe nga komunizmi i parë gjerman, duke përfshirë Vajtlingun. Për të gjithë këta socializmi është shprehje e së vërtetës absolute, e arsyes dhe e drejtësisë, dhe mjafton vetëm ta zbulosh që ai me forcën e vet të pushtojë gjithë botën; por pasi e vërteta absolute nuk varet nga koha, nga hapësira dhe nga zhvillimi historik i njerëzimit, atëherë është një gjë krejt e rastit se kur dhe ku do të zbulohet ajo. Por e vërteta absolute, arsyeja dhe drejtësia janë të ndryshme për çdo themelues shkolle; trajta e veçantë që kanë e vërteta absolute, arsyeja dhe drejtësia për çdo themelues shkolle, kushtëzohet nga gjykimi subjektiv i tij, nga kushtet e jetesës, nga vëllimi i njohurive dhe nga shkalla e zhvillimit të të menduarit. Prandaj sa herë që ndeshen midis tyre të tilla të vërteta absolute, konflikti mund të zgjidhet vetëm duke i sheshuar kontradiktat e tyre reciproke. Nga kjo nuk mund të lindte asgjë tjetër veçse një farë socializmi eklektik mesatar, i cili sundon me të vërtetë edhe sot e kësaj dite në mendjen e shumicës së punëtorëve socialistë të Francës dhe të Anglisë. Ky socializëm eklektik është një përzierje vërejtjesh kritike nga më të moderuarat, tezash ekonomike dhe përfytyrimesh të themeluesve të sekteve të ndryshme në lidhje me shoqërinë e ardhshme, — një përzierje që lejon një shumicë të madhe nuancash dhe që është aq më lehtë për t'u bërë sa më tepër pjesët e ndryshme që e përbëjnë humbasin qoshet dhe majat e tyre të mprehta në rrjedhën e diskutimeve, siç humbasin gurët e vegjël në rrjedhën e një përroi. Që të shndërrohej socializmi në shkencë duhej, para së gjithash, që ai të vihej në një truall real.

II

Ndërkaq krahas filozofisë franceze të shekullit XVIII dhe në gjurmët e saj lindi filozofia moderne gjermane, e cila u kurorëzua me veprën e Hegelit. Merita e saj më e madhe ka qenë se ajo u kthye te dialektika, si forma më e lartë e të menduarit. Filozofët e lashtë grekë kanë qenë të gjithë dialektikë të lindur, spontanë, dhe Aristoteli, mendja më universale ndër ta, i kishte analizuar qysh atëherë format kryesore të mendimit dialektik. Filozofia e re, megjithëse edhe në gjirin e saj dialektika ka pasur përfaqësues të shkëlqyer (për shembull, Dekarti dhe Spinoza), përkundrazi, kishte filluar të zhytej gjithnjë më shumë, sidomos nën ndikimin e filozofisë angleze, në të ashtuquajturën mënyrë metafizike të të menduarit, e cila kishte pushtuar pothuajse plotësisht edhe francezët e shekullit XVIII, të paktën në veprat e tyre posaçërisht filozofike. Por jashtë kufijve të filozofisë, në kuptimin e plotë të fjalës, ata mundën të na linin shembuj të lartë të dialektikës; do të përmendim vetëm «Nipin e Ramoit» të Didroit dhe veprën e Rusoit «Mbi origjinën e pabarazisë midis njerëzve». — Le të ndalemi këtu shkurtimisht te thelbi i të dyja këtyre metodave të të menduarit.

Sa herë që analizojmë me anë të mendimit natyrën ose historinë e njerëzimit ose veprimtarinë tonë intelektuale, në fillim na del përpara tabloja e një plekseje të pafund lidhjesh dhe veprimesh reciproke, ku asgjë nuk mbetet e palëvizshme dhe e pandryshueshme, por çdo gjë lëviz, ndryshon, lind dhe zhduket. Kështu, në fillim ne shohim një tablo të përgjithshme, ku gjërat e veçanta mbeten hëpërhë pak a shumë në plan të fundit; ne më shumë vëmë re lëvizjet, kalimet dhe lidhjet se sa shohim se çfarë pikërisht lëviz, kalon, lidhet. Kjo pikëpamje fillestare, naive, por në thelb e drejtë në lidhje me botën, ka qenë karakteristike për filozofinë e lashtë greke dhe për të parën herë është shprehur qartë nga Herakliti: gjithçka ekziston dhe në të njëjtën kohë nuk ekziston, sepse gjithçka rrjedh, gjithçka ndryshon vazhdimisht, gjithçka është në një proces të vazhdueshëm lindjeje dhe zhdukjeje. Por, megjithëse kjo pikëpamje e kap drejt karakterin e përgjithshëm të krejt tablosë së fenomeneve, prapëseprapë ajo është e pamjaftueshme për të shpjeguar ato gjëra të veçanta që e përbëjnë, dhe derisa ne nuk i njohim ato, për ne nuk është e qartë as tabloja e përgjithshme.

Për t'i njohur këto gjëra të veçanta, ne jemi të detyruar t'i shkëpusim ato nga lidhja e tyre e natyrshme ose historike dhe të studjojmë cilësitë e secilës veç e veç, shkaqet dhe pasojat e saj të veçanta etj. Kjo është para së gjithash detyra e shkencave të natyrës dhe e studimit historik, d.m.th. e atyre degëve të shkencës, të cilat, për arsye krejt të kuptueshme, zinin ndër grekët e kohërave klasike vetëm një vend të dorës së dytë, sepse grekëve u duhej më parë të grumbullonin gjithë materialin e nevojshëm për këtë. Vetëm pasi të ishte grumbulluar në një farë mase materiali i shkencave të natyrës dhe materiali historik, mund të fillohej seleksionimi kritik, krahasimi, dhe në përputhje me këtë edhe ndarja në klasa, në rende dhe në lloje. Elementet e para të studimit të saktë të natyrës filluan të zhvilloheshin më tej për herë të parë vetëm ndër grekët[87], dhe pastaj, në mesjetë, ndër arabët. Por shkencat e vërteta të natyrës fillojnë vetëm që nga gjysma e dytë e shekullit XV, dhe që nga ajo kohë ato kanë bërë vazhdimisht përparime gjithnjë më të mëdha. Ndarja e natyrës në pjesët e saj të veçanta, ndarja e proceseve të ndryshme të natyrës dhe e sendeve të natyrës në klasa të caktuara, studimi i ndërtimit të brendshëm të trupave organikë sipas formave të tyre të shumta anatomike — të gjitha këto qenë kushti kryesor i sukseseve shumë të mëdha që u arritën në lëmin e njohjes së natyrës gjatë katërqind vjetëve të fundit. Por e njëjta mënyrë studimi na e bën edhe zakon që sendet dhe proceset e natyrës t'i shikonim të veçuara, jashtë lidhjes së tyre të madhe të përgjithshme, dhe për këtë arsye — jo në lëvizje, por në gjendje qetësie, jo si gjëra që pësojnë ndryshime esenciale, por si gjëra që nuk ndryshojnë kurrë, jo si gjëra të gjalla, por të vdekura. Kjo mënyrë të kuptuari, që Bekoni dhe Loku e muarën nga shkencat e natyrës dhe e bartën në filozofi, krijoi ngushtësinë specifike të shekujve të fundit — mënyrën metafizike të të menduarit.

Për metafizikanin sendet dhe pasqyrimet e tyre mendore, konceptet, janë sende të veçanta, të pandryshueshme, të ngurta, të dhëna një herë e përgjithmonë, që duhet të studiohen njëri pas tjetrit dhe njëri pavarësisht nga tjetri. Ai mendon vetëm me anë antitezash që nuk pranojnë asnjë element të ndërmjetëm; ai thotë: «po — po, jo — jo; çdo gjë jashtë kësaj vjen nga i paudhi»[88]. Për të një send ose ekziston ose nuk ekziston, dhe po kështu një send nuk mund të jetë ai që është dhe në të njëjtën kohë të jetë një tjetër. Pozitivja dhe negativja e përjashtojnë absolutisht njëra-tjetrën; shkaku dhe pasoja janë gjithashtu në një kundërti të ngurtë me njëri-tjetrin. Kjo mënyrë të menduari në fillim na duket më se e pranueshme, sepse ajo është karakteristike për të ashtuquajturën arsye të shëndoshë njerëzore. Por arsyeja e shëndoshë njerëzore, shoqe shumë e nderuar brenda katër mureve të shtëpisë, kalon peripeci të çuditshme sa herë që guxon të dalë në fushën e gjerë të kërkimit. Mënyra metafizike e të kuptuarit, megjithëse është e drejtë dhe madje e domosdoshme në disa fusha, pak a shumë të gjera, sipas karakterit të objektit, shpejt a vonë arrin gjithmonë në një cak, përtej të cilit bëhet e njëanshme, e kufizuar, abstrakte dhe ngatërrohet në kontradikta të pazgjidhshme, sepse prapa sendeve të veçanta ajo nuk sheh lidhjen e tyre reciproke, prapa qenies së tyre nuk sheh lindjen dhe zhdukjen e tyre, për shkak të gjendjes së tyre të qetë harron lëvizjen e tyre, prapa drurëve nuk sheh pyllin. Në jetën e përditshme, për shembull, ne e dimë dhe mund të themi me siguri nëse ekziston apo jo një kafshë e caktuar, por, po të bëjmë një studim më të saktë, do të bindemi se nganjëherë kjo është një gjë jashtëzakonisht e ndërlikuar, siç e dinë fort mirë juristët, të cilët janë munduar më kot të gjejnë kufirin racional, përtej të cilit vrasja e foshnjës në barkun e nënës të mund të quhet krim. Është e pamundur gjithashtu të përcaktohet edhe çasti i vdekjes, sepse fiziologjia ka provuar se vdekja nuk është një akt i befasishëm, i menjëhershëm, por një proces shumë i gjatë. Po kështu edhe çdo qenie organike në çdo çast të caktuar është dhe nuk është po ajo; në çdo çast ajo i përpunon lëndët që merr nga jashtë dhe nxjerr lëndë të tjera, në çdo çast disa nga qelizat e organizmit të saj vdesin, të tjera lindin, kështu që pasi të ketë kaluar një periudhë pak a shumë të gjatë lënda e këtij organizmi përtëritet tërësisht, zëvendësohet me atome të tjera lënde. Ja pse çdo qenie organike është gjithnjë po ajo dhe, megjithatë, nuk është po ajo. Po të bëjmë një analizë më të saktë do të shohim gjithashtu se të dy polet e çfarëdo kundërtie — për shembull, pozitivi dhe negativi — janë po aq të pandashëm njëri nga tjetri sa edhe të kundërt, dhe se ato, me gjithë kundërtinë e tyre, përshkojnë njëri-tjetrin. Pastaj ne shohim se shkaku dhe pasoja janë përfytyrime, që kanë vlerë si të tilla vetëm kur zbatohen për një rast të veçantë të caktuar; por sa herë që ne e shqyrtojmë këtë rast të veçantë në lidhjen e tij të përgjithshme me tërë botën, këto përfytyrime shkrihen dhe pleksen në përfytyrimin e veprimit reciprok universal, ku shkaqet dhe pasojat ndërrojnë vazhdimisht vend njëri me tjetrin; ajo që këtu ose tani është shkak, atje ose atëherë bëhet pasojë, dhe anasjelltas.

Të gjitha këto procese dhe të gjitha këto metoda të të menduarit nuk hyjnë në kuadrin e mendimit metafizik. Kurse për dialektikën, e cila i merr sendet dhe pasqyrimet e tyre në mendjen e njeriut kryesisht në lidhjen e tyre reciproke, në pleksjen e tyre, në lëvizjen e tyre, në lindjen dhe në zhdukjen e tyre, të tilla procese, si ato që përmendëm më lart, përkundrazi, nuk bëjnë tjetër veçse vërtetojnë metodën e saj të veçantë të studimit. Natyra është gur prove për dialektikën, dhe duhet të themi se shkencat e sotme të natyrës kanë dhënë për këtë provë një material jashtëzakonisht të pasur dhe që shtohet çdo ditë dhe kanë provuar me anë të këtij materiali se, në fund të fundit, në natyrë gjithçka kryhet në mënyrë dialektike dhe jo metafizike, se ajo nuk lëviz brenda një rrethi gjithnjë të njëllojtë dhe që përsëritet vazhdimisht, por jeton një histori të vërtetë. Këtu, para së gjithash, duhet të përmendim Darvinin, i cili i dha grushtin më të fortë pikëpamjes metafizike mbi natyrën duke provuar se gjithë bota organike e sotme, bimët dhe kafshët, pra edhe njeriu, janë produkt i procesit të zhvillimit, që ka vazhduar miliona vjet. Por, meqenëse edhe sot e kësaj dite mund të numërohen me gisht ata shkencëtarë natyralistë që kanë mësuar të mendojnë në mënyrë dialektike, ky konflikt midis rezultateve të arritura dhe mënyrës tradicionale të të menduarit shpjegon më së miri ngatërresën e madhe që sundon sot në shkencat teorike të natyrës dhe i dëshpëron si mësuesit, ashtu edhe nxënësit, si ata që shkruajnë, ashtu edhe lexuesit.

Kështu, një përfytyrim i saktë për universin, për zhvillimin e tij, për zhvillimin e njerëzimit, si edhe për pasqyrimin e këtij zhvillimi në mendjen e njerëzve, mund të arrihet vetëm me rrugë dialektike, duke ndjekur vazhdimisht veprimin e përgjithshëm reciprok midis lindjes dhe zhdukjes, midis ndryshimeve progresive dhe ndryshimeve regresive. Dhe pikërisht në këtë frymë veproi menjëherë filozofia moderne gjermane. Kanti e filloi veprimtarinë e vet shkencore duke e shndërruar sistemin diellor të Njutonit, të përjetshëm dhe të pandryshueshëm, — pasi që dhënë një herë shtytja e parë famëkeqe, — në një proces historik: në procesin e lindjes së Diellit dhe të të gjithë planetëve nga një masë në trajtë mjegullnaje që rrotullohej. Nga kjo ai nxori përfundimin se lindja e sistemit diellor parakupton edhe zhdukjen e tij të pashmangshme në të ardhmen. Gjysmë shekulli më vonë pikëpamja e tij u provua matematikisht nga Laplasi, dhe pasi kaloi edhe një gjysmë shekulli tjetër spektroskopi provoi se në hapësirën kozmike ka masa të tilla të gazta inkandeshente me shkallë të ndryshme dendësimi.

Kjo filozofi moderne gjermane u kurorëzua me sistemin e Hegelit, merita e madhe e të cilit është se ai e paraqiti për të parën herë gjithë botën natyrore, historike dhe shpirtërore si një proces, d.m.th. në lëvizje, në ndryshim, në transformim dhe në zhvillim të vazhdueshëm, dhe u përpoq të zbulonte lidhjen e brendshme të kësaj lëvizjeje dhe të këtij zhvillimi. Nga kjo pikëpamje historia e njerëzimit nuk paraqitej më si një lëmsh kaotik dhunash absurde, të cilat — përpara gjyqit të arsyes filozofike tashmë të pjekur — meritonin njësoj vetëm të dënoheshin dhe të harroheshin sa më parë; ajo, përkundrazi, u paraqit si procesi i zhvillimit të vetë njerëzimit, ndërsa detyra e mendimit ishte tani që të gjurmonte shkallët e njëpasnjëshme të këtij procesi përmes të gjitha endjeve të tij dhe të provonte se, përmes të gjitha rastësive të dukshme, ai i nënshtrohej një ligji të tij të brendshëm.

