[''SHQIPËRIJA, SKËNDERBEU, ISMAIL QEMALI, ZOGU'' nga Ismet Toto | Datë: 28.11.1931]

Është një çudi tronditëse se qysh këta njerëzit e mëdhenj bëhen edhe më të mëdhenj mbasi venë në Varr! Shumë prej tyre e sundojnë një popull edhe duke qenë të vdekurë. Dhe e sundojnë tmerësisht! Vepra dhe ideja e tyre ka mbërthyer me gozhda të mëdha shpirtin dhe mëndjen e turmës njerëzore. Çudia jonë shtohet kur mendojmë se këta, duke qënë të gjallë s'janë përfillur fare, pëkundrazi janë përbuzur. Disa prej tyre kanë vuajtur për bukë, pa tërhequr as pak mëshirën e bashk-atdhetarëve të tyre!


Për fat të zi bota është e bërë në një të tillë mënyrë që njerëzit të mos e njohin "dritën" kur e kanë afër. Kështu, njerëz që shkrijnë vetëhen për të mirën e turmës, hidhen në mes të vuajtjeve e të mjerimit, ndofta për t'i dhënë rast t'urtit që të thotë se "Virtuti është pjella e vuajtjes."


Njerëz të mëdhenj ka patur dhe do të ketë çdo kohë, sa herë që do ketë qejf e Madhja Natyrë. Këta janë Drita të botës që mbeten si Yj të flakëruar për të ndriçuar udhën e errët dhe të zorshme të njerëzimit. Mbrënda në thellësin e shpirtit të këtyre njerëzve origjinalë qëndron një fuqi hyjnore. Ideali dhe vullneti i tyre është arsyeja e qënjes për ata. Ata e kanë dedikuar vetëhen realizimit të një ideali. Ata s'mendojnë gjë tjetër në jetë. S'mund të mendojnë! Ata qëndrojnë për çështjen e tyre në çdo kusht e me çdo sakrificë. S'ka gjë në botë që mund të zërë vendin e qëllimit për të cilin ata rrojnë në jetë.


***


Një Englez i madh ka thënë se "historia e njerëzimit në fund të fundit nuk është tjetër veç se përmbledhja e jëtëshkrimit të njerëzve të mëdhenj. As gjë s'duket të jetë m'e natyrshme dhe më llogjike. Majft që të hedhim një vështrim, sado të vrazhgët, historisë s'one Kombëtare. N'atë do të shohim se jeta e BURRAVE t'onë është shpirti i gjithë Historisë Shqiptare.


Në këtë kuptim duam të marrim dhe na këtë Ismail Benë t'onë, jo vetëm se pse me veprën e 28 Nëntorit ndezi një zjar që s'u shua dhe s'do të shuhet kurr, por, se pse e gjithë jeta e tij ka një frymë madhështie. Një madhështi mendore të habitshme për të cilën Shqiptarët e gjithë kohëve kanë të drejtë të rrinë kryelartë. Është pikërisht kjo madhështi e Mendjes dhe e Shpirtit q'e bën të mundur që një Ismail Qemal të sundojë Shqiptarët duke qenë vetë i vdekur. Ky lloj madhështie është e pa çdukur ; përkundrazi bashkë me kalimin e kohës mbet e shkëlqen më fort dhe gjithnjë më fort, dhe verbalisht e adhuron turma e njerëzisë. Se pse Turma me zëmrën e saj të ngrohët s'gabon kurrë në të tillë raste. Ajo din se ç'duhet të dojë, dhe din se ç'duhet të Urrejë.


Kemi dëgjuar shpesh nga goja e njerëzve që mbahen për diçka dhe që janë majmur në këto kohë në kurris të veprës së heronjve t'onë të perënduar se "vepra e Ismail Qemalit u detyrohet më tepër rrethanave t'asaj kohe dhe një ambisioni personal". Kanë thënë këta se vepra e këtij Plaku t'Arbërisë kreshnike nuk është e sinqertë dhe që nuk është kulmi i një vepre të zhvilluar në tërë jetën e tij. Mbas këtij arysetimi pra, s'ka asgjë të bukur, asgjë heroike në jetën dhe veprën e Ismail Qemal Vlorës!


Është koha t'i shqelmojmë me përbuzjen më të madhe këto krijesa me shpirt të dobët. Shpirtrat e vegjël dhe të dobët janë të dënuar të rrojnë tërë jetën n'errësirën e së shtrëmbërës. Këta Shqiptarë të çkallmuar shpirtërisht janë pjella m'e pa dëshëruar e racës s'onë, si domos në këto kohë! Është mirë për neve t'i lëmë më nj'anë bashkë me hypothezat e tyre të vajtuarshme.


Neve nuk do të hyjmë të arësyetojmë për t'u provuar këtyre se Ismail Qemali qe i sinqertë, se ky Burrë i Madh në çdo kuptim e në çdo pikpamje, s'mund të kish "ambisione personale". Neve jemi të sigurtë se besimi ynë i fortë dhe veprimi i ynë i fuqishëm do të eliminojë nga mesi i shoqëris Shqiptare këta skeptikë të paralizuar shpirtërisht. 


Neve besojmë me të gjitha fuqitë e ekzistencës s'onë se shkëlqimi i veprës së Ismail Qemal Vlorës do të vazhdojë e do të zmadhohet sa dhe vetë Shqipëria. Neve besojmë në sinqeritetin e këtij Burri të Madh që ka trashëguar gjithë çështë e bukur, e lartë dhe fisnike në palcën e shpirtit Arbnor. Neve besojmë se Shqipëria, Skënderbeu, Zogu, Ismail Qemali janë një përzjerje e pa ndarshme. Të gjithë këta emëra bashkë përbëjnë IDEN' dhe ARËSYEN e gjallërisë së Kombit Shqiptar. Neve do të jemi të lumtur po të dimë se e gjithë merita jonë qëndron vetëm në këtë BESIM. 


-"Miku i popullit", 28 nëntor 1931-


© Copyright 2022, Albanian Third Position ©