["Laiciteti ndër ne" | Revista: Shekulli XX | Datë: 15.09.1933]

-Duhet t'a shikojmë me sy të mirë-


Laiciteti asht zanë me gojë herë herë nëpër të përkohshmet t'ona, ma fort me një mënyrë të përgjithshëme e jo drejtë për së drejti më sa i përket vendit t'onë ; prandaj po e marrim këtu më sa na hynë në punë neve, për të pamë se sa mirë na vjen për shtat. Këtu te ne, kundërshtarët e laicitetit i'a kanë ngarkue këtij të gjitha të këqijat. Nji herë e lidhin me hypernacjonalizmin e po aty shkruejnë e thonë se «Lajçizmi në parim e në zbatim do t'ishte ma i miri rrshiq për me e mbajtë ndezë e me përhapë zjarmin e farkës bolshevike» (Hylli i Dritës, vjeta IX, Nr. 7-8, faqe 306) ; Laiciteti hypernacionalist, edhe po laiciteti bolshevik! E themi plot gojën se laiciteti asht nji mbështetje e fortë e ndjenjës kombëtare, e nacionalizmit, porse nuk ka se si pjek me bolshevizmin : Japonija u rrit e po rritet me shkollën laike, mirpo asht shumë lark prej bolshevizmit. Pse ka qillue qi bolshevizmi asht kundër fesë, sikurse laiciteti, kjo nuk do me thanë se laiciteti asht ushqimi i bolshevizmit. Po të arsyetojmë kështu, atëhere feja na qenka nji udhë ma e mirë drejt bolshevizmit, sepse feja asht shumë ma «internationale» se sa laiciteti, edhe e ban ndjenjën kombëtare qi të shduke, deri sa të quhen «vllazën» të gjithë ata qi janë të njij feje kështu të thonë «jam fetar e mbasandej atdhetar» : 


Papa Piu XI e quejtka laicitetin «murtaja e kohës» s'onë, edhe P. Gamelli i ngarkueka këtij fajin e krizës së madhe të kohës së sotshëm! (Hylli i Dritës, vj. IX, Nr. 7-8, f. 306). Nuk asht ashtu : laiciteti asht bekimi e jo murtaja e kohës s'onë edhe nuk ka se si t'a ketë nxjerrë këtë krizën e sotëshme. Koha e jonë asht koha e vet-veprimit edhe shkolla laike e ka lirue arsyen prej barrës së randë të dogmës fetare, e cila e ndrydh individualitetin e fëmijsë ; shkolla laike e ka bamë njerinë të mendojë lirshëm, të gjykojë vetë e të veprojë vetë. Shtjellimi i individualitetit edhe të shtuemit e vet-veprimit nuk mund të na e kenë pruem këtë krizën e sotshëme, rranja e së cilës duhet kërkuem gjetiu e jo në laicitet. 


Edhe ma: në qoftë se «kultura kristjane» e ka për parim t'a shtrëngojë mendjen e njeriut qi të shkojë mbas njij dogme të caktueme e të pakundërshtueshëme e të paprekëshme, atëherë le t'i a ketë frikën laicitetit, sepse ky me të drejtë asht e duhet të jetë «rreziku i përbotshëm për kulturën kristjane», sikurse e paska shpallë kongresi i Protestajvet n'Olberg më 1928 (Hylli i Dritës, vj IX, Nr. 7-8, f. 306) mirpo, në qoftë se «kultura kristjane» e çmon shtjellimin e individualitetit, vëzhgimin e lirë edhe mendjen e pavarun, cilësi të domosdoshëme të njij njeriu të përsosun, atëhere le ta ketë shpinën e ngrofët nga laiciteti. 


Me sa shifet, koha e sotshëme po i çmon të mirat qi i ka sjellë laiciteti e po përpiqet t'i ketë gjithnji : shtet qi e kanë përkrahë lacitietin janë aqë laike sa kanë qenë, në mos ma shumë. Konkordatet e bame nuk dëftejnë tjetër gja veç se shtetet po e përdorin fenë si vegël për punë e veta. Franca, Anglija, Portogali e tjerë shtete me koloni i përkrahin misionet e ndryshme fetare për të shtruem e për të pasë në dorë kolonitë e veta. A jemi ne aqë të pagdhenun sa janë popujt e atyne kolonive, kështu qi të krahasohemi me ato për punën e laicitetit ? Gjaja qi mund t'i bajë mirë kolonivet të zezakëvet edhe të verdhëvet nuk do ma thanë se asht e mirë edhe për vendin t'onë këtu! Turqija asht laike kambë e krye edhe nuk ka zanë t'a pëkrahi Islamizmin, vetëm se e ka shrimë në dorë organizimin fetar për arsye shtetnore edhe po e fut gjuhën e vendit në këndimet fetare për aryse kombëtare e jo për t'i futë popullit ndjenjën fetare në zemër.