Këtu për ne s'ka rëndësi që sistemi hegelian nuk e zgjidhi këtë detyrë që i kishte vënë vetes; merita e tij historike ishte se ai e shtroi këtë detyrë. Dhe kjo është një nga ato detyra që nuk mund të zgjidhet kurrë nga një njeri i vetëm. Megjithëse Hegeli, krahas Sen-Simonit, ka qenë mendja më universale e kohës së vet, ai prapëseprapë ishte i kufizuar, së pari, nga caqet e pashmangshme të njohurive të veta, dhe, së dyti, nga njohuritë dhe nga pikëpamjet e epokës së vet, të cilat ishin gjithashtu të kufizuara si nga vëllimi, ashtu edhe nga thellësia. Kësaj iu shtua edhe një rrethanë e tretë. Hegeli ishte idealist, d.m.th. për të mendimet e kokës sonë nuk ishin pasqyrime, pak a shumë abstrakte, të sendeve dhe të proceseve reale, por, përkundrazi, sendet dhe zhvillimi i tyre ishin për Hegelin vetëm pasqyrime të mishëruara të një farë «ideje», e cila pat ekzistuar diku më parë se të formohej bota. Kështu gjithçka ishte vënë me kokë poshtë, dhe lidhja e vërtetë e fenomeneve të botës ishte shtrembëruar krejt. Dhe prandaj, sado e drejtë dhe gjeniale të ketë qenë mënyra me të cilën Hegeli kapi disa lidhje të veçanta të fenomeneve, prapëseprapë shumë gjëra në sistemin e tij, edhe përsa u përket hollësive, për arsyet që përmendëm, duhej të ishin të nxjerra me zor, artificiale, të shpikura, me një fjalë — të shtrembëruara. Sistemi hegelian si i tillë ka qenë një dështim shumë i madh, por, nga ana tjetër, ka qenë edhe i fundit i këtij lloji. Në fakt ai vuante edhe nga një kontradiktë e brendshme e pashërueshme: nga njëra anë, premisa themelore e tij ka qenë pikëpamja në lidhje me historinë e njerëzimit si një proces zhvillimi, i cili për shkak të vetë natyrës së tij nuk mund të gjejë përfundimin intelektual në zbulimin e së ashtuquajturës e vërtetë absolute; por, nga ana tjetër, sistemi i tij pretendon të jetë pikërisht kurorëzimi i kësaj së vërtetë absolute. Një sistem i përgjithshëm i njohjes së natyrës dhe të historisë, i dhënë një herë e përgjithmonë, është në kundërshtim me ligjet themelore të mendimit dialektik, por kjo, megjithatë, nuk e përjashton aspak, por, përkundrazi, parakupton se njohja sistematike e gjithë botës së jashtme mund të bëjë përparime shumë të mëdha nga një brez në tjetrin.

Bindja se idealizmi gjerman që kishte ekzistuar deri në atë kohë ishte krejt i rremë, çoi patjetër në materializmin, por, natyrisht, jo në materializmin thjesht metafizik, vetëm e vetëm mekanik të shekullit XVIII. Në kundërshtim me qëndrimin revolucionar naiv, që hedh poshtë pa dallim gjithë historinë e kaluar, materializmi i sotëm e shikon historinë si proces të zhvillimit të njerëzimit dhe i vë vetes si detyrë të zbulojë ligjet e lëvizjes së këtij procesi. Sikundër francezët e shekullit XVIII, ashtu edhe Hegeli e përfytyronte natyrën si një të tërë gjithmonë të njëllojtë me veten e saj, që lëviz gjithmonë brenda të njëjtëve rrathë të kufizuar, me trupa qiellorë të amshuar, siç thoshte Njutoni, dhe me lloje të pandryshueshme qeniesh organike, siç thoshte Lineu; në kundërshtim me këtë përfytyrim të natyrës materializmi i sotëm përgjithëson sukseset e fundit që kanë arritur shkencat e natyrës, sipas të cilave edhe natyra ka historinë e vet në kohë, trupat qiellorë lindin dhe zhduken, si të gjitha llojet e organizmave që banojnë në këta trupa kur ka kushte të favorshme, dhe ciklet, në masën që ato përgjithësisht mund të ndodhin, marrin përpjesëtime jashtëzakonisht më të mëdha. Në të dyja rastet materializmi i sotëm është në thelb dialektik dhe nuk ka më nevojë për një filozofi, e cila të qëndrojë mbi shkencat e tjera. Sa herë që nga një shkencë kërkohet që ajo të sqarojë vendin që zë në lidhjen e përgjithshme të sendeve dhe të dijeve mbi sendet, çfarëdo shkencë e veçantë mbi këtë lidhje të përgjithshme bëhet e tepërt. Dhe atëherë nga gjithë filozofia e mëparshme vazhdon ende të ruajë pavarësinë e vet teoria e mendimit dhe e ligjeve të tij — logjika formale dhe dialektika. Të gjitha të tjerat hyjnë në shkencën pozitive mbi natyrën dhe mbi historinë.

Por, ndërsa përmbysja e lartpërmendur që u bë në pikëpamjet mbi natyrën mund të kryhej vetëm në masën që kërkimet jepnin për njohjen materialin e duhur pozitiv, — shumë kohë më parë ndodhën disa ngjarje historike, të cilat shkaktuan kthesën vendimtare në kuptimin e historisë. Më 1831 në Lion shpërtheu kryengritja e parë punëtore; në periudhën që nga viti 1838 deri në vitin 1842 e para lëvizje punëtore kombëtare, lëvizja e çartistëve anglezë, arriti kulmin e vet. Lufta klasore midis proletariatit dhe borgjezisë po dilte në plan të parë në historinë e vendeve më të zhvilluara të Evropës krahas zhvillimit, nga njëra anë, të industrisë së madhe, dhe, nga ana tjetër, — të sundimit politik të borgjezisë, që sapo ishte vendosur. Faktet tregonin gjithnjë më qartë se ato që thoshte ekonomia politike borgjeze për identitetin e interesave të kapitalit dhe të punës, për harmoninë e përgjithshme dhe për mirëqenien e përgjithshme të popullit, që duhej të vinin gjoja si pasojë e konkurrencës së lirë, ishin fund e krye gënjeshtër. Tani nuk mund të mos përfilleshin më këto fakte, ashtu siç nuk mund të mos përfillej më edhe socializmi francez dhe anglez, që ishte shprehja e tyre teorike, megjithëse shumë e papërsosur. Po kuptimi i vjetër, ende i gjallë, idealist i historisë nuk njihte asnjë luftë klase, të mbështetur në interesa materiale, dhe përgjithësisht asnjë interes material; prodhimi dhe të gjitha marrëdhëniet ekonomike përmendeshin vetëm, midis së tjerash, si elemente të dorës së dytë të «historisë së kulturës».

Faktet e reja e bënë të domosdoshme që të rishikohej gjithë historia e mëparshme, dhe atëherë doli se gjithë historia e mëparshme, me përjashtim të gjendjes primitive, ka qenë histori e luftës së klasave, se këto klasa shoqërore, që luftojnë njëra kundër tjetrës, janë në çdo çast të caktuar produkti i marrëdhënieve të prodhimit dhe të këmbimit, me një fjalë — i marrëdhënieve ekonomike të kohës; pra, u sqarua se struktura ekonomike e shoqërisë së çdo epoke të caktuar përbën bazën reale, e cila shpjegon, në fund të fundit, gjithë superstrukturën e përbërë nga institucionet juridike dhe politike, si dhe nga pikëpamjet fetare, filozofike dhe nga pikëpamjet e tjera të çdo periudhe historike të dhënë. Hegeli e çliroi kuptimin e historisë nga metafizika, ai e bëri atë dialektik, por kuptimi i tij i historisë në thelbin e vet ishte idealist. Kështu idealizmi ishte dëbuar nga strofka e vet e fundit, nga kuptimi i historisë; u dha një kuptim materialist i historisë dhe u gjend rruga për ta shpjeguar ndërgjegjen e njerëzve duke u nisur nga qenia e tyre, në vend që të shpjegohej qenia e tyre duke u nisur nga ndërgjegjja e tyre, siç bëhej më parë.

Prandaj tani socializmi nuk shikohet më si një zbulim i bërë rastësisht nga kjo ose ajo mendje gjeniale, por si rezultat i domosdoshëm i luftës midis dy klasave të lindura historikisht — midis proletariatit dhe borgjezisë. Tani detyra e tij nuk është më të ndërtojë një sistem shoqëror sa më të përsosur, por të studjojë procesin historik dhe ekonomik, pasojë e domosdoshme e të cilit qenë klasat e lartpërmendura me luftën e tyre reciproke, dhe të gjejë në gjendjen ekonomike, të krijuar nga ky proces, mjetet për zgjidhjen e konfliktit. Por socializmi i mëparshëm ishte po aq i papajtueshëm me këtë kuptim materialist të historisë, sa ka qenë i papajtueshëm me dialektikën dhe me shkencat moderne të natyrës të kuptuarit e natyrës nga materialistët francezë. Socializmi i mëparshëm, megjithëse kritikonte mënyrën ekzistuese kapitaliste të prodhimit dhe pasojat e saj, nuk ishte në gjendje ta shpjegonte atë, dhe, si rrjedhim, nuk ishte në gjendje as ta zhdukte, — ai mundi vetëm ta shpallte atë krejt të pavlefshme. Sa më shumë revoltohej ai kundër shfrytëzimit të klasës punëtore, që është i pashmangshëm në këtë mënyrë prodhimi, aq më pak ishte në gjendje të kuptonte qartë se ku qëndron ky shfrytëzim dhe si lind ai. Por detyra ishte që, nga njëra anë, të shpjegohej se lindja e mënyrës kapitaliste të prodhimit, e parë në lidhjen e saj historike, ishte e pashmangshme dhe e domosdoshme për një periudhë historike të caktuar, e, si rrjedhim, se ishte e pashmangshme edhe zhdukja e saj, dhe, nga ana tjetër, — të nxirrej gjithashtu në shesh karakteri i brendshëm dhe deri më sot ende i pazbuluar i kësaj mënyre prodhimi. Kjo u bë në saje të zbulimit të mbivlerës. U provua se përvetësimi i punës së papaguar është forma kryesore e mënyrës kapitaliste të prodhimit dhe e shfrytëzimit të punëtorëve nga ana e saj; se edhe në rastin kur kapitalisti e blen fuqinë punëtore me vlerën e plotë që ajo ka si mall në tregun e mallrave, ai prapëseprapë shtrydh prej saj një vlerë më të madhe se ajo që ai ka paguar për të, dhe se kjo mbivlerë, në fund të fundit, përbën pikërisht shumën e vlerës nga e cila grumbullohet në duart e klasave të pasura masa e kapitalit që rritet vazhdimisht. Kështu u shpjegua si kryhet prodhimi kapitalist dhe si prodhohet vetë kapitali.

Këto dy zbulime të mëdha — kuptimin materialist të historisë dhe zbulimin e të fshehtës së prodhimit kapitalist me anë të mbivlerës — ne ia detyrojmë Marksit. Në saje të këtyre zbulimeve socializmi u bë shkencë, dhe tani puna është, para së gjithash, që këtë shkencë ta përpunojmë më tej në të gjitha hollësitë dhe lidhjet e saj reciproke.

III

Kuptimi materialist i historisë niset nga teza se prodhimi, dhe fill pas prodhimit këmbimi i produkteve të tij, përbën bazën e çdo rendi shoqëror; se në çdo shoqëri që del në skenën e historisë, shpërndarja e produkteve, dhe bashkë me të edhe ndarja e shoqërisë në klasa ose në rende, përcaktohet nga ajo që prodhohet, nga mënyra si prodhohet dhe nga mënyra si këmbehen produktet e prodhimit. Pra, shkaqet e fundit të të gjitha ndryshimeve shoqërore dhe të përmbysjeve politike nuk duhen kërkuar në kokat e njerëzve, as në të kuptuarit nga ana e tyre gjithnjë më shumë të së vërtetës dhe të drejtësisë së amshuar, por në ndryshimet e mënyrës së prodhimit dhe të këmbimit; ato nuk duhen kërkuar në filozofinë, por në ekonominë e epokës përkatëse. Kur njeriu fillon të kuptojë se institucionet shoqërore ekzistuese janë të paarsyeshme dhe të padrejta, se «e arsyeshmja është bërë e paarsyeshme, e mira është bërë vuajtje»[89], — kjo është vetëm një simptomë që tregon se në metodat e prodhimit dhe në format e këmbimit janë bërë pa u kuptuar ndryshime të tilla, të cilave nuk u përshtatet më rendi shoqëror, i prerë sipas kushteve ekonomike të vjetra. Nga kjo del gjithashtu se edhe mjetet për t'i zhdukur të këqijat e zbuluar duhet të ekzistojnë — në një formë pak a shumë të zhvilluar — në vetë marrëdhëniet e ndryshuara të prodhimit. Këto mjete nuk duhen shpikur nga mendja, por duhen zbuluar me anën e mendjes në faktet materiale ekzistuese të prodhimit.

Pra, lidhur me këtë, si qëndron puna me socializmin modern?

Besoj se tani të gjithë e pranojnë se rendi shoqëror ekzistues është krijuar nga klasa që sundon sot — nga borgjezia. Mënyra e prodhimit karakteristike për borgjezinë, e cila që nga koha e Marksit quhet mënyrë kapitaliste e prodhimit, nuk pajtohej me privilegjet lokale dhe të rendeve, sikurse edhe me lidhjet personale reciproke të rendit feudal; borgjezia e shkatërroi rendin feudal dhe mbi gërmadhat e tij ngriti rendin shoqëror borgjez, mbretërinë e konkurrencës së lirë, të lirisë për të vajtur nga një vend në një tjetër, të barazisë së të drejtave të pronarëve të mallrave, — me një fjalë, të të gjitha bukurive borgjeze. Mënyra kapitaliste e prodhimit tani mund të zhvillohej lirisht. Qëkurse avulli dhe makinat e reja punuese e shndërruan manufakturën e vjetër në industri të madhe, forcat prodhuese, të krijuara nën drejtimin e borgjezisë, filluan të zhvilloheshin me një shpejtësi të padëgjuar deri atëherë dhe në përpjesëtime të pashembullta. Por ashtu sikurse manufaktura në kohën e vet dhe zejet e perfeksionuara nën ndikimin e saj ranë në konflikt me vargonjtë feudalë të esnafeve, kështu edhe industria e madhe, pasi arrin një zhvillim më të plotë, bie në konflikt me kufijtë e ngushtë që i vë mënyra kapitaliste e prodhimit. Forcat e reja prodhuese tashmë kanë shkuar përtej formës borgjeze të përdorimit të tyre. Dhe ky konflikt midis forcave prodhuese dhe mënyrës së prodhimit nuk është aspak një konflikt që ka lindur vetëm në kokat e njerëzve, — si konflikti midis mëkatit të parë njerëzor dhe drejtësisë hyjnore, — por ekziston në realitet, objektivisht, jashtë nesh, pavarësisht nga vullneti apo nga qëndrimi edhe i atyre njerëzve, veprimtaria e të cilëve e ka krijuar. Socializmi modern nuk është gjë tjetër veçse pasqyrimi në mendim i këtij konflikti real, pasqyrimi ideal i tij, para së gjithash në kokat e klasës që vuan drejtpërsëdrejti prej tij — e klasës punëtore.

Po në se qëndron ky konflikt?

Para se të lindte prodhimi kapitalist, d.m.th. në mesjetë, kudo ekzistonte prodhimi i vogël, baza e të cilit ishte prona private e punonjësve mbi mjetet e tyre të prodhimit; në fshat — bujqësia e fshatarëve të vegjël, të lirë apo bujkrobër, në qytet — zejtaria. Mjetet e punës — toka, veglat bujqësore, punishtet, veglat e zejtarit — ishin mjete pune të personave të veçantë, të bëra për t'u përdorur vetëm në mënyrë individuale, dhe, si rrjedhim, mbeteshin medoemos të vogla, të papërfillshme, të kufizuara. Dhe pikërisht për këtë arsye ato i përkisnin, zakonisht, vetë prodhuesit. T'i përqëndronte, t'i zmadhonte këto mjete prodhimi të përndara dhe të vogla, t'i shndërronte ato në leva të fuqishme moderne të prodhimit — ky ka qenë pikërisht roli historik i mënyrës kapitaliste të prodhimit dhe i bartëses së saj — borgjezisë. Se si e ka luajtur ajo historikisht këtë rol, duke filluar që nga shekulli XV, në tri shkallët e ndryshme të prodhimit: të kooperimit të thjeshtë, të manufakturës dhe të industrisë së madhe, — këto e ka përshkruar me hollësi Marksi në pjesën IV të «Kapitalit»[90]. Por borgjezia, siç e ka provuar Marksi po atje, nuk mund t'i shndërronte këto mjete të kufizuara prodhimi në forca prodhuese të fuqishme, pa i shndërruar ato nga mjete prodhimi, që përdoren nga njerëz të veçantë, në mjete shoqërore prodhimi, që përdoren vetëm bashkarisht nga një masë njerëzish. Vendin e çikrikut të tjerrjes, të vegjës së dorës dhe të majit të kovaçit e zunë makina tjerrëse, vegja mekanike dhe maji me avull; vendin e punishtes së vogël individuale — fabrika që kërkon punën e përbashkët të qindra dhe të mijëra punëtorëve. Ashtu siç ndodhi me mjetet e prodhimit, edhe vetë prodhimi u shndërrua nga një varg veprimesh të shkëputura në një varg veprimesh shoqërore, kurse produktet — nga produkte individësh të veçantë në produkte shoqërore. Filli, pëlhurat, artikujt metalikë, që dalin tani nga fabrikat dhe nga uzinat, janë produkt i punës së përbashkët të shumë punëtorëve, nëpër duart e të cilëve ato kanë kaluar sipas një radhe të caktuar, derisa, më në fund, të dilnin si artikuj të gatshëm. Asnjë individ i veçantë nuk mund të thotë për to: «Këtë e kam bërë unë, ky është produkti im».

Por atje ku formë themelore e prodhimit është ndarja natyrale e punës brenda shoqërisë, e lindur gradualisht, pa kurrfarë plani, atje kjo ndarje e punës u jep patjetër produkteve formën e mallrave, këmbimi reciprok i të cilave, blerja dhe shitja u jep mundësi prodhuesve të veçantë të plotësojnë nevojat e veta të ndryshme. Pikërisht kështu ka qenë në mesjetë. Fshatari, për shembull, i shiste zejtarit produktet bujqësore dhe blente prej tij artikuj zejtarie. Pikërisht në këtë shoqëri prodhuesish të veçantë, prodhuesish të mallrave, u fut mënyra e re e prodhimit. Në mes të ndarjes natyrale dhe pa plan të punës, që sundonte në të gjithë shoqërinë, ajo vendosi ndarjen e punës me plan në çdo fabrikë të veçantë; krahas prodhimit të prodhuesve individualë lindi prodhimi shoqëror. Produktet e njërit dhe të tjetrit shiteshin në të njëjtin treg e, si rrjedhim, me çmime, të paktën, afërsisht të njëllojta. Por organizimi me plan u tregua më i fortë se ndarja natyrale e punës; në fabrikat që përdornin punën shoqërore, prodhimi i produkteve kushtonte më lirë se sa u kushtonte prodhuesve të vegjël të përndarë. Prodhimi i prodhuesve individualë filloi të humbiste njërën fushë pas tjetrës, prodhimi shoqëror revolucionoi tërë mënyrën e vjetër të prodhimit. Megjithatë ky karakter revolucionar i prodhimit shoqëror kuptohej aq pak, saqë ky prodhim, përkundrazi, futej pikërisht si mjet për të shtuar dhe për të zgjeruar prodhimin e mallrave. Ai lindi duke qenë i lidhur drejtpërsëdrejti me leva të caktuara të prodhimit dhe të këmbimit të mallrave, të cilat ekzistonin qysh më parë: me kapitalin tregtar, me zejet dhe me punën me mëditje. Dhe pasi ai paraqitej si një formë e re e prodhimit të mallrave, format e përvetësimit, që karakterizojnë prodhimin e mallrave, mbeten plotësisht në fuqi edhe për të.

Në atë formë që ishte zhvilluar prodhimi i mallrave në mesjetë, çështja se kujt duhej t'i takonte produkti i punës as që mund të lindte. Ai prodhohej nga prodhuesi individual zakonisht me lëndën e vet të parë, të prodhuar shpeshherë po nga ai vetë, me mjetet e veta të punës dhe me duart e veta apo me duart e familjes. Një prodhues i tillë nuk kishte nevojë ta përvetësonte këtë produkt, sepse ai i takonte atij vetvetiu. Pra, e drejta e pronës mbi produktet mbështetej në punën personale. Madje edhe atje ku përdorej ndihma e të tjerëve ajo, zakonisht, luante vetëm një rol të dorës së dytë dhe shpeshherë nuk shpërblehej vetëm me pagën, por edhe me një mënyrë tjetër: çiraku dhe kallfa i esnafeve punonin jo aq për hir të ushqimit dhe të pagës që merrnin se sa për të mësuar zanatin dhe për t'u përgatitur që të bëheshin mjeshtër të pavarur. Mirëpo ja ku filloi përqendrimi i mjeteve të prodhimit në punishte dhe në manufaktura të mëdha, shndërrimi i tyre në thelb në mjete shoqërore prodhimi. Megjithatë këto mjete prodhimi dhe produkte shoqërore vazhduan t'i trajtonin sikur të ishin ende mjete prodhimi dhe produkte pune të individëve të veçantë. Në qoftë se deri në këtë kohë pronari i veglave të punës e përvetësonte produktin, sepse ky ishte, zakonisht, produkt i punës së vet, kurse puna ndihmëse e të tjerëve ishte një përjashtim, tani pronari i mjeteve të punës vazhdonte ta përvetësonte produktin, megjithëse tani ai nuk ishte më produkt i punës së tij, por produkt vetëm e vetëm i punës së huaj. Kështu, produktet e punës shoqërore filluan të përvetësoheshin jo nga ata që vërtet i vinin në lëvizje mjetet e prodhimit dhe vërtet ishin prodhuesit e këtyre produkteve, por nga kapitalisti. Mjetet e prodhimit dhe prodhimi në thelb u bënë shoqërore. Por ato nënshtrohen asaj forme të përvetësimit, që ka si premisë të vetën prodhimin privat të prodhuesve individualë kur secili është, rrjedhimisht, pronar i produktit të vet dhe e nxjerr atë në treg. Mënyra e prodhimit i nënshtrohet kësaj forme të përvetësimit, megjithëse ajo e zhduk premisën e saj[91]. Kjo kontradiktë , që i jep mënyrës së re të prodhimit karakterin e saj kapitalist, përmban në embrion të gjitha ndeshjet e kohës së sotme. Dhe sa më i plotë bëhej sundimi i mënyrës së re të prodhimit në të gjitha degët vendimtare të prodhimit dhe në të gjitha vendet ekonomikisht sunduese, duke e kufizuar kështu prodhimin e prodhuesve individualë me disa mbeturina të parëndësishme, aq më qartë duhej të shfaqej edhe papajtueshmëria e prodhimit shoqëror me përvetësimin kapitalist.

Kapitalistët e parë, siç e pamë, e gjetën të gatshme formën e punës me mëditje. Por puna me mëditje ekzistonte vetëm si përjashtim, si një veprimtari ndihmëse, e dorës së dytë, si një gjendje kalimtare. Bujku, që pajtohej herë pas here në punë me mëditje, kishte copën e vet të tokës, e cila në rastin më të keq mund edhe ta ushqente. Statutet e esnafëve kujdeseshin që çiraku i sotëm nesër të bëhej mjeshtër. Po me t'u bërë mjetet e prodhimit mjete shoqërore dhe me t'u përqendruar këto në duart e kapitalistëve, çdo gjë ndryshoi. Mjetet e prodhimit dhe produktet e prodhuesit të vogël individual zhvlerësoheshin gjithnjë më tepër, kështu që atij nuk i mbetej tjetër veçse të pajtohej te kapitalisti. Puna me mëditje, që më parë ekzistonte si një përjashtim dhe si një veprimtari ndihmëse, u bë rregull dhe forma themelore e gjithë prodhimit; nga punë e dorës së dytë, siç ishte më parë, ajo u bë tani e vetmja veprimtari e punëtorit. Punëtori, që pajtohej në punë herë pas here, u shndërrua në punëtor me mëditje përjetë. Për më tepër masa e punëtorëve me mëditje përjetë u shtua jashtëzakonisht për shkak të shembjes së rendit feudal, që ndodhi në të njëjtën kohë, për shkak të shpërndarjes së suitave të feudalëve, të dëbimit të fshatarëve nga ekonomitë e tyre etj. U bë shkëputja e plotë midis mjeteve të prodhimit, të përqëndruara në duart e kapitalistëve, nga njëra anë, dhe prodhuesve që nuk kishin asgjë përveç fuqisë së tyre punëtore, nga ana tjetër. Kontradikta midis prodhimit shoqëror dhe përvetësimit kapitalist shfaqet si antagonizëm midis proletariatit dhe borgjezisë.

Pamë se mënyra kapitaliste e prodhimit u fut në një shoqëri të përbërë prej prodhuesish të mallrave, prej prodhuesish individuale, midis të cilëve lidhja shoqërore bëhej nëpërmjet këmbimit të produkteve të tyre. Por veçoria e çdo shoqërie, që mbështetet në prodhimin e mallrave, është se në këtë shoqëri prodhuesit e humbasin pushtetin mbi marrëdhëniet e veta shoqërore. Secili prodhon për llogari të vet, me mjetet e prodhimit që zotëron rastësisht dhe për nevojat e veta individuale të këmbimit. Askush nuk e di se ç'sasi nga produkti që ai prodhon do të dalë në treg dhe ç'sasi e këtij produkti mund të gjejë konsumatorë; askush nuk e di nëse i nevojitet me të vërtetë dikujt produkti i prodhuar prej tij, nëse ai do t'i nxjerrë shpenzimet e prodhimit dhe përgjithësisht nëse do të shitet ai apo jo. Në prodhimin shoqëror sundon anarkia. Por prodhimi i mallrave, sikurse çdo formë tjetër e prodhimit, ka ligjet e veta të posaçme, të brendshme dhe të pandara prej tij; dhe këto ligje e çajnë rrugën e vet pavarësisht nga anarkia, në mes të kësaj anarkie dhe nëpërmjet saj. Këto ligje shfaqen në të vetmen formë të lidhjes shoqërore, që ka mbetur — në këmbimin — dhe veprojnë mbi prodhuesit individualë si ligje detyruese të konkurrencës. Pra, në fillim ato nuk njihen as nga vetë prodhuesit dhe mund të zbulohen nga këta vetëm dalëngadalë, me anën e një përvoje të gjatë. Pra, ato e çajnë rrugën e vet pavarësisht nga prodhuesit dhe kundër prodhuesve; si ligje natyrore të formës së tyre të prodhimit, që veprojnë gorrazi. Produkti sundon mbi prodhuesit.

Në shoqërinë mesjetare, sidomos në shekujt e parë, prodhimi ishte orientuar, kryesisht, kah konsumi personal. Ai plotësonte, në radhë të parë, vetëm nevojat e vetë prodhuesit dhe të familjes së tij. Dhe atje ku, si në fshat, kishte marrëdhënie të varësisë personale, prodhimi plotësonte edhe nevojat e feudalit. Pra, këtu nuk kishte kurrfarë këmbimi dhe produktet nuk merrnin karakterin e mallrave. Familja fshatare prodhonte pothuajse çdo gjë që i nevojitej: vegla dhe veshje, sikurse edhe ushqimin. Ajo filloi të prodhonte për shitje vetëm atëherë kur filloi të prodhonte një tepricë mbi sasinë që i nevojitej për konsumin e vet dhe për të shlyer detyrimet që kishte në natyrë ndaj feudalit; kjo tepricë, që hidhej në këmbimin shoqëror dhe caktohej për shitje, bëhej mall. Zejtarët e qyteteve qenë të detyruar, sigurisht, qysh në fillim të prodhonin për këmbim. Por edhe ata e siguronin pjesën më të madhe të sendeve që u duheshin për konsumin vetjak me punën e vet personale; ata kishin kopshte dhe ara të vogla, e kullotnin bagëtinë në pyllin e komunës, i cili përveç kullotës u jepte edhe lëndën e ndërtimit e dru për zjarr; gratë tirrnin li, lesh etj. Prodhimi me qëllim këmbimi, prodhimi i mallrave sapo kishte filluar të lindte. Ky është shkaku i karakterit të kufizuar të këmbimit, i karakterit të kufizuar të tregut, i stabilitetit të mënyrës së prodhimit, i izolimit lokal përsa u përket marrëdhënieve me botën e jashtme, i bashkimit lokal përsa i përket jetës së brendshme: marka[92] në fshat, esnafet në qytet.

Por me zgjerimin e prodhimit të mallrave dhe sidomos me lindjen e mënyrës kapitaliste të prodhimit, ligjet e prodhimit të mallrave, të cilat më parë dremitnin, filluan të vepronin më haptazi dhe me forcë më të madhe. Lidhjet e vjetra ishin tronditur, pengesat e dikurshme ishin shkatërruar dhe prodhuesit po shndërroheshin gjithnjë më tepër në prodhues të përndarë dhe të pavarur mallrash. Anarkia e prodhimit shoqëror u shfaq haptazi, duke marrë një karakter gjithnjë më të ashpër. Por vegla kryesore, me anën e së cilës mënyra kapitaliste e prodhimit e shtonte anarkinë në prodhimin shoqëror, ishte krejt e kundërta e anarkisë: ishte organizimi gjithnjë më i madh i prodhimit si prodhim shoqëror në çdo ndërmarrje të veçantë prodhimi. Me anën e kësaj leve mënyra kapitaliste e prodhimit i dha fund stabilitetit paqësor të dikurshëm. Duke depërtuar në këtë apo atë degë të industrisë, ajo flakte tej metodat e vjetra të prodhimit. Duke shtënë në dorë zejtarinë, ajo shkatërronte zejtarinë e vjetër. Fusha e punës u bë fushë beteje. Zbulimet e mëdha gjeografike dhe kolonizimi, që erdhi pas tyre, e zgjeruan shumë sferën e shitjes dhe e shpejtuan shndërrimin e zejtarisë në manufakturë. Lufta nuk zhvillohej më vetëm midis prodhuesve lokalë individualë; përleshjet lokale, nga ana e vet, u zgjeruan dhe muarën përpjesëtimet e një lufte midis kombeve, përpjesëtimet e luftërave tregtare të shekujve XVII dhe XVIII[93]. Më në fund, industria e madhe dhe lindja e tregut botëror i dhanë kësaj lufte një karakter të përgjithshëm dhe në të njëjtën kohë një ashpërsi të padëgjuar. Në marrëdhëniet midis kapitalistëve të veçantë, sikurse edhe midis degëve të tëra të prodhimit dhe midis vendeve të tëra, çështja e ekzistencës vendoset nga kushtet e favorshme të prodhimit natyror apo të krijuara artificialisht, që ka çdonjëri prej tyre. Të mundurit eliminohen pa mëshirë. Kjo është lufta darvinistë për ekzistencën e individit, e bartur — me një egërsi të dhjetëfishuar — nga natyra në shoqëri. Gjendja që kanë kafshët në natyrë paraqitet si kulmi i zhvillimit njerëzor. Kontradikta midis prodhimit shoqëror dhe përvetësimit kapitalist riprodhohet si antagonizëm midis organizimit të prodhimit në fabrikat e veçanta dhe anarkisë së prodhimit në gjithë shoqërinë.