Si do qi të jetë, këtu e kemi zanë me gojë vende, qi e kanë popullin të njij feje (e kështu mund t'a trajtojnë ndryshe punën e laicitetit) ose shtete, qi kanë kujdes të mos u dalin prej duerësh kolonitë (e prandaj i pëkrahin misionet fetare). Ne nuk jemi të lidhun të bajmë ç'të bajnë të tjerët, por të shofim e të bajmë atë qi asht e dobishëme për ne. Nuk jemi nji vend me nji fe, por kemi tri fe të ndryshme, as koloni nuk kemi : nuk hyjmë, pra, as në njanën as në tjetrën kategori të atyne shteteve qi zumë me gojë. Edhe t'a zamë se po prendon lajçizmi andejë, këndejë nga ne ndashti ka lemë edhe duhet t'a ushqejmë. Laiciteti për ne nuk ash murtajë por asht shëndet, për këto arsye: 


Shkollat private fetare me frymën fetare qi kanë në të gjitha mësimet edhe me mesimin e veçantë të fesë u ndezin fëmijvet shumë hejrët ndjenjën fetare edhe i bajnë qi të besojnë pa gjykue dogmat e pandërrueshëme të fesë. Arsyeja bahet rob i dogmës, vet-veprimi shtypet në të kërkuemen e së vërtetës, vëzhgimi i lirë ndrydhet i kufizuem prej asaj gjaje qi e quejnë e vërteta e hyjnueshëme, të cilën, si mbas parimit të fesë, duhet t'a pranojmë e jo t'a vëzhgojmë. Mb'anë tjetër, besimi mbë nji Perendi, i cili shpërblen ata qi bajnë mirë edhe dënon e mundon ata qi bajnë keq, e shtyen fëmijnë të sillet mirë e të mos bajë keq vetëm nga kënaqësija e shpërblimit të ardhshëm ose nga frika e ndëshkimit të jetës tjetër: moral i mbështetun në interes e në frikë. Hypokrizija e merr kështu edhe fëmija mësohet qi ma të shumtën të mos varet prej zotësisë së vehtes së vet, por të presi ndifëm prej njij fuqije të minatyrshëme, të cilën as e di as e njef, por e merr me mend nji ashtu si i a ka rranjosë dogma fetare në shkollë. Na duem njerëz të pavarun, me gjykim të lirë e me veprim të vetvehtes : këta farë njerëzish i ban shkolla laike. 


Kemi edhe nji arsye ma të fortë, për t'a mbajtë ne kambë laicitetin këtu ndër ne : të mbrojmë njisinë t'onë kombëtare. Jemi nji vend me tri fe të ndryshëme. Fëmijsë do t'i shvillohet nji ndjenjë ferare e caktueme edhe e veçantë, simbas dogmës së fesë së vet, e jo vetëm nji ndjenjë e përgjithshëme fetare e besumit mbë nji Perendi. Edukata fetare do të pjerri me doemos nga dogma e vet e do t'i vejë përpara fëmijsë fenë e vet si ma të mirën ; kështu fëmija pak nga pak, por me të fortë, krijon kuptimin se qenka i ndryshëm prej fëmijvet të tjerë, qi janë shokët e vet. Sa ma shumë t'i shvillohet ndjenja fetare aqë ma fort do t'a shikojë me nji sy tjetër shokun e vet, në të cilin sheh të ndryshme gjanë ma me randësi, sikurse do t'a mësojë shkolla private fetare ose mësuesi i fesë. Kështu ushqehet dasija kombëtare edhe ndjenja fetare i'a ban gropën ndjenjës kombëtare, sepse na dobëson njisinë t'onë. 


Shkolla private fetare na ka dhanë ma të shumtën e herës nji brez njerëzish, të cilët janë ma përpara fetarë e mbasandej Shqiptarë, ose, të paktën, fetarë edhe Shqipëtarë : në njanën dorë shenjën e fesë së vet e në tjetrën flamurin. Vendi i ynë sot ka nevojë për nji brez të ri, i cili të jetë Shqiptar e vetëm Shqiptar, të jetë i përqindruem vetëm në nji ideal, në nji gja, qoftë kjo e natyrshëme a e mbinatyrshëme, në TE NDIEMIT SHQIPTAR : në njanën dorë të ketë flamurin dhe në tjetrën po flamurin. Këtë brez të ri kështu mund të na e japi vetëm SHKOLLA LAIKE e prandaj laiciteti nuk asht murtajë po asht shëndet për ne.


A.


© Copyright 2022, Albanian Third Position ©