Brenda këtyre dy formave, në të cilat shfaqet kontradikta që karakterizon mënyrën kapitaliste të prodhimit për shkak të prejardhjes së saj, lëviz, pa mund të dalë prej tyre, kjo mënyrë prodhimi, duke përshkruar një «rreth vicioz», të cilin Furjeja e kishte zbuluar në të në kohën e vet. Por Furjeja në kohën e vet, sigurisht, ende nuk mund të shihte se ky rreth sa vete ngushtohet, se lëvizja e prodhimit kryhet më tepër në formë spiraleje dhe, ashtu si lëvizja e planetëve, duhet të përfundojë duke u ndeshur me qendrën. Forca lëvizëse e anarkisë shoqërore të prodhimit e shndërron gjithnjë më tepër shumicën e njerëzimit në proletarë, kurse masat proletare, nga ana e vet, do ta zhdukin në fund të fundit anarkinë e prodhimit. E njëjta forcë lëvizëse e anarkisë sociale të prodhimit e shndërron mundësinë e perfeksionimit të pafund të makinave që përdoren në industrinë e madhe në ligj detyrues për çdo kapitalist industrial të veçantë, në një ligj që e urdhëron atë t'i përsosë vazhdimisht makinat e veta nga frika e rrënimit të plotë. Por përsosja e makinave e bën të tepërt një sasi të caktuar pune njerëzore.

Ndërsa futja dhe përhapja e makinave solli zëvendësimin e miliona punëtorëve të punës së dorës me pak punëtorë që drejtojnë makinat, përsosja e makinave sjell zëvendësimin e një numri gjithnjë më të madh punëtorësh që punojnë me makina dhe, më në fund, rrit shumë ofertën e krahëve të punës, që është më e madhe se kërkesa mesatare e kapitalit për to.

Masa e punëtorëve që s'ka punë formon ushtrinë e vërtetë rezervë të industrisë, siç e kam quajtur atë qysh në vitin 1845[94], e cila vihet në dispozicion të prodhimit, kur ai punon me kapacitet të plotë, dhe flaket në rrugë të madhe nga falimentoja që vjen në mënyrë të pashmangshme pas çdo periudhe gjallërimi; kjo ushtri, që qëndron gjithë kohën si një barrë e rëndë mbi supet e klasës punëtore në luftën për ekzistencë midis saj dhe kapitalit, shërben si një rregulluese e pagës, duke e mbajtur atë në një nivel të ulët, sipas nevojave të kapitalit. Kështu del se makina, po të përdorim fjalët e Marksit, bëhet arma më e fuqishme e kapitalit kundër klasës punëtore, se mjeti i punës ia rrëmben vazhdimisht nga duart punëtorit mjetet e jetesës dhe vetë produkti i punëtorit bëhet vegël për skllavërimin e tij[95]. Kjo bën që kursimi i mjeteve të punës qysh në fillim të jetë në të njëjtën kohë shpërdorimi më i pamëshirshëm i fuqisë punëtore dhe një grabitje e kushteve normale të funksionimit të punës[96], se makina, ky mjet shumë i fuqishëm për shkurtimin e kohës së punës, bëhet mjeti më i sigurt për ta kthyer gjithë jetën e punëtorit dhe të familjes së tij në kohë pune potenciale për të rritur vlerën e kapitalit. Ja pse puna e tepërt e një pjese të klasës punëtore sjell papunësinë e plotë të pjesës tjetër të saj, ndërsa industria e madhe, e cila kërkon konsumatorë në të katër anët e botës, e kufizon në vendin e vet konsumin e masave punëtore me një minimum sa për të mbajtur shpirtin gjallë dhe në këtë mënyrë e minon tregun e vet të brendshëm. «Ligji që ekuilibron vazhdimisht superpopullsinë relative, ose ushtrinë rezervë të industrisë, me përpjesëtimet dhe me energjinë e akumulimit të kapitalit, e mbërthen punëtorin pas kapitalit më fort se ç'e pat mbërthyer Prometeun pas shkëmbit çekani i Hefestit. Ky ligj sjell një akumulim mjerimi që i përgjigjet akumulimit të kapitalit. Si rrjedhim, akumulimi i pasurisë në njërin pol është njëkohësisht akumulim mjerimi, mundimesh të punës, skllavërie, padijeje, egërsimi dhe degradimi moral në polin tjetër, d.m.th. në anën e klasës që «produktin e vet e prodhon si kapital» (K. Marks, «Kapitali», f. 671)[97]. Të presësh nga mënyra kapitaliste e prodhimit një shpërndarje tjetër të produkteve do të ishte njësoj si të kërkoje që elektrodet e baterisë, duke qenë të lidhura me të, të mos e shpërbënin me ujin dhe të mos grumbullonim në polin pozitiv oksigjen dhe në polin negativ — hidrogjen.

Pamë se si aftësia e makinave moderne për t'u përsosur, e çuar deri në shkallën më të lartë, shndërruhet, për shkak të anarkisë së prodhimit në shoqëri, në një ligj detyrues, që i bën kapitalistët e veçantë industrialë t'i përmirësojnë vazhdimisht makinat e veta dhe ta shtojnë vazhdimisht fuqinë prodhuese të tyre. Në një ligj po aq detyrues shndërrohet për ta edhe mundësia e thjeshtë praktike për të zgjeruar përpjesëtimet e prodhimit të vet. Aftësia kolosale që ka industria e madhe për t'u zgjeruar, në krahasim me të cilën aftësia për t'u zgjeruar që kanë gazet është një lojë e vërtetë fëmijësh, shfaqet tani si nevojë për ta zgjeruar këtë industri edhe nga pikëpamja e cilësisë edhe nga pikëpamja e sasisë, — nevojë që nuk merr parasysh asnjë kundërveprim. Ky kundërveprim vjen nga konsumi, nga shitja, nga tregjet për produktet e industrisë së madhe. Kurse aftësia e tregjeve për një zgjerim si ekstensiv, ashtu edhe intensiv përcaktohet nga ligje krejt të tjera, që veprojnë me një energji shumë më të vogël. Zgjerimi i tregjeve nuk e arrin dot zgjerimin e prodhimit. Ndeshja bëhet e pashmangshme, dhe meqenëse ajo nuk është në gjendje ta zgjidhë konfliktin derisa të mos hedhë në erë vetë mënyrën kapitaliste të prodhimit, ajo herë pas here përsëritet. Prodhimi kapitalist lind një «rreth vicioz» të ri.

Dhe në të vërtetë, duke filluar qysh nga viti 1825, kur shpërtheu e para krizë e përgjithshme, gjithë bota industriale dhe tregtare, prodhimi dhe këmbimi i të gjithë popujve të qytetëruar, së bashku me shtojcat e tyre pak a shumë barbare, afërsisht një herë në dhjetë vjet dalin nga binarët. Tregtia bie në amulli, tregjet mbushen plot e përplot me produkte që nuk gjejnë shitje, paraja zhduket nga qarkullimi, krediti ndërpritet, fabrikat nuk punojnë, punëtorët mbeten pa mjete jetese, sepse ata i kanë prodhuar këto mjete jetese në sasi të tepërt; falimentot dhe shitjet në ankand vijnë njëra pas tjetrës. Amullia zgjat me vite, masa të mëdha forcash prodhuese dhe produktesh shpërdorohen dhe asgjësohen, derisa sasitë e mallrave të grumbulluara të shiten më në fund me çmime pak a shumë të ulura dhe derisa lëvizja e prodhimit dhe e këmbimit të rifillojë gradualisht. Pak nga pak kjo lëvizje shpejtohet, hapi zëvendësohet nga troku, troku industrial kthehet në galop, i cili kalon në revan të tërbuar, në një garë të vërtetë me pengesa, që përfshin industrinë, tregtinë, kreditin dhe spekulimin në mënyrë që, në fund të fundit, pas këcimeve më të rrezikshme të bjer përsëri në greminën e falimentos. Dhe kështu gjithmonë nga e para. Që nga viti 1825 ne e kemi jetuar pesë herë këtë cikël dhe tani (më 1877) po e jetojmë për të gjashtën herë. Karakteri i këtyre krizave është shprehur aq qartë, saqë Furjeja e ka kapur thelbin e të gjitha këtyre krizave, duke e quajtur të parën prej tyre crise pléthorique, krizë nga bollëku.

Në krizat kontradikta midis prodhimit shoqëror dhe përvetësimit kapitalist shpërthen me një forcë të papërmbajtur. Qarkullimi i mallrave përkohësisht ndërpritet; mjeti i qarkullimit — paraja — bëhet pengesë për qarkullimin; të gjitha ligjet e prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave veprojnë së prapthi. Ndeshja ekonomike arrin kulmin e vet: mënyra e prodhimit ngre krye kundër mënyrës së këmbimit.

Fakti që organizimi shoqëror i prodhimit brenda fabrikave ka arritur një shkallë të tillë zhvillimi, saqë është bërë i papajtueshëm me anarkinë e prodhimit që ekziston krah për krah me të dhe mbi të në shoqëri, — ky fakt bëhet i kuptueshëm edhe për vetë kapitalistët në saje të koncentrimit të dhunshëm të kapitaleve, që bëhet në kohën e krizave duke u rrënuar shumë kapitalistë të mëdhenj dhe një numër edhe më i madh kapitalistësh të vegjël. Gjithë mekanizmi i mënyrës kapitaliste të prodhimit refuzon të funksionojë nën peshën e forcave prodhuese, që ajo vetë ka krijuar. Ai nuk është më në gjendje ta shndërrojë në kapital tërë masën e mjeteve të prodhimit; ato mbeten pa u vënë në punë, prandaj edhe ushtria rezervë e industrisë është e detyruar të rrijë pa punë. Mjete prodhimi, mjete jetese, punëtorë që gjenden në dispozicion të kapitalit, — të gjitha këto elemente të prodhimit dhe të mirëqenies së përgjithshme janë me bollëk. Por «bollëku bëhet burim skamjeje dhe mjerimi» (Furje), sepse ishte pikërisht ajo që e pengon shndërrimin e mjeteve të prodhimit dhe të mjeteve të jetesës në kapital. Sepse në shoqërinë kapitaliste mjetet e prodhimit nuk mund të vihen në veprim ndryshe, veçse duke u shndërruar në fillim në kapital, d.m.th. në një mjet për shfrytëzimin e fuqisë punëtore njerëzore. Si një fantazmë qëndron midis punëtorëve, nga njëra anë, dhe mjeteve të prodhimit e të jetesës, nga ana tjetër, nevoja e shndërrimit të këtyre mjeteve në kapital. Vetëm ajo e pengon bashkimin e levave materiale dhe personale të prodhimit; vetëm ajo nuk i lë mjetet e prodhimit të veprojnë, dhe punëtorët — të punojnë e të jetojnë. Pra, nga njëra anë, mënyra kapitaliste e prodhimit tregohet e paaftë për t'i drejtuar më tej forcat prodhuese. Nga ana tjetër, vetë forcat prodhuese përpiqen me forcë gjithnjë më të madhe ta zhdukin këtë kontradiktë, ta çlirojnë veten nga çdo gjë që i karakterizon ato si kapital, të njihet praktikisht karakteri i tyre si forca prodhuese shoqërore.

Ky kundërveprim i forcave prodhuese që rriten me vrull ndaj karakterit kapitalist të tyre, kjo nevojë gjithnjë e më e madhe që të njihet natyra shoqërore e tyre e detyron vetë klasën e kapitalistëve t'i trajtojë ato gjithnjë e më shpesh, me sa është përgjithësisht e mundshme kjo në kushtet e marrëdhënieve kapitaliste, si forca prodhuese shoqërore. Si periudhat e hovit industrial me kreditin e tyre jashtëzakonisht të fryrë, ashtu dhe vetë falimentot, që i rrënojnë ndërmarrjet e mëdha kapitaliste, çojnë në një formë të tillë shoqërizimi të masave të mëdha të mjeteve të prodhimit, si ajo që hasim në shoqëritë e ndryshme aksionare. Disa nga këto mjete prodhimi dhe komunikacioni, si për shembull hekurudhat, nga vetë natyra e tyre janë aq të mëdha, saqë ato e përjashtojnë çdo formë tjetër shfrytëzimi kapitalist. Në një shkallë të caktuar të zhvillimit edhe kjo formë bëhet e pamjaftueshme; të gjithë prodhuesit e mëdhenj të së njëjtës degë të industrisë së një vendi të dhënë bashkohen në një «trust», në një bashkim, me qëllim që të rregullojnë prodhimin.

Ata caktojnë shumën e përgjithshme të asaj që duhet prodhuar, e ndajnë atë midis tyre dhe imponojnë qysh më parë një çmim të caktuar shitjeje. Dhe meqë këto truste qysh në pengesën e parë që hasin, në pjesën më të madhe shpërndahen, ato shkaktojnë në këtë mënyrë një shoqërizim edhe më të koncentruar: një degë e tërë e industrisë shndërrohet në një shoqëri aksionare të vetme shumë të madhe, konkurrenca brenda vendit zëvendësohet nga monopoli i kësaj shoqërie brenda vendit përkatës. Pikërisht kështu ndodhi më 1890 me prodhimin anglez të alkaleve, i cili pas shkrirjes së të 48 fabrikave të mëdha kaloi në duart e një shoqërie të vetme, të drejtuar nga një qendër e vetme, me një kapital prej 120 milion markash.

Në trustet konkurrenca e lirë shndërrohet në monopol, ndërsa prodhimi pa plan i shoqërisë kapitaliste kapitullon përpara prodhimit me plan të shoqërisë së ardhshme socialiste. Ç'është e vërteta, në fillim kjo bëhet vetëm në dobi të kapitalistëve dhe për të mirën e tyre. Por në këtë formë të vetën shfrytëzimi bëhet aq i qartë, saqë duhet të zhduket. Asnjë popull nuk do të duronte për një kohë të gjatë një prodhim të drejtuar nga trustet dhe një shfrytëzim kaq të hapët të gjithë shoqërisë nga një bandë e vogël njerëzish që jetojnë me qethjen e kuponave[98].

Në një mënyrë apo në një tjetër, me truste apo pa truste, në fund të fundit shteti, si përfaqësues zyrtar i shoqërisë kapitaliste, është i detyruar[99] të marrë përsipër drejtimin e prodhimit. Kjo nevojë për t'i bërë pronë shtetërore lind, para së gjithash, për mjetet e mëdha të komunikacionit: postat, telegrafin dhe hekurudhat.

Por kohët e fundit, qëkurse Bismarku u hodh në rrugën e shtetëzimit, doli një farë socializmi i rremë, që vende-vende ka degjeneruar në një lloj më vete servilizmi vullnetar, i cili shpall pa asnjë rezervë si socialist çdo shtetëzim, madje edhe shtetëzimin e Bismarkut. Po qe se monopoli shtetëror i duhanit është socializëm, atëherë Napoleoni dhe Meterniku duhet të vihen patjetër në radhët e themeluesve të socializmit. Kur shteti belg, duke u nisur nga arsyet më të rëndomta politike dhe financiare, mori përsipër t'i ndërtonte vetë hekurudhat kryesore; kur Bismarku pa as më të voglën nevojë ekonomike i bëri pronë të shtetit vijat hekurudhore më të rëndësishme të Prusisë vetëm e vetëm që të kishte mundësi t'i organizonte dhe t'i përdorte më lehtë në rast lufte, që t'i stërviste nëpunësit e hekurudhave dhe t'i bënte ata një kope të gatshme për të votuar në favor të qeverisë dhe sidomos që të kishte një burim të ri të ardhurash, të pavarur nga parlamenti, — të gjitha këto nuk ishin aspak një hap drejt socializmit, as i drejtpërdrejtë as i tërthortë, as i vetëdijshëm as i pavetëdijshëm. Përndryshe duhet të njihen si institucione socialiste Seehandlung[100] mbretërore, manufaktura mbretërore e porcelanit, madje edhe rrobaqepësitë e kompanive në ushtri, ose edhe shtetëzimi... i shtëpive publike, që u propozua me seriozitet nga një i mençur në kohën e Fridrih-Vilhelmit III në vjetët 1830-1840.

Nëse krizat kanë treguar se borgjezia është e paaftë të drejtojë më tej forcat prodhuese moderne, shndërrimi i ndërmarrjeve të mëdha të prodhimit dhe i mjeteve të komunikacionit në shoqëri aksionare, në truste dhe në pronë të shtetit provon se borgjezia është e panevojshme për këtë qëllim. Të gjitha funksionet shoqërore të kapitalistit plotësohen tani nga nëpunës me mëditje. Për kapitalistin nuk ka mbetur veprimtari tjetër shoqërore përveçse të shtjerë në xhep të ardhurat, të qethë kuponat dhe të spekulojë në bursë, ku kapitalistët e ndryshëm ia rrëmbejnë kapitalet shoqi-shoqit. Ndërsa më parë mënyra kapitaliste e prodhimit eliminonte punëtorët, tani ajo eliminon edhe kapitalistët, ndonëse hëpërhë pa i hedhur ende në ushtrinë rezervë të industrisë, por vetëm në radhët e popullsisë së tepërt.

Por as kalimi në duart e shoqërive aksionare dhe të trusteve as shndërrimi në pronë shtetërore nuk e zhdukin karakterin kapitalist të forcave prodhuese. Për shoqëritë aksionare dhe për trustet kjo është krejt e qartë. Dhe shteti i sotëm prapëseprapë nuk është gjë tjetër veçse organizata që krijon shoqëria borgjeze për të mbrojtur kushtet e jashtme të përgjithshme të mënyrës kapitaliste të prodhimit nga çdo atentat si nga ana e punëtorëve, ashtu edhe të kapitalistëve të veçantë. Shteti i sotëm, cilado qoftë forma e tij, është nga vetë thelbi i vet një makinë kapitaliste, shtet i kapitalistëve, kapitalist kolektiv ideal. Sa më shumë forca prodhuese ai bën pronë të vetën, aq më i plotë do të jetë shndërrimi i tij në kapitalist kolektiv dhe aq më i madh do të jetë numri i qytetarëve që ai do të shfrytëzojë. Punëtorët do të mbeten punëtorë me mëditje, proletarë. Marrëdhëniet kapitaliste nuk zhduken, por, përkundrazi, çohen deri në kulm, deri në pikën më të lartë. Por në pikën më të lartë bëhet përmbysja. Prona shtetërore mbi forcat prodhuese nuk e zgjidh konfliktin, por ajo përmban në vetvete mjetin formal, mundësinë e zgjidhjes së tij.

Kjo zgjidhje nuk mund të jetë tjetër veçse kjo: të njihet me të vërtetë natyra shoqërore e forcave prodhuese të sotme dhe, si rrjedhim, mënyra e prodhimit, e përvetësimit dhe e këmbimit t'i përshtatet karakterit shoqëror të mjeteve të prodhimit. Dhe kjo mund të bëhet vetëm në qoftë se shoqëria merr në zotërimin e vet haptazi dhe pa kurrfarë dredhish forcat prodhuese që janë bërë tepër të mëdha për çdo mënyrë tjetër drejtimi, përveç drejtimit shoqëror. Kështu karakteri shoqëror i mjeteve të prodhimit dhe i produkteve, i cili tani kthehet kundër vetë prodhuesve dhe trondit periodikisht mënyrën e prodhimit dhe të këmbimit, duke e çarë rrugën vetëm si një ligj i verbër i natyrës, me dhunë dhe në mënyrë shkatërrimtare, — ky karakter shoqëror do të përdoret atëherë nga prodhuesit me vetëdije të plotë dhe, nga shkak i çrregullimeve dhe i krizave periodike, do të bëhet një levë shumë e fuqishme e vetë prodhimit.

Forcat shoqërore, ashtu si forcat e natyrës, veprojnë verbërisht, me dhunë dhe në mënyrë shkatërrimtare sa kohë që nuk i njohim dhe nuk i përfillim ato. Por me t'i njohur ato, me ta kuptuar veprimin, drejtimin dhe ndikimin e tyre, varet vetëm prej nesh që t'ia nënshtrojmë ato gjithnjë më shumë vullnetit tonë dhe me ndihmën e tyre të arrijmë qëllimet tona. Kjo vlen sidomos për forcat e fuqishme prodhuese të sotme. Sa kohë që ne të ngulim këmbë për të mos kuptuar natyrën dhe karakterin e tyre, — dhe këtë gjë e kundërshtojnë mënyra kapitaliste e prodhimit dhe mbrojtësit e saj, — forcat prodhuese veprojnë pa marrë parasysh vullnetin tonë, kundër nesh, ato sundojnë mbi ne, siç është provuar me hollësi më sipër. Por me t'u kuptuar natyra e tyre, ato mund të shndërrohen në duart e prodhuesve të bashkuar nga sundimtarë demoniakë në shërbëtorë të bindur. Këtu kemi po atë ndryshim që ekziston midis fuqisë shkatërrimtare të elektricitetit në rrufetë gjatë stuhisë dhe elektricitetit të sunduar në aparatin telegrafik dhe në harkun voltaik, kemi po atë ndryshim që ekziston midis zjarrit shkatërrimtar dhe zjarrit që është vënë në shërbim të njeriut. Kur forcat prodhuese të sotme do të trajtohen në përputhje me natyrën e tyre të njohur më në fund, anarkia shoqërore në prodhim do të zëvendësohet nga rregullimi shoqëror i planifikuar i prodhimit në përputhje me nevojat si të shoqërisë në tërësi, ashtu dhe të secilit anëtar te saj veç e veç. Atëherë mënyra kapitaliste e përvetësimit, në të cilën produkti skllavëron më parë prodhuesin, e pastaj edhe përvetësuesin, do të zëvendësohet me një mënyrë të re përvetësimi, të mbështetur në vetë natyrën e mjeteve të sotme të prodhimit: nga njëra anë, me përvetësimin shoqëror të drejtpërdrejtë të produkteve si mjete për të mbajtur më këmbë dhe për të zgjeruar prodhimin, nga ana tjetër, — me përvetësimin e tyre individual të drejtpërdrejtë si mjete jetese dhe kënaqësie.

Duke e shndërruar gjithnjë e më tepër shumicën dërrmuese të popullsisë në proletarë, mënyra kapitaliste e prodhimit krijon një forcë, e cila, përballë rrezikut të vdekjes, është e detyruar ta bëjë këtë përmbysje. Duke e bërë gjithnjë më të domosdoshme shndërrimin e mjeteve të mëdha të shoqërizuara të prodhimit në pronë shtetërore, mënyra kapitaliste e prodhimit e tregon vetë rrugën që të çon drejt kësaj përmbysjeje. Proletariati merr në dorë pushtetin shtetëror dhe i shndërron mjetet e prodhimit, para së gjithash, në pronë shtetërore. Por me këtë ai zhduk vetveten si proletariat, me këtë ai zhduk të gjitha dallimet klasore dhe antagonizmat klasorë dhe njëkohësisht edhe shtetin si shtet. Për shoqërinë që ka ekzistuar dhe që ekziston deri më sot dhe e cila lëviz në mes antagonizmash klasorë, ishte i domosdoshëm shteti, d.m.th. një organizatë e klasës shfrytëzuese për të mbajtur kushtet e saj të jashtme të prodhimit, pra, sidomos për ta mbajtur me dhunë klasën e shfrytëzuar në kushtet e shtypjes, të përcaktuara nga mënyra përkatëse e prodhimit (skllavëria, bujkrobëria apo varësia feudale, puna me mëditje). Shteti ishte përfaqësuesi zyrtar i gjithë shoqërisë, ishte përqëndrimi i saj në një korporatë të dukshme, por ai ishte i tillë vetëm përderisa ishte shtet i asaj klase, që për epokën e vet përfaqësonte ajo vetë gjithë shoqërinë: në lashtësi ai ishte shtet i skllavopronarëve — i qytetarëve të shtetit, në mesjetë — shtet i fisnikërisë feudale — në kohën tonë — shtet i borgjezisë.

Kur shteti të bëhet, më në fund, me të vërtetë përfaqësuesi i gjithë shoqërisë, atëherë ai vetë bëhet i tepërt. Kur të mos ketë asnjë klasë shoqërore që të jetë nevoja të mbahet e nënshtruar, kur të zhduken bashkë me sundimin klasor, bashkë me luftën për ekzistencën individuale, që lind nga anarkia e sotme e prodhimit, ndeshjet dhe tepërimet që burrojnë nga kjo luftë, atëherë nuk do të ketë më se çfarë të shtypësh, nuk do të ketë më nevojë as për një forcë të posaçme shtypëse, për shtetin. Akti i parë, me të cilin shteti del me të vërtetë si përfaqësues i gjithë shoqërisë — marrja nën zotërim e mjeteve të prodhimit në emër të shoqërisë, — është në të njëjtën kohë akti i fundit i pavarur si shtet. Atëherë ndërhyrja e pushtetit shtetëror në marrëdhëniet shoqërore dalëngadalë bëhet e tepërt në njërën degë pas tjetrës dhe pushon vetiu. Vendin e qeverisjes së personave do ta zërë administrimi i sendeve dhe drejtimi i proceseve të prodhimit. Shteti nuk «hiqet», ai shuhet. Në bazë të kësaj duhet vlerësuar fraza në lidhje me «shtetin e lirë popullor»[101], frazë që e pati për një kohë të drejtën e ekzistencës si mjet agjitacioni, por që, në fund të fundit, shkencërisht është e pathemeltë. Në bazë të kësaj duhet vlerësuar gjithashtu kërkesa e të ashtuquajturve anarkistë, që shteti të hiqet me sot me nesër.

Që nga koha kur në skenën e historisë doli mënyra kapitaliste e prodhimit, marrja nën zotërim nga ana e shoqërisë e të gjitha mjeteve të prodhimit është përfytyruar shpeshherë si një ideal pak a shumë i turbullt i së ardhmes qoftë nga individë të veçantë, qoftë nga sekte të tëra. Por ajo u bë e mundshme, u bë një domosdoshmëri historike vetëm atëherë kur u krijuan kushtet materiale për ta vënë në jetë. Si çdo përparim tjetër shoqëror, ajo bëhet e realizueshme jo sepse është kuptuar që ekzistenca e klasave është në kundërshtim me drejtësinë, me barazinë etj., jo sepse ekziston dëshira e thjeshtë që të zhduken klasat, por sepse ekzistojnë kushte të reja të caktuara ekonomike. Ndarja e shoqërisë në klasa — shfrytëzuese dhe të shfrytëzuara, sunduese dhe të shtypura — ka qenë pasojë e pashmangshme e zhvillimit të dobët të prodhimit në të kaluarën. Derisa tërë puna shoqërore jep një prodhim që mezi i kalon mjetet më të domosdoshme të jetesës për të gjithë, pra, derisa puna u merr tërë ose pothuajse tërë kohën shumicës dërrmuese të anëtarëve të shoqërisë, kjo shoqëri ndahet medoemos në klasa. Krahas kësaj shumice dërrmuese, që merret vetëm me punë të detyruar, formohet një klasë që është e çliruar nga puna prodhuese e drejtpërdrejtë dhe që merret me të tilla punë të përgjithshme të shoqërisë, siç janë drejtimi i punës, çështjet shtetërore, drejtësia, shkencat, artet etj. Pra, në themel të ndarjes në klasa qëndron ligji i ndarjes së punës. Megjithatë, kjo nuk e ka përjashtuar aspak përdorimin e dhunës, të grabitjes, të dinakërisë dhe të mashtrimit kur janë formuar klasat dhe nuk e ka penguar klasën sunduese, që ka rrëmbyer pushtetin, ta përforcojë pozitën e vet në kurriz të klasave punonjëse dhe ta shndërrojë drejtimin e shoqërisë në shfrytëzim intensiv të masave.

Prandaj, në qoftë se ndarja në klasa ka, në këtë mënyrë, një farë justifikimi historik, ajo e ka atë vetëm për një periudhë të caktuar dhe në kushte shoqërore të caktuara. Ajo kushtëzohej nga pamjaftueshmëria e prodhimit dhe do të zhduket me zhvillimin e plotë të forcave prodhuese të sotme. Dhe vërtet, zhdukja e klasave shoqërore parakupton të jetë arritur një shkallë e tillë zhvillimi historik, në të cilën është anakronizëm dhe diçka që i ka kaluar koha jo vetëm ekzistenca e kësaj apo asaj klase sunduese të caktuar, por edhe e çfarëdo klase sunduese në përgjithësi, dhe, si rrjedhim, edhe vetë ndarja në klasa. Pra, zhdukja e klasave parakupton një shkallë aq të lartë zhvillimi të prodhimit, në të cilën përvetësimi i mjeteve të prodhimit dhe i produkteve nga ana e një klase shoqërore të veçantë — e bashkë me to edhe i sundimit politik, i monopolit të arsimit dhe i drejtimit intelektual, — jo vetëm bëhet i tepërt, por është edhe një pengesë për zhvillimin ekonomik, politik dhe intelektual. Kjo shkallë tani është arritur. Dështimi politik dhe intelektual i borgjezisë nuk është më sekret as për atë vetë, ndërsa dështimi ekonomik i saj përsëritet rregullisht në çdo dhjetë vjet. Me rastin e çdo krize shoqërisë i zihet fryma nën barrën e rëndë të forcave të veta prodhuese dhe të produkteve të veta, të cilat ajo nuk ka mundësi t'i përdorë, dhe mbetet e pafuqishme përballë kontradiktës absurde: prodhuesit nuk mund të konsumojnë, sepse s'mjaftojnë konsumatorët. Forca e zgjerimit e mjeteve të sotme të prodhimit i këput prangat që kishte hedhur mënyra kapitaliste e prodhimit. Çlirimi i mjeteve të prodhimit nga këto pranga është i vetmi kusht paraprak për një zhvillim të pandërprerë dhe gjithnjë më të shpejtë të forcave prodhuese, e prandaj — edhe për një rritje praktikisht të pakufishme të vetë prodhimit. Por kjo nuk mjafton. Shndërrimi i mjeteve të prodhimit në pronë shoqërore zhduk jo vetëm frenimin e sotëm artificial të prodhimit, por edhe shpërdorimin dhe asgjësimin e hapët të forcave prodhuese dhe të produkteve, që janë sot bashkudhëtarë të pashmangshëm të prodhimit dhe arrijnë përpjesëtimet e veta më të mëdha në krizat. Përveç kësaj, ky shndërrim i kursen shoqërisë një sasi shumë të madhe mjetesh prodhimi dhe produktesh duke eliminuar luksin e çmendur dhe shkapërderdhjen e klasave sunduese të sotme dhe të përfaqësuesve të tyre politikë. Mundësia për t'u siguruar gjithë anëtarëve të shoqërisë me anë të prodhimit shoqëror jo vetëm kushte materiale ekzistence krejt të mjaftueshme dhe dita-ditës më të mira, por edhe një zhvillim dhe përdorim krejt të lirë të aftësive të tyre fizike dhe mendore, — kjo mundësi është arritur tani për herë të parë, por tani ajo është arritur me të vërtetë[102].

Me t'i marrë shoqëria mjetet e prodhimit nën zotërimin e vet, do të zhduket prodhimi i mallrave, dhe bashkë me të edhe sundimi i produktit mbi prodhuesit. Anarkia në prodhimin shoqëror zëvendësohet nga organizimi i ndërgjegjshëm me plan. Lufta për ekzistencën individuale merr fund. Kështu njeriu shkëputet — në një farë kuptimi përfundimisht — nga mbretëria e shtazëve, kalon nga kushtet shtazore të ekzistencës në kushte me të vërtetë njerëzore. Kushtet e jetesës, që rrethojnë njerëzit dhe që deri më sot kanë sunduar mbi ta, tani vihen nën pushtetin dhe nën kontrollin e njerëzve, të cilët për herë të parë bëhen sundimtarë të vërtetë dhe të ndërgjegjshëm të natyrës, sepse ata bëhen zotër të bashkimit të vet në shoqëri. Ligjet e veprimeve të tyre shoqërore, që deri më sot kanë qëndruar përballë njerëzve si ligje të huaja, si ligje të natyrës, që kanë sunduar mbi ta, do të përdoren nga njerëzit me njohje të plotë të çështjes dhe prandaj do t'i nënshtrohen sundimit të tyre. Bashkimi i njerëzve në shoqëri, që deri më sot ka qëndruar përballë tyre si i imponuar nga lart nga natyra dhe historia, tani bëhet një punë e lirë e tyre. Forcat objektive, të huaja, që deri më sot kanë sunduar mbi historinë, vihen nën kontrollin e vetë njerëzve. Dhe vetëm që nga ky çast njerëzit do të fillojnë ta krijojnë ata vetë në mënyrë krejt të ndërgjegjshme historinë e tyre, vetëm atëherë shkaqet shoqërore, që ata do të vënë në lëvizje, do të sjellin në një masë të ndjeshme dhe gjithnjë më të madhe pasojat që ata dëshirojnë. Ky është një këcim i njerëzimit nga mbretëria e domosdoshmërisë në mbretërinë e lirisë.

Për të përfunduar po bëjmë një përmbledhje të shkurtër të procesit të zhvillimit, që kemi parashtruar.

  1. Shoqëria mesjetare: Prodhimi i vogël individual. Mjetet e prodhimit janë bërë për t'u përdorur në mënyrë individuale dhe prandaj janë trashanike dhe primitive, të vogla, me efekt të papërfillshëm. Prodhimi ka si qëllim konsumin e drejtpërdrejtë të produkteve nga vetë prodhuesi apo nga zoti i tij feudal. Vetëm atje ku ka një tepricë prodhimi mbi konsumin e drejtpërdrejtë, kjo tepricë shitet dhe hyn në këmbim: pra, prodhimi i mallrave është vetëm në procesin e lindjes; por qysh në këtë kohë ai përmban në embrion anarkinë e prodhimit shoqëror.

  2. Revolucioni kapitalist: Përmbysje në industri, që bëhet në fillim me anën e kooperimit të thjeshtë dhe të manufakturës. Koncentrim në punishte të mëdha i mjeteve të prodhimit, që deri në këtë kohë ishin të përndara, dhe shndërrim i tyre, në këtë mënyrë, nga mjete individuale prodhimi në mjete shoqërore, — shndërrim që në përgjithësi nuk prek formën e këmbimit. Format e vjetra të përvetësimit mbeten në fuqi. Del në skenë kapitalisti: si pronar i mjeteve të prodhimit ai përvetëson edhe produktet dhe i shndërron ato në mallra. Prodhimi bëhet akt shoqëror; ndërsa këmbimi, dhe bashkë me të edhe përvetësimi i produkteve, mbeten akte individuale, akte të personave të veçantë: produkti i punës shoqërore përvetësohet nga kapitalisti i veçantë. Kjo përbën pikërisht kontradiktën themelore, prej nga rrjedhin të gjitha kontradiktat, në të cilat lëviz shoqëria e sotme dhe të cilat duken veçanërisht qartë në industrinë e madhe.

    1. Shkëputje e prodhuesit nga mjetet e prodhimit. Punëtori është i dënuar të mbetet përjetë punëtor me mëditje. Antagonizëm midis proletariatit dhe borgjezisë.
    2. Dalin më tepër në pah ligjet që sundojnë mbi prodhimin e mallrave dhe intensifikohet veprimi i tyre. Konkurrencë e shfrenuar. Kontradiktë midis organizimit shoqëror në çdo fabrikë të veçantë dhe anarkisë shoqërore në tërë prodhimin.*
    3. Nga njëra anë — perfeksionim i makinave, që në saje të konkurrencës është bërë një ligj detyrues për çdo fabrikant të veçantë dhe që sjell në të njëjtën kohë eliminimin gjithnjë më të madh të punëtorëve nga fabrikat: lind ushtria rezervë e industrisë. Nga ana tjetër — zgjerim i pakufishëm i prodhimit, që gjithashtu është bërë një ligj detyrues i konkurrencës për çdo fabrikant. Nga të dyja anët — zhvillimi i padëgjuar i forcave prodhuese, ofertë shumë më të madhe se kërkesa, superprodhim, tregjet mbushen plot e përplot me mallra, kriza që përsëriten në çdo dhjetë vjet, një rreth vicioz: këtu — tepricë mjetesh prodhimi dhe produktesh, atje — tepricë punëtorësh pa punë dhe pa mjete ekzistence. Por të dyja këto leva të prodhimit dhe të mirëqenies shoqërore nuk mund të bashkohen, sepse forma kapitaliste e prodhimit nuk i lejon forcat prodhuese të veprojnë dhe produktet të qarkullojnë ndryshe, pa u shndërruar ato më parë në kapital, gjë që pengohet pikërisht sepse janë me tepricë. Kjo kontradiktë rritet deri në absurditet: mënyra e prodhimit ngre krye kundër formës së këmbimit. Borgjezia tregon kështu paaftësinë e vet për t'i drejtuar më tej forcat e veta prodhuese shoqërore.
    4. Njihet pjesërisht karakteri shoqëror i forcave prodhuese dhe kjo njohje u imponohet vetë kapitalistëve. Organizmat e mëdhenj të prodhimit dhe të komunikacionit shndërrohen në fillim në pronë të kompanive aksionare, më vonë — të trusteve, dhe pastaj — edhe të shtetit. Borgjezia bëhet klasë e tepërt; të gjitha funksionet e saj shoqërore kryhen tani nga nëpunës me mëditje.
  3. Revolucioni proletar, zgjidhja e kontradiktave: proletariati merr në dorë pushtetin shoqëror dhe me forcën e këtij pushteti i shndërron mjetet shoqërore të prodhimit, që po u dalin dore borgjezisë, në pronë të të gjithë shoqërisë. Me këtë ai i çliron forcat prodhuese nga çdo gjë që deri në këtë kohë i karakterizonte ato si kapital, dhe i jep liri të plotë zhvillimit të natyrës së tyre shoqërore. Tani e tutje bëhet i mundshëm prodhimi shoqëror sipas një plani të studjuar qysh më parë. Zhvillimi i prodhimit e bën anakronizëm ekzistencën e mëtejshme të klasave shoqërore të ndryshme. Në masën që zhduket anarkia e prodhimit shoqëror, shuhet edhe autoriteti politik i shtetit. Njerëzit, që janë bërë, më në fund, zotër të qenies së tyre shoqërore, bëhen për shkak të kësaj zotër të natyrës, zotër të vetvetes — të lirë.

Të kryejë këtë akt çlirimtar të botës — ky është misioni historik i proletariatit të sotëm. Të studjojë kushtet historike, dhe bashkë me këtë edhe vetë natyrën e kësaj përmbysjeje dhe, në këtë mënyrë, t'i shpjegojë klasës, që sot është e shtypur e që ka për mision ta kryejë këtë akt, kushtet dhe natyrën e veprës së saj — kjo është detyra e socializmit shkencor, që është shprehja teorike e lëvizjes proletare.

Shënime


  1. Shkruar nga F. Engelsi në janar — gjysma e parë e marsit 1880 Botuar në revistën «La Revue socialiste» Nr. Nr. 3, 4, 5; 20 mars; 20 prill; 5 maj 1880 dhe si broshurë më vete frëngjisht: F. Engels. «Socialisme utopique et socialisme scientifique». Paris, 1880. Botohet sipas veprave të zgjedhura të K. Marksit e të F. Engelsit, bot. shqip, 1975, vëll. II, f. 91-160. ↩︎

  2. Këtë hyrje Engelsi e shkroi për botimin anglisht të veprës së tij «Zhvillimi i socializmit nga utopia në shkencë» që doli në Londër më 1892 e përkthyer nga E. Evelingu me titullin «Socializmi utopik dhe socializmi shkencor» Si shtesë për këtë botim Engelsi përfshiu edhe studimin «Marka» të shkruar prej tij më 1882 (shih K. Marks e F. Engels. Veprat, bot. i 2-të rus., vëll. 19, f. 327-345). — 3. ↩︎

  3. Kongresin e Gotës më 22-27 maj 1875 u bë bashkimi i dy tendencave në lëvizjen punëtore gjermane: i Partisë Punëtore Socialdemokrate (ajzenahase), të kryesuar nga A. Bebeli dhe nga V. Libknehti, dhe i Bashkimit të Përgjithshëm të Punëtorëve Gjermanë (lasalianë). Partia e bashkuar u quajt Partia Punëtore Socialiste e Gjermanisë. Me këtë iu dha fund përçarjes në radhët e klasës punëtore gjermane. Mirëpo në projektprogramin e partisë së bashkuar që iu paraqit Kongresit të Gotës kishte gabime serioze dhe në të i bëheshin lëshime parimore lasalizmit. Marksi dhe Engelsi, ndërsa aprovuan faktin e krijimit të një partie unike socialiste të Gjermanisë, u ngritën kundër kompromisit ideologjik me lasalianët, ata u bënë një kritikë të ashpër tezave të projektprogramit, i cili, megjithatë, u pranua nga kongresi vetëm me disa ndreqje të vogla. — 3. ↩︎

  4. Bimetalizmi — sistem monetar, në të cilin funksionet e parasë i kryejnë njëkohësisht dy metale valutore: ari dhe argjendi. — 4. ↩︎

  5. «Marka» — komuna e vjetër gjermane. Me titullin «Marka» Engelsi dha në një shtojcë të botimit të parë gjermanisht të veprës së vet «Zhvillimi i socializmit nga utopia në shkencë» një studim të shkurtër të historisë së fshatarësisë gjermane që nga kohërat e lashta. Red. ↩︎

  6. — duke u diskutuar. Red. ↩︎

  7. Në tekstin gjermanisht të botuar në revistën «Die Neue Zeit» fillimi i hyrjes deri te fjalët «me rregullimin e tyre» është lënë jashtë. Red. ↩︎

  8. Në tekstin gjermanisht pas fjalës së «respektabilitetit» është shtuar: «d.m.th. të filisteizmit britanik». Red. ↩︎

  9. Agnosticizmi — (nga fjalët greke: a — jo, gnosis — njohje) — rrymë në filozofi, e cila e quan të pamundshme njohjen e realitetit objektiv dhe, si rrjedhim, mohon të vërtetën objektive. Në kuadrin e agnosticizmit ka ndryshime, veçanërisht, midis Kantit, që pranon ekzistencën e botës objektive, «të sendeve në vetvete», që nuk mund të njihen nga ne, dhe Hjumit, që vë në dyshim ekzistencën e botës objektive. Por si njëri ashtu dhe tjetri mohojnë realitetin objektiv si burim të ndijimeve dhe të perceptimeve tona. Sot agnosticizmi ka dalë sheshit si një variant i filozofisë idealiste reaksionare, i cili lufton kundër njohjes shkencore të ligjeve të natyrës dhe të zhvillimit të shoqërisë. — 8. ↩︎

  10. Nominalistët — përfaqësues të një rryme në filozofinë mesjetare, e cila i quante konceptet e përgjithshme të gjinisë si emra, — si fryt i mendimit dhe i gjuhës njerëzore, — që vlejnë vetëm për të përcaktuar sendet e veçanta që ekzistojnë realisht. Në kundërshtim me realistët mesjetarë, nominalistët mohonin ekzistencën e koncepteve si prototipe dhe burime krijuese të sendeve. Pra, ata pranonin se materia është primare dhe koncepti — sekondar. Në këtë kuptim nominalizmi është shprehja e parë e materializmit në kohën e mesjetës. — 8. ↩︎

  11. Homeomeritë — sipas teorisë së filozofit të vjetër grek Anaksagora janë pjesëza materiale shumë të vogla, cilësisht të përcaktuara dhe të ndashme deri në pambarim. Anaksagora ishte i mendimit se homeomeritë përbënin bazën fillestare të çdo gjëje ekzistuese dhe se nga kombinimi i tyre rrjedhin të gjitha llojet e sendeve. — 9. ↩︎

  12. «Qual» është një lojë fjalësh filozofike «Qual» fjalë për fjalë do të thotë mundim, dhimbje, e cila shtyn për ndonjë veprim. Në të njëjtën kohë mistiku Bëme i jep kësaj fjale gjermanishte edhe diçka nga kuptimi i fjalës latinishte qualitas [cilësi]. «Quali» i tij është — në kundërshtim me dhimbjen e shkaktuar nga jashtë — një faktor aktiv, që lind nga një zhvillim spontan i sendit, i raportit ose i individit që i nënshtrohet atij, dhe i cili gjithashtu, nga ana e vet shkakton këtë zhvillim. [Në tekstin gjermanisht ky shënim i Engelsit nuk është dhënë. Red.] ↩︎

  13. Në tekstin gjermanisht pas fjalës «i materies» vazhdon fraza e mëposhtme nga «Familja e shenjtë» e që është lënë jashtë në botimin anglisht: «Format fillestare të materies janë forca natyrore të gjalla, individualizuese, që kanë lindur bashkë me të dhe që shkaktojnë ndryshime specifike». Red. ↩︎

  14. Në tekstin gjermanisht më poshtë jepen këto fjalë që janë lënë jashtë në botimin anglisht: «Lëvizja fizike i bëhet fli lëvizjes mekanike ose asaj matematike». Red. ↩︎

  15. Teiste — që janë karakteristike për teizmin, për dogmën fetare që njeh ekzistencën e një zoti të vetëm personal, krijues të gjithësisë; teizmi është i papajtueshëm me botëkuptimin shkencor. — 11. ↩︎

  16. Sensualizmi (nga latinishtja: sensualis, që ka të bëjë me shqiset) — rrymë filozofike, sipas së cilës të gjitha ndijimet (ndjenjat, perceptimet, dëshirat) janë e vetmja bazë dhe i vetmi burim i njohjes dhe i kapaciteteve psikike të njeriut. — 11. ↩︎

  17. Deizmi — rrymë filozofiko-teologjike, që mohon idenë e një zoti personal, por pranon ekzistencën e zotit si shkak të parë pavetor të krijimit të botës. Në kushtet e sundimit të botëkuptimit kishtar feudal deizmi shfaqej shpesh si formë e mbuluar e materializmit dhe e ateizmit. Më vonë, nën maskën e deizmit fshihej dëshira e ideologëve borgjezë përta ruajtur dhe për ta justifikuar fenë, duke flakur vetëm dogmat dhe ritet kishtare më absurde dhe më të komprometuara. — 11. ↩︎

  18. Marks dhe Engels. «Familja e shenjtë», Frankfurt-mbi-Majn, 1845, f. 201-204[19]. ↩︎

  19. Tekstin e cituar shihe te K. Marksi e F. Engelsi. Veprat, bot. i 2-të rus., vëll. 2, f. 142-144 ose në «Mbi fenë», bot. shqip, 1970, f. 72-75. — 11. ↩︎

  20. Një nga të pesë librat e parë të Biblës. Red. Përkth. ↩︎

  21. Ekspozita industriale e vitit 1851 — ekspozita e parë botërore tregtare-industriale; qëndroi e hapur prej majit deri në tetor të vitit 1851 në Londër. — 13. ↩︎

  22. Kisha zyrtare anglikane angleze — lindi në shekullin XVI gjatë luftës së mbretërve anglezë kundër papës së Romës. Kreu i kishës ishte mbreti. Nga fillimi i shekullit XVII përkrahu vazhdimisht rrymat konservatore në jetën politike të Anglisë. — 13. ↩︎

  23. Baptistët, një nga sektet më të përhapura të fesë së krishterë. Komunitetet e para të baptistëve u formuan në shekullin XVII në Angli dhe në kolonitë e Amerikës. «Ushtria e shpëtimit» — organizatë filantropike reaksionare e krishterë borgjeze, që u themelua në Londër në vitin 1865 nga prifti Buts për t'u dhënë të ashtuquajturën ndihmë «shpirtërore» dhe materiale të varfërve. Një nga detyrat e saj kryesore ishte predikimi i moralit fetar dhe propaganda reaksionare për të errësuar ndërgjegjen e masave të popullit. Ka organizatat e veta në SHBA dhe në shumë vende të tjera kapitaliste, veçanërisht në kolonitë, ku ndihmon për zbatimin e politikës koloniale. Është e organizuar në mënyrë ushtarake. Ajo është vegël në duart e borgjezisë reaksionare, që drejtohet kundër lëvizjes punëtore dhe demokratike. — 13. ↩︎

  24. — prodhuar në Gjermani. Red.
    Në të vërtetë, ç'është agnosticizmi në mos materializëm «i druajtur»? po të përdorim fjalën kuptimplotë lankashiriane?[25]. Pikëpamja e agnostikut në lidhje me natyrën është fund e krye materialiste. Gjithë bota natyrore drejtohet nga ligje dhe përjashton absolutisht çdo ndërhyrje nga jashtë. Por, — shton agnostiku, — ne nuk jemi në gjendje të provojmë nëse ekziston apo nuk ekziston çfarëdo qenie më e lartë jashtë botës që ne njohim. Kjo vërejtje mund të kishte një farë vlerë në ato kohëra kur Laplasi pyetjes së Napoleonit pse në «Mekanikën qiellore» të këtij astronomi të madh as që përmendet fare krijuesi i botës iu përgjigj me krenari: «Je n'avais pas besoin de cette hypothèse»[26]. Kurse sot, ideja që ne kemi për zhvillimin e gjithësisë nuk lë fare vend as për krijuesin as për rregulluesin. Po edhe sikur të donim të pranonim ekzistencën e ndonjë qenieje më të lartë, jashtë gjithë botës ekzistuese, kjo në vetvete do të ishte një kontradiktë dhe, veç asaj, mendoj unë, një fyerje e pamerituar për ndjenjat e njerëzve fetarë. ↩︎

  25. Në tekstin gjermanisht fjalët «po të përdorim fjalën kuptimplotë lankashiriane» janë lënë jashtë. Red. ↩︎

  26. «Nuk kisha nevojë për këtë hipotezë». Red. ↩︎

  27. «Në fillim ka qenë veprimi» (Gëte, «Faust», pjesa I, skena e tretë («Kabineti i Faustit»)). Red. ↩︎

  28. Në tekstin gjermanisht ky aforizëm jepet në gjuhën anglishte: The proof of pudding is in the eating. Red. ↩︎

  29. Në tekstin gjermanisht fjalët «këtë ne e quajmë arsyetim të gabuar» janë lënë jashtë. Red. ↩︎

  30. — në mënyrë abstrakte. Red. ↩︎

  31. Spiritualizmi — doktrinë idealiste, që e shpall shpirtin si parimin e parë të botës; adeptët e kësaj doktrine thonë se shpirti ekziston në mënyrë të pavarur nga trupi. — 15. ↩︎

  32. — në rastin konkret, në praktikë. Red. ↩︎

  33. Në tekstin gjermanisht pas fjalëve: «respektabiliteti britanik» është shtuar: «i cili gjermanisht quhet filisteizëm». Red. ↩︎

  34. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalëve «respektabilitetin britanik» është shtypur: «për respektabilitetin e filistinit britanik». Red. ↩︎

  35. Në tekstin gjermanisht duke filluar prej këtu e deri te paragrafi që fillon me fjalët: «Pikënisja e re ishte një kompromis» (f. 24 e këtij libri) shprehjet që përdor Engelsi: «middle class», «bourgeoisie» jepen me termin: «byrgerët» («Bürgerthum»); më poshtë këto shprehje përkthehen prej tij me termin «borgjezia» («Bourgeoisie»). Red. ↩︎

  36. Shizmatike (nga greqishtja: «skhisma» — ndarje); ky term është përdorur në letërsinë e fesë së krishterë dhe nganjëherë në letërsinë historike për të treguar besnikët e kishës së Lindjes pas ndarjes më 1054 midis Kostantinopolit dhe Romës. — 20. ↩︎

  37. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalës: «e gjatë» është shtypur: «e madhe». Red. ↩︎

  38. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalëve «e pushtetit qendror» është shtypur: «e pushtetit qendror perandorak». Red. ↩︎

  39. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalës «e princërve» është shtypur: «e princërve të vegjël gjermanë». Red. ↩︎

  40. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalës «jomenria» është shtypur: «fshatarësia e mesme» (yeomenry). Red. ↩︎

  41. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalëve «kryengritjet e mëdha të borgjezisë» është shtypur: «revolucionet e mëdha borgjeze». Red. ↩︎

  42. Në tekstin gjermanisht fjalët «gjë që borgjezia nuk mund ta bënte kurrë vetëm» janë lënë jashtë. Red. ↩︎

  43. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalëve «e kaloi atë pikë përtej së cilës ai vetë nuk mund të përmbahej më» është shtypur: «shkoi përtej qëllimit». Red. ↩︎

  44. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalës «respektabiliteti» është shtypur: «filisteizmi». Red. ↩︎

  45. Me emrin «revolucion i lavdishëm» në historiografinë borgjeze angleze u quajt grushti i shtetit i vitit 1688, si rezultat i të cilit në Angli u përmbys dinastia e Stjuartëve dhe u vendos një monarki kushtetuese me në krye Vilhelm Oranzhin (prej vitit 1689) e mbështetur në një kompromis midis aristokracisë pronare të tokës dhe borgjezisë së madhe. — 24. ↩︎

  46. Në tekstin gjermanisht këtu dhe më poshtë shprehja «middle class» është përkthyer si dhe shprehja «bourgeoisie» me termin: «borgjezia». Red. ↩︎

  47. Lufta midis Trëndafilit të Kuq dhe atij të Bardhë (1455-1485) quhet lufta e përfaqësuesve të dy fiseve feudale angleze që grindeshin midis tyre për fronin e Jorkëve, që kishin në stemën e tyre një trëndafil të bardhë, dhe e Lankasterëve, që mbanin në stemë një trëndafil të kuq. Me Jorkët ishin grumbulluar një pjesë e feudalëve të mëdhenj të Jugut, që ishte më i zhvilluar ekonomikisht, kalorësit dhe qytetarët; Lankasterët përkraheshin nga aristokracia feudale e kontëve veriore. Lufta solli shfarosjen e fiseve të vjetra feudale dhe përfundoi me ardhjen në fuqi të një dinastie të re, të asaj të Tudorëve, që vendosi në Angli absolutizmin. — 24. ↩︎

  48. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalëve «vende të rehatshme dhe me rroga të majme» është shtypur: «postet, sinekuret, rrogat e mëdha». Red. ↩︎

  49. Në tekstin gjermanisht pas fjalës «e re» është shtuar: «ateiste». Red. ↩︎

  50. Shprehje nga parathënia e Hobsit për librin e tij «De Cive» («Mbi qytetarin»), të shkruar në Paris në vitin 1642. — 27. ↩︎

  51. Filozofia karteziane — doktrinë e pasuesve të filozofit francez të shekullit XVII Dekart (latinisht — Cartesius), që nxirrnin nga filozofia e tij konkluzione materialiste — 27. ↩︎

  52. Engelsi ka parasysh «Deklaratën e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit» që u adoptua nga Asambleja Kushtetuese më 1789, në të cilën ishin formuluar parimet politike të rendit të ri borgjez. Deklarata u përfshi në kushtetutën franceze të vitit 1791. «Deklarata» e vitit 1791 shërbeu si bazë për «Deklaratën e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit» që hartuan jakobinasit më 1793 dhe ishte paraardhëse e kushtetutës së parë republikane të Francës, të cilën e adoptoi Konventa Kombëtare më 1793. — 28. ↩︎

  53. Code civil (Kodi civil) — një nga të pesë kodet e hartuara në Francë gjatë vjetëve 1804-1810, në kohën e Napoleonit I (së këtejmi është bërë zakon të quhet edhe Kodi i Napoleonit), të cilat përbëjnë gjithë sistemin juridik borgjez. Engelsi e quajti Kodin civil të adoptuar më 1804 përmbledhje klasike të ligjeve të shoqërisë borgjeze. — 28. ↩︎

  54. — shkruhet Londër dhe shqiptohet Konstantinopël. Red. ↩︎

  55. Shih shën. 43. Red. Përkth. ↩︎

  56. Është fjala për reformën e së drejtës elektorale, që u adoptua më 1831 nga Dhoma e komuneve të Anglisë dhe u ratifikua nga Dhoma e lordëve në qershor të vitit 1832. Kjo reformë drejtohej kundër monopolit politik të aristokracisë financiare dhe asaj pronare të tokës dhe ua hapte dyert e parlamentit përfaqësuesve të borgjezisë industriale. Proletariati dhe borgjezia e vogël, që ishin forcat kryesore që luftonin për reformën, u mashtruan nga borgjezia liberale dhe nuk i fituan të drejtat elektorale. — 31, 34. ↩︎ ↩︎

  57. Të ashtuquajturat ligje të drithit, që kishin për qëllim të kufizonin ose të ndalonin importimin e drithit nga jashtë, u vunë në Angli për të mbrojtur interesat e lendlordëve (të pronarëve të mëdhenj të tokave). Lufta midis borgjezisë industriale dhe aristokracisë së tokës për shkak të ligjeve të drithit përfundoi në vitin 1846 me bilin që shpalli heqjen e tyre. — 31. ↩︎ ↩︎

  58. Vëlla Xhonatani — emër ironik me të cilin anglezët quanin amerikanët në kohën e luftës për pavarësi të kolonive të Anglisë në Amerikën e Veriut (1775-1783). Revivalizmi — rrymë e kishës protestante, që lindi në Angli në gjysmën e parë të shekullit XVIII dhe që u përhap në Amerikën Veriore; adeptët e saj synonin që me anë predikimesh fetare dhe duke organizuar komunitete të reja besimtarësh të forconin dhe të përhapnin ndikimin e fesë së krishterë. — 33. ↩︎

  59. Edhe në marrëdhëniet tregtare mendjemadhësia, që lind nga shovinizmi kombëtar, është këshilltare shumë e keqe. Deri në kohët e fundit fabrikanti i zakonshëm anglez e quante si një gjë poshtëruese për anglezin të fliste gjuhë tjetër përveç gjuhës së vet, dhe deri diku mburrej për faktin që të huajt «e gjorë» vijnë në Angli dhe e çlirojnë atë nga mundimi që t'i shesë jashtë prodhimet e veta. Ai bile as që e vinte re se këta të huaj, në pjesën më të madhe gjermanë, në këtë mënyrë shtinë në dorë pjesën më të madhe të tregtisë së jashtme angleze — importimin jo më pak se eksportimin — dhe se tregtia e jashtme, që bënin drejtpërdrejt anglezët, dalngadalë filloi të kufizohej me kolonitë, me Kinën, me Shtetet e Bashkuara dhe me Amerikën Jugore. Edhe më pak ai vinte re se këta gjermanë bënin tregti me gjermanë të tjerë jashtë, dhe se këta të fundit me kalimin e kohës krijuan një rrjet të tërë kolonish tregtare në gjithë botën. Dyzet vjet më parë, kur Gjermania filloi të prodhonte seriozisht për eksport, këto koloni tregtare gjermane i shërbyen asaj më së miri për ta shndërruar atë brenda një kohe kaq të shkurtër nga një vend që eksportonte drithëra, në një vend industrial të dorës së parë. Më në fund, dhjetë vjet më parë, fabrikanti anglez filloi të shqetësohej dhe pyeti ambasadorët dhe konsujt e vet si kishte ndodhur që ai nuk ishte në gjendje t'i mbante klientët e vet. Të gjithë u përgjigjën njëzëri kështu: 1) ju nuk mësoni gjuhën e blerësit tuaj, por kërkoni që ai të flasë gjuhën tuaj, dhe 2) ju jo vetëm që nuk bëni përpjekje për t'i kënaqur nevojat, zakonet dhe shijet e blerësit tuaj, por keni arritur të kërkonit që ai të pranojë zakonet dhe shijet tuaja, angleze, ↩︎

  60. Është fjala për reformën parlamentare të vitit 1867 që u bë nga qeveria konservatore Debri-Dizrael nën presionin e lëvizjes së masave punëtore. Këshilli i Përgjithshëm i Internacionales I mori pjesë aktive në lëvizjen për reformën. Si rezultat i reformës së vitit 1867 numri i zgjedhësve në Angli u rrit më se dy herë, fitoi të drejtën e votës edhe një pjesë e punëtorëve të kualifikuar. — 35. ↩︎

  61. Vigët — parti politike e formuar në fillim të vjetëve 1880-1890, që shprehte interesat e aristokracisë së borgjezuar dhe të borgjezisë së madhe tregtare e financiare dhe kërkonte të kufizonte pushtetin mbretëror. Nga mesi i shekullit XIX kjo parti u shkri me disa grupe të tjera politike, duke formuar partinë e liberalëve. — 36. ↩︎

  62. Toritë — anëtarë të një partie politike që u formua në fund të shekullit XVII dhe që shprehte interesat e aristokracisë së tokës dhe të klerit të lartë, mbronte traditat feudale dhe luftonte kundër realizimit të kërkesave të liberalëve dhe të progresistëve të epokës. Në mes të shekullit XIX nga kjo parti lindi partia konservatore. — 36. ↩︎

  63. Në tekstin gjermanisht pas fjalës «shtëpie» është shtuar: «(e drejtë që e gëzonte çdo njeri që banonte në një shtëpi individuale)». Red. ↩︎

  64. Socializmi i katedrës është një nga rrymat e ideologjisë borgjeze në vjetët 1870-1900, përfaqësuesit e së cilës, para së gjithash profesorët e universiteteve gjermane, predikonin nga katedrat e universiteteve (këtej vjen dhe emri «socializëm i katedrës») si socializëm reformizmin borgjez. Lindja e socializmit të katedrës u kushtëzua nga frika e klasave shfrytëzuese përpara përhapjes së marksizmit dhe rritjes së lëvizjes punëtore si dhe nga orvatjet e ideologëve borgjezë për të gjetur mjete të reja për nënshtrimin e masave punonjëse. Përfaqësuesit e socializmit të katedrës (A. Vagneri, G. Shmoleri, L. Brentanoja, V. Zombarti etj.) pohonin se shteti është një institucion mbiklasor që pajton klasat armike dhe fut gradualisht «socializmin», pa i prekur interesat e kapitalistëve. Programi i socializmit të katedrës kufizohej me organizimin e sigurimit të punëtorëve nga sëmundjet dhe nga aksidentet, me marrjen e disa masave në fushën e legjislacionit të fabrikave etj. dhe kishte për qëllim t'i largonte punëtorët nga lufta e klasave. Socializmi i katedrës ka qenë një nga burimet ideologjike të revizionizmit. — 37. ↩︎

  65. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalëve «për të përkrahur lloj-lloj revivalizmi» është shtypur: «për të përdorur të gjitha mënyrat e mundshme të demagogjisë fetare». Red. ↩︎

  66. Ritualizmi — rrymë që u formua brenda kishës anglikane në vjetët 1830-1840; adeptët e saj bënin thirrje për të rivendosur në kishën anglikane ritet katolike (së këtejmi vjen dhe emri i saj) dhe disa dogma të katolicizmit. — 38. ↩︎

  67. Në tekstin gjermanisht në vend të fjalëve «i respektabilitetit britanik» është shtypur: «i filisteizmit të respektueshëm britanik». Red. ↩︎

  68. — kreshmë. Red. ↩︎

  69. — fjalë për fjalë: pas feste, d.m.th. me vonesë. Red. ↩︎

  70. — forca e inercisë. Red. ↩︎

  71. Engelsi ka parasysh punimet dhe shkrimet e L Brentanos që i kushtoen tredunioneve angleze. Në to ai e ngrë tredunionizmin anglez si model të organizimit të klasës punëtore që jep gjoja mundësi për të arritur në kushtet e kapitalizmit një përmirësim rrënjësor të gjendjes së punëtorëve dhe për të shpëtuar nga shfrytëzimi kapitalist. Sipas pohimeve të Brentanos dhe të socialistëve të tjerë të katedrës, bashkimet profesionale të organizuara mirë e bëjnë të tepërt luftën politike dhe partinë politike të klasës punëtore. Në veprën «Brentano contra Marks» Engelsi zbuloi karakterin e rremë dhe kuptimin klasor të këtyre pohimeve. — 40. ↩︎

  72. Ja se ç'thotë Hegeli për revolucionin francez: «Ideja e së drejtës, kuptimi i saj, fitoi menjëherë dhe shtyllat e vjetra të padrejtësisë nuk qenë në gjendje t'i bënin asnjë qëndresë. Ideja e së drejtës u bë themeli i kushtetutës dhe tani çdo gjë duhet të mbështetet te ajo. Qëkurse në qiell ndrit dielli dhe planetët vërtiten rreth tij nuk ishte parë që njeriu të qëndronte me kokë poshtë, d.m.th. të mbështetej te ideja dhe ta ndërtonte realitetin duke u mbështetur te ajo. Anaksagora ka qenë i pari që tha se Nûsi, d.m.th. arsyeja, drejton botën, por vetëm tani njeriu pranoi për të parën herë se ideja duhet të drejtojë realitetin shpirtëror. Ky ishte një agim madhështor. Të gjitha qeniet, që mendojnë, e përshëndetën me gëzim fillimin e epokës së re. Në atë kohë sundonte një entuziazëm i madh dhe gjithë botën e pushtoi entuziazmi i shpirtit, sikur për të parën herë u bë pajtimi i hyjnores me botën» (Hegel, «Filozofia e historisë», 1840, f. 535). A nuk ka ardhur, më në fund, koha që kundër kësaj doktrine të rrezikshme të të ndjerit profesor Hegel, që përmbys bazat e shoqërisë, të vihet në veprim ligji kundër socialistëve?[103] ↩︎

  73. Sipas teorisë së Rusoit të zhvilluar në «Kontratën shoqërore» etj. njerëzit primitivë jetonin në kushte natyrore dhe ishin të gjithë të barabartë. — 45. ↩︎

  74. Anabaptistët (nga greqishtja: ana — ri, baptizëm — me zhytur në ujë, pagëzim) — anëtarë të një sekti fetar, që e quan pagëzimin e fëmijëve si të pávlefshëm dhe që ia nënshtron adeptët e vet një pagëzimi të dytë, në moshën kur njeriu arrin të arsyetojë. — 46. ↩︎

  75. Engelsi ka parasysh «levelerët e mirëfilltë» («barazimtarët e mirëfilltë») ose «digerët» («rrëmihësit») — përfaqësues të rrymës ekstremiste të majtë në kohën e revolucionit borgjez anglez të shekullit XVII. Duke shprehur interesat e shtresave më të varfëra të fshatit e të qytetit, ata kërkonin që të zhdukej prona private e tokës, propagandonin idetë e komunizmit primitiv barazimtar dhe mundoheshin t'i zbatonin ato në praktikë me punimin kolektiv të tokave të komunës. — 46. ↩︎

  76. Engelsi ka parasysh para së gjithash veprat e përfaqësuesve të komunizmit utopik — T. Mor («Utopia», botuar më 1516) dhe T. Kampanela («Qyteti i Diellit», botuar më 1623). — 46. ↩︎

  77. Koha e terrorit — periudha e diktaturës demokratike-revolucionare të jakobinëve (qershor 1793-korrik 1794), kur si përgjigje për terrorin kundërrevolucionar të zhirondistëve dhe të ruajalistëve jakobinët vunë në zbatim terrorin revolucionar. — 48. ↩︎

  78. Direktorati (përbëhej nga pesë direktorë, njëri prej të cilëve zëvendësohej çdo vit nga një tjetër) — organ drejtues i pushtetit ekzekutiv në Francë, i themeluar në bazë të kushtetutës së vitit 1795 të adoptuar pas rënies më 1794 të diktaturës revolucionare të jakobinëve; ekzistoi deri para grushtit bonapartist të shtetit të vitit 1799; praktikonte regjimin e terrorit kundër forcave demokratike dhe mbronte interesat e borgjezisë së madhe. — 48. ↩︎

  79. Është fjala për parullën e revolucionit borgjez francez të fundit të shekullit XVIII: «Liri, barazi, vëllazërim». — 49. ↩︎

  80. Nju-Lanark (New-Lanark) — fabrikë e tjerrjes së pambukut në afërsi të qytetit Lanark të Skocisë, e themeluar më 1784, me një qendër të vogël banimi pranë saj. — 49. ↩︎

  81. Engelsi citon letrën e dytë nga vepra e Sen-Simonit «Letra të një banori të Gjenevës drejtuar bashkëkohësve të vet». — 53. ↩︎

  82. Engelsi ka parasysh një pjesë të nxjerrë nga «Letrat e A. Sen-Simonit drejtuar një amerikani» (letra e tretë). — 53. ↩︎

  83. Engelsi ka parasysh dy punimet e shkruara nga Sen-Simoni bashkë me nxënësin e tij O. Tjerri: «Mbi riorganizimin e shoqërisë evropiane, ose Mbi domosdoshmërinë dhe mënyrat e bashkimit të popujve të Evropës në një trup të vetëm politik duke ruajtur secili prej tyre pavarësinë e vet kombëtare» dhe «Mendim mbi masat që duhen marrë kundër koalicionit të vitit 1815»; të dyja këto broshura u botuan në Paris, e para — në tetor 1814, dhe e dyta — më 1815. Ushtritë aleate të vendeve pjesëmarrëse të koalicionit të gjashtë antifrancez (të Rusisë, Austrisë, Anglisë, Prusisë dhe të shteteve të tjera) hynë në Paris më 31 mars 1814. Perandoria e Napoleonit ra, kurse vetë Napoleoni pas abdikimit u detyrua të shkonte në internim në ishullin Elba. Në Francë u bë restaurimi i parë i monarkisë së Burbonëve. Njëqind ditët — periudha e rivendosjes për një kohë të shkurtër të perandorisë së Napoleonit, që vazhdoi prej çastit të kthimit të tij nga internimi, nga ishulli Elba, në Paris më 20 mars 1815 deri te abdikimi i dytë i tij më 22 qershor të po atij viti pas disfatës së Vaterlosë. — 54. ↩︎

  84. Në betejën e Vaterlosë (Belgjikë) të 18 qershorit 1815 ushtria e Napoleonit u thye nga trupat anglo-holandeze që i komandonte Uelingtoni dhe nga ushtria prusiane që e komandonte Blyheri. Beteja e Vaterlosë luajti një rol vendimtar në fushatën e vitit 1815, duke përcaktuar fitoren vendimtare të koalicionit antinapoleonian të fuqive evropiane dhe rënien e perandorisë së Napoleonit I. — 54. ↩︎

  85. Nga thirrja me titull «Revolucioni në mendje dhe në praktikë», drejtuar gjithë «republikanëve të kuq, komunistëve dhe socialistëve të Evropës» dhe qeverisë së përkohshme franceze të vitit 1848, si dhe «mbretëreshës Viktoria dhe këshilltarëve të saj me përgjegjësi». ↩︎

  86. Sipas mendimit të Ouenit kjo sindikatë (u themelua në Londër më 1833) duhej të merrte në duart e veta drejtimin e prodhimit dhe të realizonte me rrugë paqësore transformimin e plotë të shoqërisë. Shumë shpejt ky plan utopik dështoi. Duke hasur në një kundërshtim të fortë nga ana e shoqërisë borgjeze dhe e shtetit, në gusht 1834 sindikata u shpërnda. — 61. ↩︎

  87. Periudha aleksandrine e zhvillimit të shkencës shkon prej shek. III para erës së re deri në shek. VII të erës së re. U quajt kështu nga emri i qytetit egjiptian të Aleksandrisë (në brigjet e detit Mesdhe), që ka qenë një nga qendrat më të mëdha të marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare të asaj kohe. Në periudhën aleksandrine patën një lulëzim të madh shumë degë të shkencës: matematika dhe mekanika (Euklidi dhe Arkimedi), gjeografia, astronomia, anatomia, fiziologjia etj. — 65. ↩︎

  88. Pjesë nga Bibla. — 65. ↩︎

  89. Gëte. «Fausti». Pjesa I, skena e katërt («Kabine Faustit»). Red. ↩︎

  90. Shih K. Marks. «Kapitali», bot. shqip, vëll. I, libri i 2-të, f. 7-266. — 77. ↩︎

  91. Nuk është nevoja të shpjegojmë këtu se edhe po të mbetet forma e përvetësimit ajo që ishte, karakteri i përvetësimit pëson, për shkak të procesit të përshkruar më sipër, një revolucion jo më të vogël se karakteri i prodhimit. Nëse përvetësoj produktin e punës sime apo produktin e punës së huaj — këto, sigurisht, janë dy lloje shumë të ndryshme përvetësimi. Po le të vërejmë kalimthi se puna me mëditje, e cila fsheh në embrion tërë mënyrën kapitaliste të prodhimit, është shumë e vjetër; në forma të veçanta dhe të rastit ajo ka ekzistuar gjatë shekujsh krahas skllavërisë. Por ky embrion mundi të zhvillohej dhe të bëhet mënyrë kapitaliste prodhimi vetëm atëherë kur për këtë u krijuan kushtet historike të nevojshme. ↩︎

  92. Shih shtojcën në fund. [Këtu Engelsi i referohet veprës së vet «Marka». Shih K. Marks e F. Engels. Veprat, bot. i 2-të rus., vëll. 19, f. 327-345. Red.] ↩︎

  93. Është fjala për një sërë luftërash të shekujve XVII dhe XVIII ndërmjet shteteve më të mëdha evropiane për hegjemoni në tregtinë me Indinë dhe me Amerikën dhe për pushtimin e tregjeve koloniale. Në fillim vendet rivale kryesore ishin Anglia dhe Holanda (luftëra tregtare tipike kanë qenë luftërat anglo-holandeze të vjetëve 1652-1654, 1664-1667 dhe 1672-1674), më vonë lufta kryesore u zhvillua midis Anglisë dhe Francës. Fituese nga të gjitha këto luftëra doli Anglia, në duart e së cilës nga fundi i shekullit XVIII u përqëndrua pothuajse tërë tregtia botërore. — 85. ↩︎

  94. «Gjendja e klasës punëtore në Angli», f. 109. [Shih bot. shqip, 1970, f. 124-125. Red. Përkth.]. ↩︎

  95. Engelsi citon këtu vëllimin I të «Kapitalit» (shih botimin shqip, vëll. I, libri i 2-të, f. 172 dhe 242). — 87. ↩︎

  96. Shih K. Marks. «Kapitali», bot. shqip, vëll. I, libri i 2-të, f. 208. — 87. ↩︎

  97. Shih po aty, vëll. I, libri i 3-të, f. 117-118, — 88. ↩︎

  98. d.m.th. me të ardhurat e dividenteve. Red. Përkth. ↩︎

  99. Them: «është i detyruar», sepse vetëm atëherë kur mjetet e prodhimit ose të komunikacionit do të bëhen me vërtetë tepër të mëdha për t'u drejtuar nga shoqëritë aksionare, vetëm atëherë kur shtetëzimi i tyre do të bëhet ekonomikisht i pashmangshëm, vetëm atëherë — edhe në rast se atë do ta bëjë shteti i sotëm — ai do të jetë një përparim ekonomik, një hap i ri drejt marrjes nën zotërim të të gjitha forcave prodhuese nga vetë shoqëria. ↩︎

  100. Seehandlung (Tregtia detare) — shoqëri tregtare krediti e themeluar më 1772 në Prusi; kjo shoqëri gëzonte një varg privilegjesh shtetërore, i jepte hua të mëdha qeverisë dhe praktikisht kryente rolin e bankierit të saj dhe të maklerit për pjesën financiare. Më 1904 ajo u shndërrua zyrtarisht në bankë shtetërore të Prusisë. — 93. ↩︎

  101. «Shteti i lirë popullor» ka qenë në vjetët 70 kërkesa programatike dhe parulla e zakonshme e socialdemokratëve gjermanë. Kritikën marksiste të kësaj parulle shihe në pjesën IV të veprës së Marksit «Kritika e programit të Gotës» dhe në letrën që Engelsi i dërgoi Bebelit më 18-28 mars 1875. Shih gjithashtu veprën e Leninit «Shteti dhe revolucioni», kap. I, § 4, dhe kap. IV, § 3 (Veprat, bot. shqip, vëll. 25, f. 466-473 dhe 520-524). — 98. ↩︎

  102. Disa shifra mund të na japin një ide të përafërt mbi aftësinë jashtëzakonisht të madhe që kanë mjetet e sotme të prodhimit për t'u zgjeruar madje edhe nën zgjedhën kapitaliste. Sipas llogaritjeve më të fundit të Xhifenit, shuma e përgjithshme e të gjitha pasurive të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës në shifra të rrumbullakosura:

    më 18142 200mil. l. st.=44 mlrd. marka
    më 18656 100» » »=122 » »
    më 18758 500» » »=170 » »
    Përsa i përket asgjësimit të mjeteve të prodhimit dhe të produkteve në kohën e krizave, në Kongresin e dytë të industrialëve gjermanë (Berlin, 21 shkurt 1878) u përcaktua se humbjet e përgjithshme vetëm të industrisë gjermane të hekurit gjatë krizës së fundit arritën në 455 mln. marka. ↩︎

  103. Ligji i jashtëzakonshëm kundër socialistëve u vu në zbatim në Gjermani më 1878. Me këtë ligj ndaloheshin të gjitha organizatat e partisë socialdemokrate, organizatat e masave punëtore, shtypi punëtor, u konfiskua literatura socialiste, filloi internimi i socialdemokratëve. Nën presionin e lëvizjes së masave punëtore më 1890 ligji u abrogua. — 45. ↩︎